Faik Miftari

Faik Miftari: Projektligji për lirinë fetare i cili do të sjell përçarje fetare

Në Republikën e Kosovës për momentin në fuqi është Ligji Nr. 02/L-32 për lirinë fetare në Kosovë i aprovuar qysh në vitin 2006 nga Kuvendi i Kosovës. Ligji për lirinë fetare në Kosovë është në formë të përgjithësuar, ka zbrastësira, është jo i plotë, pasi që më tepër trajton lirinë e individit për të shprehur në mënyrë private dhe publike bindjet e t’ia fetare, por, në aspektin organizativ flet fare pak për bashkësitë fetare, të drejtat e tyre, pozitën juridike të tyre, raportin e tyre ndaj institucioneve shtetërore, etj.

 Me datë 06. 10. 2016 Qeveria e Republikës së Kosovës Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 të aprovuar në mbledhjen e Qeverisë me datë 30. 09. 2016, e procedoi Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe miratim në procedurën e përcaktuar. Kryetari i kuvendit z. Kadri Veseli me datë 10. 10. 2016 e dërgoi Projektligjin nr. 05/L-121 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për lirinë fetare në Kosovë Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Persona të Pagjetur dhe Peticione për shqyrtimin e këtij projektligji, i cili Komision do të paraqes Raportin e vet me rekomandime Kuvendit të Kosovës. Ky komision raportin e vet do ta paraqes Kuvendit për lexim të parë, me datë 30 nëntor 2016, pas së cilës do të vazhdojë procedura e mëtutjeshme e shqyrtimit, plotësimit dhe miratimit në Kuvendin e Kosovës.

 Vjet, Kuvendi i Kosovës në mbledhjen plenare me 30 nëntor 2015, pas procedimit në Kuvend të Qeverisë së Republikës së Kosovë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për lirinë fetare në Kosovë, pas leximit të parë dhe votimit, me 37 vota për, 20 abstenime dhe 12 kundër, Kuvendi i Kosovës nuk e aprovoi këtë Ligj, dhe ia ktheu Qeverisë.

 Edhe pse pas kësaj Qeveria e Kosovës në vend së të merret me seriozitetin më të madh për të plotësuar dhe ndryshuar me kujdes, duke i marrë propozimet dhe rekomandimet e bëra, ajo e përsërit këtë Projektligj të ri për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë, i cili mund të themi se është gati identik me atë të vitit të kaluar, me disa ndryshime të vogla, të quajmë kozmetike që kanë të bëjnë më shumë në aspektin teknik dhe gjuhësor.

 Projektligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare ka kaluar në të gjitha fazat procedurale të parashikuara me Rregulloren e Qeverisë së Kosovë, atë të përputhshmërisë së këtij Ligji me dispozitivat e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocijimit, si dhe përputhshmërisë së këtij Ligji me acquis comunitare të Bashkimit Evropian. Projektligjit për lirinë fetare vjet, i ishte bashkëngjitur Memorandumi shpjegues, me ç’rast janë konsultuar Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Protestante Ungjillore, Ambasada Amerikane, OSBE-ja, EULEX-i, Asociacioni i Komunave të Kosovës, ATK-ja, si dhe Komisioni Evropian për Demokraci (Komisioni i Venedikut).

 Zyra ligjore pranë Zyrës së Kryeministrit gjatë hartimit të këtij Projektligji g ka marr parasysh dhe ka inkorporuar të gjitha vërejtjet dhe sugjerimit e marra vetëm nga Komisioni i Venedikut përmes Opinionit nr. 743/2013 të miratuar në sesionin e 98-të plenar. Posaçërisht ka qenë rekomandimi i drejtpërdrejtë i Komisonit të Venedikut që Bashkësia e Tarikateve të Kosovës të ekzistojë si bashkësi fetare e veçantë nga Bashkësia Islame e Kosovës. Ndërsa udhëzimi OSBE-së/ODIHR-it ka qenë që nuk duhet lejuar  që kushti për minimumin e numrit të anëtarësisë të pengojë marrjen e statusit të personit juridik të bashkësisë fetare, qoftë kjo vetëm edhe me 50 besimtar të regjistruar.

