Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: Përpjekjet për rehabilitimin e të komprometuarve dhe margjinalizimi i patriotëve idealistë e të përkushtuar

 Kur lexon njeriu njërin prej filozofëve më të shquar, Fridrih Niçen dhe rëndësinë që ju kushton vlerave dhe jovlerave, të bëhet sikur ka shkruar ekskluzivisht për kombin e shtetin tonë. Të bëhet sikur ai po jeton mes nesh ndonëse nga vitit 1889 nuk ka shkruar asgjë ndërsa në vitin 1900 pushon së rrahuri zemra e tij. Niçeja në mes tjerash ngreh shqetësimin për fatin që e pret një shoqëri nëse vlerëson e çmon jo vlerat ndërsa injoron e përbuzë vlerat. E kjo është duke ndodhur në vendin tonë dekada me radhë! Lartësohen të komprometuarit, të kontestuarit, … dhe margjinalizohen, përbuzen e nënvlerësohen më meritoret, ndonëse qëndruan gjithnjë vertikalisht, përball çdo sfide e stuhie.

   Ka kohë që para opinionit në Kosovë është duke u zhvilluar një debat për Xhafer Deven, për të cilin po shpalosen dy vlerësime që e përjashtojnë njëra tjetrën. Duke paraqitur vlerësime pro e kontra, është ndërtuar një opinion sipas të cilit gjatë Luftës së Dytë Botërore e pak vite më pas, në Kosovë kanë qenë vetëm dy forca ushtarake e politike, komunistët në njërën anë dhe bashkëpunëtorët e nazi – fashistëve në anën tjetër. Kjo qasje po bën që gjërat të shihen bardhë e zi. Ama çudi pse heshtet e nuk flitet edhe për një formacion tjetër ushtarako –politik – Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare, të njohur në kujtesën popullore si NDSH. E themi në kujtesën popullore sepse historia e ka përjashtuar nga librat e saj për një kohë të gjatë, ndonëse ka qenë forca më e brumosur me vlera atdhetare, kombëtare, humane e demokratike!!! Por jo vetëm kaq! Ishte edhe forca më vizionare dhe që kultivonte vlera që mahnitesh edhe sot kur i analizon. Por ja që për këtë forcë politiko-ushtarake, nuk flitet sikur e meriton, as sot e kësaj dite!

   Drejtuesit e Lëvizjes Demokratike Shqiptare, Ajet Gërguri, Gjon Serreçi, Ymer Berisha, Mulla Idriz Gjilani, Kadri Beba, Sali Rexha, Azem Bellaqevci, Osman Bunjaku, Shyt Mareci, Marie Shllaku, Ahmet Selaci, Jetullah Zabeli, e qindra e mijëra të tjerë, me kohë kishin vërejtur komprometimi që iu ishte bërë përpjekjeve për bashkim kombëtar që kishin bashkëpunuar me nazi-fashizmin ndërkohë që vërejnë edhe retë e zeza që po i ofroheshin atdheut nga fuqizimi i komunizmit. Në rrethana të tilla, ata vendosin të krijojnë një lëvizje politiko-ushtarake që nuk është as nazi-fashiste e as komuniste por me identitet të qartë kombëtar dhe me vlera euro – atlantike.

Ndërkohë, krijojnë distancë sa më të madhe nga nazi-fashizmi në njërën anë dhe komunizmi në anën tjetër, pasi me të drejt kishin vlerësuar se të dyja këto ideologji janë të dëmshme për kombin e atdheun dhe me pasoja fatale, gjë që u dëshmua katërcipërisht.

Nga hulumtimet e studimet  që ka bërë për Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare, studiuesi, Ahmet Qeriqi ( është studiuesi i parë që ka mbledhur të dhëna të pakontestueshme për këtë Lëvizje dhe ka bërë shkrimet e para, qysh gjatë viteve të ’90-ta, kur shumë të tjerë bënin strucin përball së vërtetës për NDSH ) mësojmë se drejtuesit e NDSH e kanë thënë botërisht se nuk janë as forcë nazi – fashiste e as komuniste por Lëvizje Nacionaliste që synon rrënimin e regjimit Jugosllav dhe realizmin e idealit të heronjve e dëshmorëve të kombit – ndërtimin e Shqipërisë etnike! Nga shkrimet e studiuesit të përkushtuar të NDSH-së, Ahmet Qeriqi, mësojmë se gjatë procesit gjyqësor në Prishtinë, ideologu i kësaj Lëvizje, Gjon Serreqi, i artikulon në mënyrën më të mirë të mundshme objektivat e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare. Duke shpalosur programin politik të NDSH-së, para prokurorisë e trupit gjykues, biri më i shquar i Shqipërisë së asaj kohe, Gjon Serreqi përgjigjet:

 “Kam thënë se duhet të formohet Organizata dhe se kjo nuk është organizatë balliste, por është Organizatë Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike duke e bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë, me rendin që do ta krijonim ne. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë: Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta….

