A. Qeriqi: Kultura shqiptare në Kosovë përballë hegjemonizmit kulturor serb e jugosllav IV


(Adem Demaçi, ideologu i çlirimit dhe i bashkimit,
shkrimtari  dhe intelektuali më i
merituar i kohës sonë)

 

Përderisa në Kosovë pati shkrimtarë që mbështetën
orientimin ideologjik të Lidhjes Komuniste Jugosllave, idenë e patriotizmit dhe
kozmopolitizmit jugosllav, pati edhe disa oportunistë të cilët bënë përpjekje
që në krijimtari të dalin nga suazat ideopolitike të ditës, Adem Demaçi ishte
dhe mbeti i vetmi shkrimtar i Kosovës i cili tërë krijimtarinë e tij e drejtoi
në shërbim të kombit dhe kundër politikës hegjemoniste jugosllave. Veprimtari a
tij krijuese në tregime, poezi, roman, dramë, publicistikë,  është krejtësisht e veçantë sa i përket
qasjes ndaj problemeve ekzistenciale të shqiptarëve nën robërinë jugosllave.
Derisa, Esad Mekuli do të shkruante një poezi për Titon apo revolucionin
jugosllav, për t’i botuar pastaj dhjetë poezi me përmbajtje sociale, Adem
Demaçi nuk shkroi as edhe një varg të vetëm, as një tregim apo novelë të vetme
ku do të lavdërohej regjimi. Ai ishte nisur në një rrugë tjetër, në rrugën plot
rreziqe e sfida drejt çlirimit dhe bashkimit të shqiptarëve.

 

Jemi mësuar që Demaçin, me të drejtë ta vlerësojmë
në radhë të parë si Simbolin e gjallë të Rezistencës Kombëtare, shqiptarin e
pathyeshëm dhe më meritorin ndër të gjallët për lirinë e Kosovës. Jemi mësuar
tashmë me  paraqitjet e tij realiste,
qëndrimet e tij të drejta, shpeshherë të ashpra, por gjithherë  të vërteta, të shëndosha, të pastra  dhe pa paragjykime.

 

Të rrallë janë ata shqiptarë, që duke përcjellë
paraqitjet e tij në opinion nuk kanë pyetur, se ku e merr tërë atë energji ky
kalorës i fjalës dhe i mendimit të lirë? Çuditërisht, Demaçi ka manifestuar dhe
manifeston një energji të brendshme e të thellë shpirtërore, e cila e ka përcjellë
gjatë tërë jetës, në trajtën e një 
dhuntie hyjnore, si virtyt universal, si fenomen i llojit të vet. Tash
në moshën 77-vjeçare, Demaçi, në botën e tij të pasur me energji krijuese e
meditative, duket se është po ai i moshës rinore. Gjithnjë  energjik, i paepur, i sinqertë por edhe i
ashpër, sipas momentit dhe rastit, kurdoherë i dashur për popullin, të cilit
shpeshherë ia qan hallin, duke ia kujtuar vuajtjet shekullore dhe duke ia
fshikulluar lehtë të metat e babëzitë. Dhe, duke e parë Demaçin si “homo
politicus” në njëfarë mënyre krijimtaria e tij letrare artistike ka mbetur nën
hijen e kësaj, edhe pse është krijimtari e thellë dhe e mirëfilltë artistike,
dhe tërësia e saj e deritanishme, nga të gjitha pikëpamjet ideore, artistike,
stilistike e gjuhësore, e radhit në “sofrën” e parë të krijuesve kombëtarë  e më gjerë. Tregimet, romanet dramat  e Adem Demaçit janë po aq të veçanta në
letërsinë tonë, sa është i veçantë edhe vetë autori, në jetën dhe disidencën
politike të tij.

 

Dikur shkrimtar i ndaluar dhe i persekutuar nga
regjimi jugosllav, Demaçi ka qenë shkrimtari më i lexuar për afër 30 vjet në
Kosovë e më gjerë, deri në vitet ‘90, kur u lirua nga burgu dhe kur vepra e tij
kishte filluar të ribotohej.

Ishte kështu, në një masë, ndoshta edhe për faktin
se veprat e tij ishin të ndaluara, por nuk është vetëm ky fakt, sikur
pretendojnë ta interpretojnë  disa
kritikë hileqarë dhe hipokritë. Tregimet e përmbledhjes “Kur Zoti harron”,
pastaj romani antologjik “Gjarpinjtë e gjakut”, romani “Libër për Vetë Mohimin”,
“Heli e Mimoza” “Tung, vargu im” “Dashuria kuantike e Filanit” dhe veprat e
tjera të përfshira në kompletin e botuar në vitin 2012,  përbëjnë një opus tërësisht origjinal
krijues, në të gjitha segmentet e krijimtarisë letrare, artistike.

Demaçi në letërsi ka ecur  me kohën. Ai ka filluar të shkruajë tregime
me temë sociale, pikërisht në akord me periudhën e vuajtjeve të mëdha dhe
katrahurës së varfërisë, që i kishte pllakosur shqiptarët, ndërsa në romanin,
“Dashuria Kuantike e Filanit” ai ka shkruar një roman modern, një roman të
personazhit, duke thyer klishetë e ndërtimit të romanit tradicional.

Përmbledhja me rrëfime “Kur Zoti harron” e autorit
të mirënjohur të letërsisë shqipe, Adem Demaçi, e botuar në vitin 1990
gjithsesi se është një vepër antologjike e prozës sonë, e cila kishte filluar
të krijohej në Kosovë në vitet 50 të shekullit të kaluar.

Po bëhen 61 vjet qyshkur Adem Demaçi e ka shkruar
tregimin e tij të parë, “Te xha Sakipi”, botuar asokohe në revistën letrare
“Jeta e re”. Dhe prej vitit 1953, kur u botua rrëfimi i tij i parë, në
historinë e Kosovës do të shquhej ky emër i veçantë, i cili do të bëhet i
njohur jo vetëm në Llap, ku kishte lindur apo në Prishtinë ku ishte rritur,
shkolluar dhe frymëzuar, por ky emër i veçantë dhe shumë meritor i kombit tonë
do të bëhet shumë i njohur për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm për ta.  Rrëfimet e shkruara nga Adem Demaçi në vitet
50 të shekullit XX shënojnë fillimin e prozës realiste shoqërore në Kosovë, e cila
burim frymëzimi kishte fatin e katandisur të shqiptarit të trojeve të robëruara
të atdheut. Ashtu si dikur Migjeni, Nonda Bulka, Sterjo Spasse, Karl Gurakuqi,
Demaçi e fillon krijimtarinë e vet letrare e artistike duke marrë pozicion
realist, meqë në shpirtin e tij të ndjeshëm, më vonë revolucionar, ai do të
brumoset me idealet e shenjta të çlirimit, për të mos u pajtuar kurrë me
dhunën, robërinë, shfrytëzimin dhe denigrimin.

E shihte, e ndiente dhe e përjetonte rëndë
pabarazinë shoqërore, e cila kishte goditur në radhë të parë shqiptarët. Dhe
pikërisht këtu ai do të ndalej, jo vetëm për të menduar e për të konstatuar,
por edhe për të vepruar fillimisht duke shkruar rrëfime, duke nxjerrë në
sipërfaqe shembuj konkretë, të veshur me petkun dhe metodat shprehëse të
letërsisë, e më vonë duke hartuar edhe plane e duke bërë organizime për
rezistencë, liri dhe bashkim kombëtar.

 

Rrëfimi antologjik “Kur Zoti harron”

 

Tregimi i tij antologjik, “Kur Zoti harron” i botuar
në vitin 1954 në revistën letrare “Jeta e re” ishte më shumë se një akuzë e
rëndë shoqërore drejtuar jo vetëm rendit shtypës, por edhe mungesës së shprehur
të solidarësisë njerëzore për ata që vuanin dhe vdisnin duke u përballur me
skamjen e mjerimin.

Në këtë rrëfim dramatik, rrëqethës e tragjik, Demaçi
ka sintetizuar historinë e shqiptarit të nëpërkëmbur brez pas brezi. Është fati
i njeriut të lënë në mëshirë të kohës, të cilin e kanë harruar të afërmit,
shoqëria, të gjithë, e ndoshta edhe vetë Zoti. Duke mos përjashtuar Migjenin,
nuk ka në letërsinë shqipe një tregim tjetër, i cili pasqyron aq thellë
realitetin makabër të njeriut të nëpërkëmbur. Vetëm te Dostojevski, Mopasani,
Çehovi apo Gogoli hasim në rrëfime të tilla, tronditëse.

Përshkrimi i fatalitetit të tillë, i frymëzuar nga
realiteti faktik, doemos se nga shkrimtari ishte menduar për të qenë protestë
letrare, në dukje e heshtur, por e temperuar për të goditur në një kohë të
caktuar, në një kohë të volitshme. Demaçi dinte për çka shkruante dhe dinte çka
donte. Andaj edhe i mbeti besnik Atdheut dhe vetvetes.

Të tilla për nga përmbajtja janë edhe rrëfimet: “Një
natë Bajrami”, “Vegjëtarja në treg”, “Llustraxhiu”, e sidomos “Pizh Magjupi” që
është një rrëfim tjetër antologjik, i frymëzuar me ndjenja të larta fisnike dhe
njerëzore, për të gjithë njerëzit e vuajtur pa dallim kombi, feje apo race….
Demaçi, përmes këtyre rrëfimeve kishte depërtuar thellë në paraqitjen lakuriq
të realitetit.

Për dallim nga Migjeni i cili hapur kishte
manifestuar zërin kryengritës, Demaçi rezervohet nga tonet e tilla, i
vetëdijshëm se rrëfimet diskrete migjeniane nuk do të shihnin dritë.

Dhe për të parë dritë rrëfimet e tilla, të cilat
kanë ngelur si vula më autentike e një kohe, ai zgjodhi rrugën autentike të
përshkrimit. Tregimi “Kur Zoti harron” jo vetëm ngjall zemërim e mllef kundër
pushtetit antipopullor por ngjall edhe mëshirë humane te njerëzit, me qëllim
për të ndihmuar të afërmit dhe skamnorët, me qëllim për të mos anashkaluar ata,
sepse epilogu i lënies anash është tejet tronditës.

Në këto rrëfime, në dukje fragmentare Demaçi ndërton
filozofinë e tij kryengritëse, duke bërë përshkrime të një realiteti makabër,
ku ishte nëpërkëmbur njeriu deri në nivelin më brutal dhe më çnjerëzor, ku
ishin shkelur të drejtat elementare për ekzistencë.

Në të gjitha rrëfimet e veta Demaçi ka hartuar me
një kujdes të veçantë sidomos në perceptimin e realitetit, duke e pasqyruar
rrëfimin në këndin epik dhe tragjik, në trashëgiminë jetike të varfërisë, duke
u rezervuar nga manifestimi i kritikës diskrete kundër regjimit, e cila
zakonisht sillte pasoja, e pak më vonë do t i sjellë pasoja edhe vetë autorit.

Në rrëfimet e mëvonshme për vetveten, në mbrojtjen e
tij para gjyqeve, Demaçi ka treguar dhe ka pranuar se dhuna që është ushtruar
kundër shqiptarëve, nga regjimi titist, sidomos aksioni i dëbimit të tyre për
në Turqi, aksioni armëve i vitit 1956, i kanë mbetur në kujtesë si veprime
tejet të shëmtuara, antishqiptare dhe pikërisht për këtë ai do ta marrë rolin e
opozitarit dhe të kundërshtarit të fuqishëm të regjimit.

Edhe pse të thjeshta në dukje dhe në ndërtim,
rrëfimet me temë shoqërore të Demaçit janë shumë të arrira në të gjitha
aspektet. Me përmbajtjen e rrëfimeve sikur janë” “Kur Zoti harron” “Burrëria”,
“Toka nuk sillet vetëm rreth boshtit të vet” etj. mund të shkruhen novela të
gjata, romane, drama dhe mund të bëhen filma të shkëlqyeshëm artistikë.

20 tregimet e para të Adem Demaçit kanë ndikuar në
publikun lexues të kohës më shumë se veprat e 20 shkrimtarëve dhe rrëfimtarëve
të tjerë të cilët burim frymëzimi kishin “jetën e re” në Jugosllavinë e Titos.

Për të pasqyruar në tërësi ndikimin që ushtroi
Demaçi pothuajse i vetëm në krahasimin me bashkëkohësit, duhet të shfletojmë
shtypin e kohës dhe të zbulojmë sesi në këtë kohë të vuajtjeve të rënda për
shqiptarët, zëdhënësit dhe skribët besnikë të regjimit pasqyronin realitetin e
imagjinuar të jetës në harmoni dhe begati, por në asnjë mënyrë realitetin
faktik. Tregime me një përmbajtje të tillë sociale pak kush shkruante në
Kosovë. Në kohën kur Demaçi shkruante e botonte tregime sociale, falë edhe
shkrimtarit Esad Mekuli i cili pati guxim për t i publikuat ato, shkrimtarë e
tjerë shkruan për bashkim vëllazërimin, për Titon e Fadil Hoxhën, për “rrushin
që kishte fillue me u pjekë” e për pranverën e socializmit e cila ishte vonuar,
për “fëmijët fatkëqij të lumit tim” e për “njerëzit” që kishin mbetur në veriga
të fatit, disa madje thurnin himne për Sutjeskën e Kozarën, për legjendat partizane
jugosllave, për Sava Kovaçqviqin e për kovaçë të tjerë të përbashkësisë
jugosllave. Demaçi nuk shkroi as një tregim të tillë, madje asnjë varg të
tillë. Cili shkrimtar apo poet tjetër në vitet 50-60 nuk ka shkruar për bashkim
vëllazërimin? Mendoj asnjë. Cili prej atyre poetëve njohur  për mbështetje të regjimit, prej Ali Podrimes
e deri te ata që kanë shkruar e botuar qoftë edhe vetëm një tufë poezish, nuk
ka shkruar një poezi apo tregim për Titon e bashkim-vëllazërimin?

Demaçi, ishte bota tjetër, bota ndryshe, që ishte
nisur në rrugën plot pengesa të historisë, për ta realizuar qëllimin e tij të
vetëm jetësor, çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Adem LUSHAJ: Rrugëtim Kombëtar: Promovimi i Historisë së Kosovës në Shtetet e Bashkuara te Amerikës

“Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit” dhe “Manastiri i Deçanit dhe Pronat Shoqërore …