 Përkundër kësaj, nga faktorët kryesor relevant që janë bartës të bashkësive fetare në Kosovë, shumë pakë ose mund të themi aspak nuk janë përfillur propozimet e Bashkësisë Islame të Kosovës, ashtu që nga 16 propozime të Bashkësisë Islame të Kosovës janë marrë parasysh vetëm 3 propozime,dhe ato të natyrës teknike dhe gjuhësore, ndërsa janë përfillur tërësisht propozimet apo rekomandimet e Kishës Katolike, ashtu që nga 3 propozimet ë Kishës Katolike, zyra ligjore i ka pranuar të tretë, ndërsa në një masë të madhe janë marrë parasysh edhe propozimet nga Kisha Ortodokse Serbe, ashtu që nga 8 propozime të Kishës Ortodokse Serbe Zyra ligjore pranë Kryeministrit të Kosovës i ka pranuar 6 propozimet e tyre.

 Në këtë elaborim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për lirinë fetare, do të ndalem në 4 çështje thelbësore të Projektligjit, këto janë: bashkësitë fetare tradicionale shekullore në Kosovë, regjistrimi i bashkësive të reja fetare në Kosovë, zyra përkatëse dhe komisioni për regjistrim, si dhe çështja shëndetësore dhe pensionale e nëpunësve fetar.

 E para, bashkësitë fetare tradicionale të Kosovës, neni 4A për Bashkësitë fetare në Kosovë, paragrafi 1 është i formuluar me sa vijon: “ Në Republikën e Kosovës ekzistojnë gjashtë (6) bashkësi fetare, të cilat përbëjnë edhe trashëgiminë historike, kulturore dhe shoqërore të vendit. Këto bashkësi janë: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse Serbe, Bashkësia e Besimit Hebrenj, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës dhe Bashkësia e Tarikateve të Kosovës”, propozoj që në vend të kësaj do të ishte e udhës neni 4A, paragrafi 1 të jetë i formuluar në këtë formë: “Në Republikën e Kosovës ekzistojnë tre(3) bashkësi fetare tradicionale shekullore, të cilët përbëjnë edhe trashëgiminë historike, kulturore dhe shoqërore të vendit. Këto bashkësi janë: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike dhe Kisha Ortodokse Serbe”.

 Këtë që e them e mbështes me faktin se në Kosovë me shekuj kanë vepruar këto tri bashkësi fetare tradicionale të cilët përfshijnë me shumicë absolute popullatën e Kosovës, ndërsa tani në demokraci janë paraqitur edhe bashkësi tjera fetare, që nuk çojnë peshë të madhe në strukturën e gjithëmbarshme fetare të Kosovës. Sa i përket Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës, ato nuk duhen të jenë të ndara, pasi ata janë pjesë përbërëse e Bashkësisë Islame të Kosovës, sepse i përkasin  fesë Islame të njëjtë, kanë të njëjtën Kur’an , falen në xhami, varrosen në varrezat myslimane, shkojnë  në Qabe, agjërojnë, etj., ndërsa përveç kësaj i kryejnë edhe ritualet shtesë të zikrit në teqetë e tyre që janë një kolorit shtesë në spektrin e gjerë të fesë Islame. Krahasimi me bektashinjtë në Shqipëri nuk mund të bëhet, pasi ata atje kanë një traditë gati një shekullore të ekzistimit të tyre si bashkësi fetare e ndarë, por të gjithë ata i përkasin një tarikati, atij bektashi. Bashkësia e Tarikateve të Kosovës nuk mund të qëndron si një bashkësi e vetme, pasi që automatikisht do të sjell 12 bashkësi të ndara, të reja fetare, sepse ekzistojnë 12 tarikate (drejtime): halveti, rufai, kaderi, melami, nakshibendi, bektashi, sinani, etj. Kështu që në këtë rast në praktikë nuk do të mund të zbatohet parimi i këtij Ligji për bashkësi fetare të veçantë si bartës i vetëm juridik të pasurisë poseduese të paluajtshme, për shkak të cilës pronarët e teqeve dhe të mirave tjera materiale janë pronarë formal çdo tarikat individualisht.

 Në nenin 4.5 qëndron ky formulim:” Lirinë për të manifestuar fenë ose besimin e kanë të gjithë individët, vetëm ose në komunitet me të tjerët, edhe në qoftë se ata nuk regjistrohen dhe nuk e marrin statusin e personit juridik”. Në vend të kësaj do të ishte e udhës të qëndrojë ky formulim i këtij neni:”Lirinë për të manifestuar fenë ose besimin e kanë të gjithë individët, vetëm ose në komunitete të reja që janë formuar apo do të formohen, që mund të regjistrohen në një formë tjetër dhe të marrin statusin e personit juridik”. Këtu mund të hyjnë bashkësitë të reja sikurse që janë Kisha Protestante Ungjillore, Bashkësia e Besimit Hebrenj apo ndonjë bashkësi e re fetare që do të themelohet.

 E dyta, Neni 7B. Paragrafi 2.2 i formuluar me sa vijon:” Me rastin e themelimit të kenë të paktën pesëdhjetë (50) anëtarë, shtetas të moshës madhore të Republikës së Kosovës”, duhet të jetë i ndryshuar dhe i formuluar në këtë mënyrë: “Me rastin e themelimit të bashkësive të reja fetare duhet të kenë të paktën dhjetëmijë (10.000) besimtar, shtetas të moshës madhore të Republikës së Kosovës”.

 Formulimi i tillë i projektuar në Projektligj mundëson që në Kosovë do të mund të themelohen me dhjetëra bashkësi të reja fetare, duke qenë kushti vetëm 50 besimtar, e me këtë  bashkësitë fetare barazohen gati në rangun e njëjtë me organizatat jo qeveritare, pasi për regjistrimin e OJQ-ve kushti për regjistrim është të kenë tre anëtar, që për momentin në Kosovë veprojnë gati afro dhjetëmijë organizata joqeveritare qoftë vendore apo ndërkombëtare.

 Tek neni 7B duhet të shtohet paragrafi 2.7 me këtë formulim: “Nuk do të lejohet regjistrimi i bashkësive të reja fetare, që në aspektin doktrinar fetar janë të njëjtë me Bashkësitë fetare tradicionale në Kosovë, dhe se eventualisht do mund të regjistrohen vetëm me pëlqimin paraprak të Bashkësisë Islame të Kosovës, të Kishës Katolike dhe të Kishës Ortodokse Serbe”.

 Në rast se do të lejohet të regjistrohen bashkësitë fetare me vetëm 50 besimtar, atëherë kjo do të sjell përçarje me pasoja të papara dhe shumë të dëmshme për Bashkësinë Islame të Kosovës si bashkësi fetare shumicë në Kosovë, e në një masë shumë të vogël, edhe për Kishën Katolike apo Kishën Ortodokse Serbe. Kjo do të sjell pa dyshim fragmentarizmin apo përçarjen e Bashkësisë Islame të Kosovës si një Bashkësi e vetme fetare unike nën ombrellën e së cilës kanë qenë shekuj me radhë të përfshirë të gjithë besimtarët mysliman të Kosovës, duke marr parasysh edhe tarikatet brenda saj, sikurse edhe bashkësitë nacionale të ndryshme, ndërsa tani me këtë Projektligj të propozuar do të kemi me dhjetëra bashkësi fetare të reja islame, si p.sh. bashkësitë fetare të reja sunite, hanefite, shafite, malikite, hanbelite, vehabite, selefite, shiite, xhaferite, ismailite, tarikate, nakshibendite, bektashite, rufaite, kaderite, melamite, halvetite, sinanite e tjera e tjera.

 Duke marrë parasysh trendet aktuale kombëtare e ndërkombëtare në rrafshin e spektrit fetar, nuk e kam të qartë se si mund të projektojë një Ligj të tillë për lirinë fetare Qeveria e Kosovës dhe ta procedojë atë për miratim Kuvendit të Kosovës. Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës do të duhej paraprakisht që të konsultohen mirë e mirë me të gjithë faktorët relevant vendor, duke organizuar debate, tribuna publike, seminare, prezantime në media publike, të shqyrtojnë me kujdes dhe me vëmendje të duhur të gjitha këshillat, sugjerimet, propozimet, rekomandimet, pikësëpari të bashkësisë fetare më të madhe në Kosovë, të Bashkësisë Islame të Kosovës, pasi që neve që jetojmë këtu në Kosovë më së miri e njohim aktualitetin fetar, kulturor, historik, shoqëror, tradicional shumë shekullor në Kosovë. E në rast se neve e neglizhojmë dhe i anashkalojmë të gjitha këto që i kemi ndërtuar dhe mirëmbajtur me shekuj harmoninë dhe tolerancën fetare, tani,shkel e shko e procedojmë me shpejtësi, ta dini se pikësëpari jeni ju Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës që do të mbani përgjegjësi historike, politike, morale, në rast se Projektligji i tillë i projektuar miratohet në Kuvend, pasi që me këtë do të legjitimoni përçarjet fetare brenda Bashkësisë Islame të Kosovës me pasoja të papara për të ardhmen e Kosovës. Duke pas parasysh të gjitha problemet me të cilët përballemi në aktualitetin e tanishëm në Kosovë, kjo do të ishte vetëm hedhja e benzinës në flakë, që pikësëpari nuk më merr mendja që do të dojë cili do qytetari i Kosovës pa marr parasysh përkatësin e tij fetare e kombëtare, e lere më cilido ministër i Qeverisë së Kosovës apo deputet i Kuvendit të Kosovës si përfaqësues të popullit.

 Unë habitem, edhe me atë, me çfarë hovi dhe vrulli po duhet që ky Projektligj me shpejtësi të procedohet dhe miratohet nga Kuvendi i Kosovës, duke marr parasysh se nuk kemi pas ndonjë trysni të bashkësive fetare eventuale të reja në Kosovë për regjistrim, por besoj që nuk ka pas trysni edhe nga faktorët ndërkombëtar relevant, pasi që ky Projektligj i tillë i formuluar gjatë krahasimit të Deklaratës së përputhshmërisë së legjislacionit të Kosovë me Acques Comunitare të Bashkimit Evropian, doli se përputhshmëria e aktit normativ me dispozitat e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në asnjërin prej 6 pikave nuk aplikohet tek ata, ndërsa në përputhshmërinë e legjislacionit me Acquis të Bashkimit Evropian në 6 pika nuk ka fare përputhshmëri. Poashtu lista e legjislacionit përkatës të Bashkimit Evropian (titulli i plotë i aktit,dhe numri me të cilin është përafruar akti normativ i Republikës së Kosovës nuk ka, si dhe shkalla e përafrimit të këtij Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare me legjislacionin e Bashkimit Evropian është i pazbatueshëm.

 Neni 8A paragrafi 2, i cili ka të bëjë me varrezat dhe ritet e varrimit, është i formuluar me sa vijon:” Varrimet dhe ritet e varrimeve në varreza publike organizohen në mënyrë neutrale dhe personat që i përkasin një pakice fetare apo filozofike nuk duhet të varen nga personat që i përkasin një shumice fetare lidhur me aspektet e varrimit të tyre”. Paragrafi 2 i nenit 8A do të duhej të jetë i formuluar kësisoj:” Varrimet dhe ritet e varrimeve në varreza publike organizohen nga Bashkësia Fetare Islame, Kisha Katolike dhe Kisha Ortodokse Serbe për besimtarët që i përkasin bashkësive fetare të cekura në varrezat myslimane, katolike apo ortodokse. Besimtarët që i përkasin një pakice fetare jo islame, jokatolike dhe joortodokse, si dhe personat që nuk duan të identifikohen me besimin fetar, me dëshirën e tyre mund të varrosen në lokacione tjera në rast se ekzistojnë, krahas varrezave myslimane, katolike dhe ortodokse tradicionale”.

 Këtë kur e them bazohem në atë se gjer tani të gjithë besimtarët sipas përkatësive të tyre tradicionale janë varrosur në varrezat myslimane, katolike apo ortodokse, pa marrë parasysh ndarjet apo botëkuptimet e ndryshme eventuale në mes tyre, bile me rastin e varrimit të tyre të gjithë kanë qenë të përbashkuar, të gjithë besimtarët myslimanët janë varrosur në varreza myslimane, besimtarët katolik në varrezat katolike dhe besimtarët ortodoks në varrezat ortodokse. Gjatë kohës së monizmit përjashtim kanë qenë komunistët të cilët me dëshirën e tyre janë varrosur ndaras në parcelë të posaçme, por në shumicën e rasteve numri i tyre ishte irelevant.