Pas një hulumtimi të gjatë e të përkushtuar, studiuesi, Ahmet Qeriqi konstaton se “Këto fjalë të Gjon Serreçit, të shkoqitura nga proces-verbali i gjykimit janë alfa dhe omega e NDSH-së, është brumi dhe historia e saj e realizuar në luftën e UÇK-së me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anglisë dhe forcave çlirimtare në malet e Kosovës në vitet 1998-1999”. ( A.Q).

   Për rolin dhe kontributin e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, pas luftës kanë filluar të merren e të botojnë edhe studiues të tjerë por janë edhe disa dimensione tjera që kanë karakterizuar këtë Lëvizje, veçori që nuk kam hasur ndonjë studim që flet për to.

   Është interesant se shumë anëtar të kësaj Lëvizje, kanë angazhuar në luftë edhe bijë të tyre ( Kadri Beba, të birin – Mustafen, Sali Rexha, djalin Rexhepin, Islam Domaneku, të birin Mustafen, Januz Bajçinca, të bijtë Ruzhdiun e Nebihun, e shembuj të tjerë!). Bijtë e tyre tregojnë se gjatë ballafaqimit në luftime të ashpra, sa të ishte e mundur, etërit kursenin bijtë e tyre që edhe nëse ata vriteshin, lufta të vazhdonte tutje nga bijtë. Në shikim të parë, duket se ky veprim është nxitur nga motivi prindëror por nëse e analizojmë më thellë, e shohim se kemi të bëjmë me motiv liridashës, kombëtar e atdhetar. E themi këtë sepse jeta e bijve të tyre do të kursehej më së miri sikur ata të mos i angazhonin në formacionet e armatosura por t’i lenin te shtëpia ashtu sikur jetonin me mijëra të tjerë. Duket se ishte një motiv krejt tjetër, një motiv që të mahnitë me ndjenjat e këtyre liridashësve për komb e atdhe. Nga bisedat e zhvilluara me bijtë e kësaj plejade liridashëse, kam mësuar tregime të shumta të tyre. Me dhjetëra herë kam dëgjuar nga familjarët se si ajka e kësaj plejade ju ka thënë bijve të tyre: Ne nuk do ta shijojmë çlirimin e vendit sepse komunizmi sa po vije e po fuqizohet ndërkohë që nazi-fashizmi i ka sjell shumë të këqija njerëzimit. Ne nuk do të arrijmë ta mundim komunizmin por ju luftën duhet ta vazhdoni në rrethana të reja që po krijohen dhe të mos e ndalni për asnjë çast, derisa të bëhet Shqipëria etnike, ashtu sikur e deshën heronjtë dhe dëshmorët e saj.

Mbase plejada e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, ishin edhe pedagogët më të mirë për kultivimin e ndjenjës së atdhedashurisë sepse nuk i edukuan bijtë e tyre me llafe e ligjërata por me vepra e luftë konkrete, duke derdhe djers për të hapur bunkerë e transhe të vijave të frontit, duke derdhur gjak e kuruar plagët e luftës e duke parë trimat e mëmëdheut se si për atdhe vdekjen e bëjnë së me le! Është fascinuese kjo mënyrë e edukimit të tyre. S’besoj se ta ketë lexuar asnjë prej tyre librin “Shteti” të filozofit Platon. Në këtë libër ai këshillon që gjeneratat e vjetra duhet të marrin në luftë edhe gjenerata të reja, pra baballarët bijtë e tyre, që të familjarizohen me luftën, të ballafaqohen me friken nga vdekja dhe të kaliten për të përballuar sfida të shumta!

Por jo vetëm kaq!

   Plejada e Lëvizjes Nacional Demokratike kishte një mendësi dukshëm më të avancuar se sa pjesa dërmuese e kombit shqiptar, sidomos pjesa e mbetur jashtë Shqipërisë londineze. Ndonëse pesha, vlera e njeriut, burrit, zakonisht përcaktohej nga mosha, kjo nuk vlente për ta. Ndonëse shumica e tyre ishin afër moshës 60 – 70 vjeçare, në krye të tyre ata vunë jo një bashkëmoshatar por një të ri që për nga vitet mund të ishte edhe djalë i tyre, 26 vjeçarin, Gjon Serreqi. Përveç kësaj, ndonëse shumica dërmuese e anëtarëve të Lëvizjes Nacional Demokratike të Shqiptare ishin mysliman, këta në ballë të tyre vendosën birin dhe vëllaun e tyre për nga gjaku e ideali, Gjon Serreçin, i cili kërkesat e tyre i artikuloi në mënyrën më të mirë të mundshme dhe duke i thënë qartë dhe troç, para shqiptarvrasësve e shqipfolësve shpirt shitur gjatë seancës gjyqësore në Prishtinë:

  “Kam thënë se duhet të formohet Organizata dhe se kjo nuk është organizatë balliste, por është Organizatë Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike duke e bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë, me rendin që do ta krijonim ne. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë: Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta…. ( Gjon Serreqi)

Gjysmë shekulli më vonë, më 1997, ndodhin dy nga ngjarje të jashtëzakonshme që do të ndryshonin rrjedhën e historisë. Protestat e studentëve të cilat do të ballafaqohen me forcat policore serbe pikërisht pranë vendit të quajtur “Strelishte” të lagjes “Tauk Bahçe” pikërisht në vendin ku 50 vite më parë ishin pushkatuar, Gjon Serreqi, Ajet Gërguri, Kadri Beba, Osman Bunjaku, Shemsi Mramori e qindra dëshmorë të tjerë!

  Pak muaj më vonë, njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fund nëntorin e vitit 1997, të udhëhequr nga komandanti e kryetrimi i Kosovës, Adem Jashari, fjalë pak e punë shumë, do të zhvillojnë luftime të ashpra me një kolonë me mjete të blinduara të forcave shqiptar vrasëse që ishin nisur në një inkursion ndëshkues për në fshatra të Drenicës dhe ndonëse dukshëm më të armatosura e më të shumta në numër, ikin nga syt këmbët nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila po fitonte terren dita ditës dhe dy vite më vonë, nga ndihma e pakursyer ajrore, kryesisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Anglisë, arrijnë ta çlirojnë Kosovën, saktësisht sikur e kishte thënë para xhelatëve, Gjon Serreqi, gjysmë shekulli më parë.

   E është për keqardhje që aty ku u pushkatuan ajka e atdhetarisë shqiptare, në vendin “Strelishte” në lagjen “Tauk Bahqe” nuk ka as edhe një shenjë apo pllakë përkujtimore për të shënuar emrat e tyre, që për lirinë e kombit e atdheut dhanë gjithë çka që patën, djersën, pasurinë, gjakun, familjen, jetën – pa pritur e as marr  asnjë kompensim!

   Dhe kur kujton kontributin e tyre në njërën anë dhe mos vlerësimin meritor në anën tjetër, nuk ka se si të mos vijnë në mendje vargjet e Nolit kushtuar Luigj Gurakuqit:

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,

Me tre plumba na i ranë,

Na e vran’ e na e shanë,

Na i thanë trathëtor…

Nëno moj, m’a qaj në Vlorë

Ku të dha liri, kurorë,

Shpirt i bardhë si dëborë;

Ti s’i dhe as varr për hor.

   Të gjithë këta janë dënuar në emër të popullit sikur të ishin tradhtar (!) janë ndëshkuar me dënime kapitale-me vdekje, të gjithë këta janë vrarë me breshëri plumbash – pushkatim, të gjithë këta krejt pasurinë e tyre e shpenzuan për komb e atdhe, dhe të gjithë këta nuk kanë as sot e kësaj ditë një përmendore ku mund të vendosen kurora lulesh në përkujtim të jetës dhe veprës së tyre liridashëse!!!

   Dhe kur kujton debatin e ndezur gjatë ditëve të fundit lidhur ruajtjen dhe meremetimin e shtëpisë së Xhafer Deves, nuk ka se si të mos vije në mendje pyetja se përse Qeveria Kurti ka buxhet për ndarjen e qindra mijëra eurove për atë shtëpi por jo edhe për të ngritur një përmendore në Tauk Bahçe!?, ku janë vrarë shumë liridashës të kombit e atdheut e që nuk ishin as fashist e as komunist por nacionalist idealist të dëshmuar e të pa komprometuar!?

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …