Faik Miftari: Refugjatët mësyjnë Evropën nëpërmjet Mesdheut dhe Ballkanit

 Në njërën
prej opinioneve të shkruara rreth luftës në Siri, pata thënë se:”Lufta në Siri
do të përfundojë vetëm në atë çast kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe
Rusia do të arrijnë kompromisin lidhur me ardhmen politike të këtij vendi të
përfshirë nga lufta”. A do të jetë ky kompromis, pajtimi i të gjitha palëve të
përfshira në konfliktin sirian çoftë në mënyrë drejtpërdrejtë apo tërthore për
formimin e një qeverie kalimtare drejt mbajtjes së zgjedhjeve të lira nën
mbikëqyrje ndërkombëtare, në të cilin populli sirian do të vendos vet për
ardhmërinë e vendit me apo pa Bashar al Asadin në krye, javët dhe muajt në
vijim do të tregojnë.

Ky fluks masiv i refugjatëve të luftës, kryesisht
nga Siria, por edhe nga vendet tjera, sikurse Iraku, Afganistani, Libia,
Tunizia,etj., orientuar drejt Evropës nëpërmjet Mesdheut dhe Ballkanit
paraqet  një fazë të re të luftës në Siri.
Që nga fillimi i luftës në Siri, brenda në Siri janë zhvendosur rreth 7 milion
banor, ndërsa 4 milion refugjatë sirian janë zhvendosur jashtë Sirisë, prej
atyre 2 milion janë vendosur në Turqi, 1 milion në Liban dhe 1 milion në
Jordani, ndërsa një numër më i vogël ka gjet strehim në Egjipt dhe Irak. Por
këta katër milion refugjatë të vendosur kryesisht në Turqi, Liban dhe Jordani,
nuk kanë bërë bujë të madhe në opinionin publik ndërkombëtar gjatë strehimit të
tyre nga fillimi i luftës. Por, pas plot 4 viteve të kaluara në këto tri vende,  fluksi i refugjatëve kryesisht sirian, por
edhe i tjerëve, filluan të lëvizin në një masë të madhe kryesisht nga Turqia,
por edhe nga Iraku, Libani e Jordania, nëpërmjet Mesdheut dhe Ballkanit drejt
Evropë për të gjet një strehim me mundësi ndoshta të përfitimit të azilit apo
edhe të një vend pune në shtetet e zhvilluara të Evropës. Por skenat rrëqethëse
nga përmbytjet e një numri të caktuar refugjatësh duke kaluar Mesdheun, apo që
gjejnë vdekjen  gjatë udhëtimit të tyre të
gjatë, nëpër Turqi, Greqi, Maqedoni, Serbi e Hungari drejt vendeve të Bashkimit
Evropian, alarmoi opinionin e gjerë publik ndërkombëtar.

 

Këto skena të tmerrshme me fluksin e refugjatëve të
luftës, bënë që opinionin publik evropian në një masë  të madhe të senzibilizohet dhe të
aktualizohet çështja e tyre pa marrë parasysh se një pjesë e tyre është pro apo
edhe kundër vendosjes së tyre në Evropë. Barra më e madhe me siguri si
gjithherë  bie mbi Gjermaninë, e cila ka
treguar interesim për të pranuar një numër të caktuar  refugjatësh, kryesisht sirian, por do që këtë
barrë të refugjatëve të ndajë edhe me shtetet tjera të Bashkimit Evropian.

 

Ky fluks pritet në ditët dhe javët në vijim, të jetë
edhe më i shprehur, në një apo mënyrë tjetër do të ndikojë drejt përfundimit më
të shpejtë të luftës në Siri dhe gjetjes së kompromisit në mes SHBA-ve dhe
Rusisë, pasi që trusnia publike në opinionin publik evropian dhe botëror do të
jetë gjithnjë më e madhe, dhe e vetmja zgjidhje për parandalimin e këtij fluksi
refugjatësh është përfundimi sa më i shpejtë, i luftës jo vetëm në Siri dhe
Irak, por edhe në Libi e Jemen.

 

Por edhe veprimet e fundit që janë duke ndodhur në
konfliktin e Sirisë dhe Irakut, sidomos me rigrupimin e vendeve të përfshira në
luftën e Sirisë dhe Irakut, çoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorë,
japin sinjalet se kjo do të çon drejt përfundimit të luftës në Siri dhe Irak.
Turqia definitivisht u kyç në aleancën e gjerë të sulmeve kundër ISIS-it dhe Al
Nusrës, por edhe Egjipti pas një kohë të gjatë zvarritjesh, ka vënë kontakt të
drejtpërdrejtë me qeverinë e Asadit dhe ka filluar të dërgoj edhe armatimin e
tij për të luftuar kryengritësit sirian. Këto ditë, sipas të gjitha gjasave
pritet edhe përfshirja e drejtpërdrejte e Rusisë në sulmet kundër
kryengritësve, krahas përfshirjes së Hezbollahut dhe Iranit, edhe pse që nga
fillimi i luftës Rusia e ka mbështet me të gjitha mjetet, logjistikë e armatim,
karburante e ushqim qeverinë e Asadit, por drejtpërdrejtë nuk ka qenë e kyçur
në luftë. Tani pritet vetëm edhe ripozicionimi i Arabisë Saudite, e cila akoma
heziton, edhe pse ditëve të fundit janë shpeshtuar kanalet diplomatike në
relacion Rusi –SHBA, drejt  përfshirjes
së Arabisë Saudite, me ç’rast të plotësohet tabloja e shteteve me impakt të
drejtpërdrejtë në luftën e  Sirisë.

 

Pas kësaj, do të jenë në pyetje vetëm ditët, javët
dhe muajt drejt përfundimit së pari të luftës në Siri e më pas edhe në Irak,
pasi që të arrihet konsensusi në mes palëve të kyçura në luftë për përfundimin
e luftës së përgjakshme. Krahas kësaj janë duke u zhvilluar edhe bisedat e
shumta çoftë nëpërmjet kanaleve diplomatike të hapura, por edhe nëpër kuluare
në mes palëve të përfshira në luftë, e kryesisht në mes Shteteve të Bashkuara
të Amerikës dhe Rusisë, për pazaret e shumta rreth gjetjes së marrëveshjes së
pranueshme për të dyja palët për 
zgjidhjen politike të ardhmërisë të Sirisë.

 

Në përfundim të kësaj qasjeje, shpresoj që kjo fazë
përfundimtare e luftës në Siri e Irak, të jetë afatshkurtër, dhe ky fluks masiv
i refugjatëve mësyrë Evropës, të jetë pikë kthese drejt përfundimit të luftës
në Siri dhe arritjes së paqes për popullin shumë të përvuajtur sirian.

04.08.2015                                          

Kontrolloni gjithashtu

Ylli Mece

YLLI MEÇE: INTERVISTË ME VETVETEN PËR ENVER HOXHËN

(Me rastin e përvjetorit të ditëlindjes së Tij ) Shpesh herë pyes veten:- Në periudha …