 E treta, komisioni për regjistrimin e bashkësive të reja fetare si dhe zyra përkatëse për bashkësitë fetare, neni 11A i cili ka të bëjë me Komisionin për regjistrimin e bashkësive të reja fetare, duhet të fshihet në tërësi, ndërsa për bashkësitë e reja eventuale fetare që do të mund të paraqiten eventualisht në të ardhmen mund të regjistrohen si shoqata në bazë të Ligjit mbi regjistrimin e OJQ-ve, për të kryer aktivitetet e tyre, apo si të tilla mund të mbesin të paregjistruara dhe të veprojnë konform nenit 4.5:” Lirinë për të manifestuar fenë ose besimin e kanë të gjithë individët, vetëm ose në komunitet me të tjerët, edhe në qoftë se ata nuk regjistrohen dhe nuk e marrin statusin e personit juridik”. Ndërsa neni 11B që ka të bëjë me Zyrën përkatëse për bashkësitë fetare të riformulohet në “Zyra për bashkësitë fetare” e cila do të merret me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë lidhur me punën, veprimtarinë, koordinimin e bashkësive fetare tradicionale dhe te tjera, si dhe zbatimin e këtij Ligji nr. 05/L-121 për lirinë fetare.

 E katërta, ka të bëjë me çështjen shëndetësore dhe pensionale, do të ishte e duhur që neni 13 paragrafi 1 i Ligjit aktual në fuqi për lirinë fetare të plotësohet dhe riformulohet si vijon:” Nëpunësit fetarë të bashkësive fetare i realizojnë të drejtat e tyre nga sigurimi pensional dhe sigurimi shëndetësor, sikurse të gjithë të punësuari tjerë në Kosovë konform Ligjeve në fuqi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë për punë dhe mirëqenie sociale, dhe të drejtat e tjera në bazë të Ligjeve në fuqi të Kosovës”.

 Më habit fakti pse Bashkësia Islame e Kosovës gjer tani nuk e ka sensibilizuar opinionin publik, në mesin e nëpunësve të saj fetar dhe xhematit anembanë Kosovë, këtë Projektligj për lirinë fetare në Kosovës, përveç asaj që i ka dërguar rekomandimet dhe propozimet e veta Qeverisë së Kosovë gjatë hartimit të Projektligjit për liritë fetare të vitit 2015, dhe gati të gjitha janë hedh poshtë, pasi që pikërisht ky Projektligj do të sjell përçarje të paparë gjer tani pikësëpari brenda Bashkësisë Islame të Kosovës i cili do të sjell reperkusione shumë të dëmshme për Bashkësinë Islame të Kosovës në veçanti dhe qytetarët e Kosovës në përgjithësi.

 Në përfundim të këtij elaborimi të Projektligjit nr.05/L-121 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.02/L-31 iu bëjë ftesë publike Qeverisë së Kosovës si sponsore e këtij Ligji e sidomos deputetëve të Kosovës si përfaqësues të popullit, të mendojnë në mënyrë shumë racionale dhe kujdesshme para se të votojnë, që të plotësojnë dhe të ndryshojnë këtë Projektligj me rekomandime dhe propozime, të të gjithë atyre që kanë kontribuar për plotësim dhe ndryshimin e këtij Projektligji për lirinë fetare në Kosovë, si dhe me amandamentimet e vet deputetëve dhe grupeve parlamentare në Kuvend, që të sajohet një Projektligj i tillë i cili do të duhej të jetë në funksion të vazhdimit të kultivimit të harmonisë dhe tolerancës fetare shekullore në Kosovës, e jo të merren vendime ad hock, aty për aty, dhe të miratojnë këtë Projektligj për lirinë fetare ashtu si është përpiluar, i cili do të sjell përçarje të mëdha fetare, me formimin e shumë bashkësive të reja fetare të panevojshme, pasi që ato në shumicën e rasteve do të jenë të ngjashme me ato që janë tradicionale shekullore në Kosovë, me të vetmin qëllim të përçarjes, ndarjes, acarimit, armiqësimit në mes veti të korpusit të tanishëm fetar të Kosovës, e që tani me këtë Projektligj i legjitimon dhe i bën të ligjshëm veprimtaritë e tyre, që do të sjell huti të panevojshme dhe shumë të dëmshme për aktualitetin e tanishëm dhe të ardhshëm të Republikën e Kosovë. 21. 11. 2016

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …