Paulo Coelho, mes traditës, humanizmit dhe bashkëkohësisë së degraduar

Paulo Coelho është shkrimtari, aktualisht ndër më të
lexuarit në botë. Ai ka lindur në Rio de Zhanerio të Brazilit, në vitin 1947.
Rrjedh prej një familje të arsimuar dhe me edukatë, por rrethi shoqëror e
kishte katandisur në mesin e hipive dhe masave të pakënaqura, të cilët nuk
gjenin dot rrugë për realizimin e idealeve të tyre. Fillimisht ishte i
orientuar në të majtën liberale, për çka edhe ishte ndjekur nga regjimi
diktatorial i Brazilit. Në vitin 1974 ka shkruar dhe ka botuar poezi
revolucionare dhe për këtë shkak ka qenë i  persekutuar.   

Më vonë, pasi kishte vizituar shumë vende të
Amerikës Latine, pastaj të Afrikës dhe kishte qëndruar edhe në vendet e Evropës
fillon të shkruajë dhe të botojë romane, me tema të ndryshme, të mirëpritura
nga opinioni lexues jo vetëm në Brazil por kudo në botë. Nuk ishte bërë
romansier i njohur deri te botimi i romanit, “Alkimisti”, të cilin fillimisht e
kishte botuar vetëm  në 900 ekzemplarë.
Më vonë, ky libër bëhet ndër më të njohurit në botë dhe i jep famën e
shkrimtarit të madh. Romani, “Alkimisti” është botuar deri tani në 65 milionë
ekzemplarë dhe është përkthyer në rreth 70 gjuhë të kombeve të botës. Romani
është vlerësuar në rekordet e Librit të Gjinisit, për tirazh dhe lexim.  

Në mesin e 26 librave e romaneve sa ka shkruar dhe
botuar deri tani dallohen: Alkimisti, Zahiri,
Arkivi i ferrit, Veronika vendos të vdes, Alefi, Fitimtari është i vetëm, Brida
si dhe romani i fundit, Shkelja e kurorës.

Romansieri Coelho, tashmë me të drejtë ndihet si
shkrimtar i madh botëror, duke u radhitur me kolumbianin,  Gabriel Garsia Markez dhe emra të tjerë të
letërsisë së sotme botërore si:  Mario Vargas, Orhan Pamuk, Gynter
Gras,  Alen Rob-Grije, Alesandro Bariko, David
Grosman, Klaudio Magris, Emin Maluf, Ismail Kadare, Carmino Abate
e të
tjerë.

Për dallim nga të gjithë këta, Coelho shquhet
si  shkrimtar i veçantë sidomos në
trajtimin e temave universale në luftën e së mirës kundër së keqes si dhe në
trajtimin e temave nga kulturat e popujve të ndryshëm të botës. Është ndër
shkrimtarët bashkëkohorë, i cili me sukses ka thyer barrierat nacionale dhe në
temat e tij universale ai është një internacionalist, për të mos thënë i
përkryer, por që ndihet fare lehtë, bindshëm dhe origjinal sikur kur shkruan
për problemet e brazilianit, ashtu edhe për ato të arabit, zviceranit,
francezit etj.

 

Në konceptimin madhështor e të gjithanshëm të  realitetit, si shkrimtar i njohur dhe i
pranuar kudo në botë, Coelho i përmbahet misionit të tij humanist, duke iu qasur
qenies njerëzore  si një fenomen sui
generis, të krijuar nga Hyji për të kryer misionin e vet,  për të cilin njeriu, apo qenia cilado qoftë, mund
edhe të mos jetë i vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm. Me erudicionin dhe talentin
e tij krijues, shkrimtari del të jetë një vrojtues gjenial i realitetit, i proceseve
të zhvillimit, përparimit, të njeriut e njerëzimit por edhe i stagnimit,
tjetërsimit dhe deformimeve të shoqërisë njerëzore, e cila zhvillohet jo ashtu
sikur duam ne, por ashtu sikur do vetë, gjithnjë në kushte dhe rrethana të
caktuara.

Koelho, në vrojtimet e tij filozofike, është i
orientuar kryesisht në doktrinën fetare katolike, por jo gjithherë i ka
qëndruar apo  i qëndron besnik kësaj
doktrine, e cila nuk i duket  e
mjaftueshme për ta shprehur botën e tij të pasur të ndjenjave, diturinë dhe
imagjinatën tejet produktive. Po ashtu ai del të jetë njohës jashtëzakonisht i
mirë edhe i feve dhe traditave të popujve të ndryshëm, e mbi të   gjitha edhe njohës i dialektikës e ligjeve
të jetës.

Për Dallim
nga Markezi i cili me realizmin e tij magjik, supersticioz
, besimin në mrekulli dhe
në ëndrrat e parealizuar të latinoamerikanit, u bë i njohur në tërë botën realizmi i Coelhos është realizëm specifik
i dyzuar me realizmin e Markezit dhe
realizmin fantazmagorik të Franc Kafkës
. Kësaj përvoje ai i ka shtuar edhe
njohuritë e tij nga psikoanaliza bashkëkohore dhe rrymat deri dikur dekadente
letrare të botës sot. Pavarësisht vlerësimeve superlative të kritikës letrare
për shumicën e veprave të këtij shkrimtari, (dhjetë nga këto të përkthyera deri
tani edhe në gjuhën shqipe), mendoj se Coelho
nuk e arrin dot Markezin, Dostojevskin dhe gjithsesi  jo Tolstoin.
Megjithatë ai vazhdon të jetë
njëri ndër shkrimtarët më të lexuar të botës, dhe kjo është dëshmi se kemi të
bëjmë me një krijues gjenial, në kohën kur letërsia bashkëkohore nuk ka më emra
të mirënjohur sikur kishte në shekullin 19 dhe 20.

 

Romani:
“Shkelja e kurorës” sfida dhe deformimi i vlerave morale

 

Shkrimtari brazilian, Paulo Coelho në këtë roman ka zgjedhur
një temë delikate dhe mjaft të përhapur të shoqërisë së sotme bashkëkohore, në
kohë kur vlerat tradicionale, morale,  fetare,
janë dobësuar dhe dita-ditës  po
dobësohen dhe po katandisen. Adulteria,
njëra prej pesë ndalesave të Hyjit
, transmetuar përmes profetit Mojsi, tani
në tërë vendet e botës, ku më shumë e ku më pak, ka pësuar degradim dhe nivelin
më të ulët të respektimit. Pikërisht nga kurorë-thyerja njerëzimi po
ballafaqohet me një fenomen që po e shpie drejt degradimit dhe luhatjes së vlerave
themelore të familjes bashkëkohore. 

Trajtimi i kësaj teme nga Coelho ka disa relacione
të njëjta për nga tematika  me romanin “Ringjallja” të Leon Tostoit, por edhe
kundrime të ndryshme mbi botën, njeriun, moralin e kurorë-thyerjen.  Përderisa Tostoi, një shkrimtar besnik i
traditës biblike dhe i humanizmit njerëzor, arrin  në përfundim se thyerja e kurorës, jo vetëm
që është një shkelje e rëndë e ligjeve të Hyjit, dhe ajo nuk mund të
përmirësohet me asnjë mirësi, me asnjë veprim, që mund të pretendohet si human.
Fisniku, Dmitrij Nekludov, në romanin “Ringjallja”  kishte një dashuri të ndaluar me shërbëtoren, Katerina
 Maslova, dashuri që bëhet shkak për
shthurjen tragjike të jetës së saj. Nekludovi, i cili ia kishte shkaktuar  fatkeqësinë, do të mundohet me të gjitha
veprimet ta ndihmojë, duke pranuar mëkatin që kishte bërë, por nuk arrin ta
ndryshojë jetën e Katerinës, e cila përfundon me burg të përjetshëm, në Sibir.
Tolstoi me këtë roman kishte dënuar ashpër hipokrizinë dhe moralin e prishur të
shoqërisë ruse të kohës, duke e fajësuar për krimet dhe tragjeditë njerëzore që
kishte shkaktuar e shkaktonte.

Coelho në romanin e tij të fundit, “Shkelja e kurorës”, një shekull e më
shumë pas Tolstoit paraqet një kundrim ndryshe të realitetit me këtë temë. Ai
përmes, Lindës, një gazetare zvicerane, na parqet kurorë-thyerjen si instinkt,
si provë e  ngrënies së  “mollës së ndaluar”  si dëshirë dhe pretendim për të vajtur më tej,
për të thyer pengesat tradicionale, fetare e biblike. Përderisa Katerina e
“Ringjalljes”, bie pre e epshit të një fisniku dhe pëson me jetë, Linda e
Koelhos është një femër mondane, e cila i ka realizuar në jetë të gjitha të
mirat, burrin  e pasur dhe me pozitë
shoqërore, fëmijët, statusin e mirë në punë, por nuk është e kënaqur me rutinën
e jetës dhe me pengesat që paraqet kurora. Ajo tradhton burrin, duke iu dhënë
një shoku të kohës së fëmijërisë, Jakobit, politikan i njohur. Më vonë i tregon
 burrit për thyerjen e kurorës dhe nuk
pushon veprimin e lig të saj  deri në
fund. Pavarësisht të gjithave, burri e fal dhe ajo sërish kthehet në jetën e
rëndomtë, në punët e përditshme.

Përderisa te romani i Tostoit, sikur ka ndodhur dhe
ndodh rëndom, kurorë-thyerja ndëshkohet, 
te Coelho, ajo mbetet krejt e pandëshkuar. E vetmja e ndëshkuar në këtë
mes është gruaja e Jakobit, e cila padrejtësisht poshtërohet publikisht nga
Linda, që kishte shkaktuar kurorë-thyerjen dhe nuk ishte penduar për skandalin
as i kishte kërkuar falje.

Kundruar realisht, Coelho, në ndërtimin e romanit të
tij  bazohet në realitetin aktual të
shoqërisë njerëzore, sidomos asaj bote në perëndim ku vlerat morale po
përjetojnë një degdisje dhe katrahurë të vërtetë. Ai nuk merr qëndrim të prerë
për ta dënuar kurorë-thyerjen, përkundrazi, krejt drama mbaron, madje pa  kërkim faljeje, por me një kthesë “morale” të
Lindes, e cila më në fund, bëhet sikur pendohet, pikërisht në natën e vitit të
ri duke përfillur ritet e krishtera 
tradicionale…

Shkrimtari brazilian, ka analizuar për mrekulli
faktorët fetarë, njerëzorë, shoqërorë, që mbretërojnë në jetën moderne,
kapitaliste, evropiane dhe që dita ditës po shkojnë drejt degradimit, drejt
shthurjes së familjes tradicionale,  drejt katandisjes morale, e cila ka prekur
madje edhe Vatikanin dhe qendrat fetare botërore. Si shkrimtar, ai ka prekur
fenomenin, e ka trajtuar,  njëjtë sikur e
trajton bota kapitaliste-ateiste, ndërsa nuk është rezervuar ta shpreh
mesazhin, në duket krejt indiferent karshi këtij fenomeni. Më duket se
shkrimtari një kohë të gjatë është gjetur para dilemës morale dhe duke qenë vrojtues
i thellë i jetës dhe fenomeneve jetësore, ai duket se edhe arsyeton
kurorë-thyerjen. Kthesa që bën më në fund Linda, e cila pasi provon anën më të
errët të jetës, nuk duket e motivuar për t ‘ u penduar, është zgjidhje e
kompromisit nga ana e shkrimtarit. Ai, thjesht nuk dënon kurorë-thyerjen. “Nuk po përpiqem ta arsyetoj shkeljen e
kurorës, kërkova të vërtetën dhe e gjeta. Shpresoj që të jetë kështu për të
gjithë ata që kanë pasur, një përvojë të tillë. Jeta na mëson mijëra raste për
të mësuar. Ky duhet të jetë objektivi ynë në këtë botë…
vepra faqe 341.

 

Mendoj se zgjidhja e veprimit në roman  nuk mirëpritet 
nga shumë lexues, sidomos jo  nga
një shkrimtar i madh si  Coelho. Por
qëllimi i autorit është  pajtimi me
realitetin, të cilin, sipas tij nuk e drejtojmë vetë, dhe për këtë shkak nuk
kemi edhe përse të brengosemi. Megjithatë, brengat e njerëzimit po shtohen dita
ditës. Mospërfillja, apo përfillja sipërfaqësore e pesë urdhëresave dhe pesë
ndalesave të Hyjit, doemos se shpie në degjenerim dhe degradim të moralit fetar
e njerëzor.

Kontrolloni gjithashtu

Posta e Kosovës ka emërtuar pullën postare me portretet e heronjve ë kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu në 29 vjetorin e rënies

Mehmet Bislimi: Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu

 (në 35 vjetorin e rënies së tyre heroike) Sa herë që vjen nëntori, malli më …