Fatmir Graiqevci

Fatmir Graiçevci: Pesë leksione të LNDSH-së për dashurinë për atdheun, kombin, lirinë, bashkimin dhe mirëqenien e tyre

   Njëra nga lëvizjet shembullore përgjatë historisë së kombit tonë në luftën e tij për atdhe, komb, liri, bashkim e përparim, është edhe Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare. Kjo lëvizje politiko – ushtarake, na ka dhënë mësime të shumta se si duhet luftuar për lirinë e kombit e të vatanit si dhe për unifikimin dhe përparimin e tyre. Mbase këto mësime janë edhe shkaku i dënimit të drejtuesve të kësaj lëvizje politiko – ushtarake me ndëshkim maksimal – dënim me vdekje – pushkatim. Çka është edhe më e dhimbshmja, shumica prej tyre, jo vetëm që u pushkatuan por edhe u varrosen pa shenjë e pa nishan. Por urrejtja e regjimit titist – rakoviqist, nuk u mjaftua me këtë ndëshkim e dënim kapital, por vazhduan edhe më tutje – me trajtimin çnjerëzor të familjeve të tyre, edhe pas përfundimit të luftës së ashtuquajtur – nacional çlirimtare!!!

   Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, e njohur në kujtesën popullore si NDSH, u ngjiz gjatë viteve të luftës së dytë botërore nga atdhetar të dëshmuar, sikur ishin, i riu vizionar, Gjon Serreqi, veprimtarët patriot, Ajet Gërguri e Ymer Berisha, Kadri Beba e Sali Rexha, Osman Bunjaku e Azem Jashanica, e qindra liridashës të tjerë të kombit e të atdheut. E përbashkëta e tyre ishte se asgjë nuk donin më shumë se realizimin e ëndrrës shekullore të heronjve e dëshmorëve të kombit përgjatë shekujve – bërjen e Shqipërisë etnike. Dhe për ta bërë këtë, brezi i heronjve dhe dëshmorëve të kombit që krijuan Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare, me jetën dhe veprën e tyre dëshmuan se alfa dhe omega e jetës së tyre është mirëqenia e kombit dhe atdheut.

   Leksioni i parë 

   Ndonëse shumica e drejtuesve dhe veprimtarëve të NDSH-së ishin shqiptar mysliman, këta vendosën që atyre të ju prijë, vëllau i tyre i krishter, Gjon Serreqi. Kjo zgjedhje e tyre është mishërim dhe realizimi më mirë i kërkesës së nacionalistit dhe atdhetarit të shquar, rilindasit dhe vizionarit Pashko Vasa. Duket se vendimi i drejtuesve të NDSH-së që në ballë të tyre të jetë i riu, Gjon Serreqi, është mishërimi më i mirë i porosisë tejet vizionare e kuptimplote të Pashko Vasës. Në poezinë e tij kumptimplote “O moj Shqypni”, mbase i shqetësuar nga mundësia reale e përçarjes së botës shqiptare në baza fetare, shkrimtari dhe poeti, Pashk Vasa, mes tjerash porosiste:

Mos shihni kisha e xhamija

Se feja e shqiptarit është shqiptaria!

Ngjarjet e zhvilluara më pastaj, do ta dëshmojnë se asgjë nuk kishte më shumë rëndësi për patriotin e liridashësin, Gjon Serreqi, se sa liria e kombit dhe atdheut dhe se alfa dhe omega e jetës së tij ishte çlirimi dhe bashkimi i kombit në një shtet të vetëm, ashtu sikur jetojnë kombet e lira e të qytetëruara, anekënd botës.

 Leksioni i dytë 

   Ndonëse afër një shekull më parë, ishte në traditën e kulturës sonë që në krye të vendit zakonisht të vendosen njerëzit më të vjetër, për hir të moshës së tyre, Lëvizja Nacional Demokratike bëri diferencën! Në krye të saj, ata vendosën më të riun nga mesi i tyre, vizionarin Gjon Serreqin ( 1920 – 1947 ). NDSH-ja sikur na dha porosinë më të mirë se kriter për ta vendosur në krye të kombit e të atdheut nuk duhet të jetë mosha e liderit por vizioni dhe dashuria e tij për lirinë, bashkimin dhe përparimin e kombit e të atdheut. Ngjarjet e zhvilluara gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe disa vite mëpastaj, dëshmuan katërçipërisht se drejtuesit e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, kishin bërë zgjedhjen më të mirë duke na dhënë njëherit edhe mësimin më të mirë – se prijës të tyre kishin zgjedhur një vizionar të jashtëzakonshëm Ngjarjet e zhvilluara më pastaj, do ta dëshmojnë se Gjoni meritoj të jetë prijës i kësaj organizate politiko – ushtarake sepse ishte vizionar i rrallë në botën shqiptare. Por jo vetëm kaq. Gjatë procesit gjyqësor, liridashësi vizionar Gjon Serreqi dëshmoi se asgjë nuk pa pasur më shumë vlerë për të se sa liria e kombit dhe vatanit dhe bashkimi i tij në një shtet të vetëm, ashtu sikur jetojnë popujt e lirë, anekënd botës. Ai ju qëndroj besnik idealeve të tij edhe përball vdekjes. Në fjalën e tij para trupit gjykues, ai me vendosmëri do të deklaron:

Kam thënë se duhet të formohet Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe krijimin e Shqipërisë etnike duke ia bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, me rendin që do ta krijonim ne. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë: Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta… 

  Dhe çuditërisht, 50 vite më vonë, ngjarjet në Kosovë zhvillohen ashtu sikur e kishte parashikuar Gjon Serreqi, gjysmë shekulli më parë. Kosova çlirohet nga lufta çlirimtare e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovën, e ndihmuar nga NATO, e ndikuar kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglia!

   Atdhetari vizionar, Gjon Serreqi, pushkatohet në vitin 1947 dhe pas gjysmë shekulli, Kosova do të çlirohej ashtu sikur e kishte menduar ai çlirimin e saj!!!

   Leksioni i tretë 

  Drejtuesit e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare dhanë edhe një mësim tjetër – atë të bartjes së atdhedashurisë dhe gatishmërisë për flijim për komb e vatan, nga gjeneratat e vjetra, të ato më të reja. Shumica prej tyre, përveç që lufton vet me armë në dorë kundër ripushtimit të Kosovës nga Serbia – Jugosllavia, ata morën afër vetit edhe bijtë dhe nipat e tyre, edhe pse me raste, ata nuk kishin mbushur 18 vite. I tillë ishte shembulli i Kadri Bebës, me të birin 17 vjeçar, Mustafë Kadri Beba, Sali Rexha, me të birin, Rexhep Salihun, Fejzullah Saraçi me të birin Eminin, Januz Bajçinca, me të bijtë, Ruzhdiun dhe Nebihun, Islam Domaneku me djalin e vëllaut, Mustafen, e raste të tjera. Mbase kishte edhe një arsye tjetër se përse këta idealist e liridashës shembullor të lirisë së popullit e vatanit kishim marr pran vetes edhe bijtë dhe nipat e tyre, deri në realizimin e ëndrrës shekullore për çlirim dhe bashkim kombëtar.

   Leksioni i katërt  

   Nga bashkëbisedimi me pjesëmarrës të drejtpërdrejt dhe indirekt në beteja të armatosura, studiuesi impresionohet nga mënyra se si e kanë organizuar luftën drejtuesit e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare. Nga bisedat e tyre, mësohet se pjesëtarët më të vjetër të saj dhe ata më të sprovuar në beteja, qëndronin në istikamet e para ndërsa pjesëtarët më të rinj, në istikamet e dyta. Mbase ata donin që arti i luftës të mësohej avash avash nga luftëtarët e rinj, duke mos i ekspozuar ata menjëherë në vijën e parë të frontit, derisa ata të çelikoseshin me përvojën e luftës së armatosur. Kjo mënyrë e të mësuarit të artit të luftës, ta kujton librin “Shteti” të një prej filozofëve më të shquar të të gjitha kohrave – Platonit. Duek folur për luftën, ai na mëson se ushtarët më të vjetër dhe më me përvojë në luftëra, duhen të vendosen në vijën e parë të frontit ndërsa gjeneratat e reja të qëndrojnë afër tyre në mënyrë që të ambijentohen ngadal dal me rrethanat e luftës, që në të ardhmen të mos i kap paniku kur gjendet përball sulmeve të ashpra të armikut.

Leksioni i pestë 

  Mes leksioneve të shumta që kanë dhënë drejtuesit e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, është edhe ai i dashurisë së tyre të pafundme e të pamasë për komb e vatan. Kjo dashuri e tyre, ka bërë që pranë vetes, në betejat ku jeta e vdekja qëndronin pranë njëra tjetrës, t’i kenë edhe bijtë e tyre!!! Ata ishin plotësisht të vetëdijshëm se gjatë luftimeve mund të vriteshin edhe më të dashurit e tyre por për këta luftëtar të sprovuar e të dëshmuar të lirisë, mirëqenia e kombit dhe atdheut kishte më shumë rëndësi se sa jeta e tyre dhe familjeve të tyre por këtë mund ta kuptojmë vetëm liridashësit e njëmend të kombit e të atdheut e jo aktruesit e shumtë të atdhedashurisë, që për hir të pushtetit dhe mirëqenies së tyre, familjes, farefisit e partisë, janë të gatshëm ta sakrifikojnë kombin e atdheun.

Përfundimi 

   Ndonëse po bëhet afër një shekull nga rënia në altarin e lirisë së kësaj plejade të liridashësve shembullor të kombit e të atdheut, si dhe një çerek shekull në liri, këta luftëtar shembullor ende nuk kanë marrë trajtim meritor shtetëror! Asnjë institucion nuk ka treguar interesim për ta shënuar vendin ku është mbajtur Kongresi i Blinajës ( i njohur në kujtesën popullore si Kongresi i Lipovicës ) i cili kishte për qëllim bashkërendimin e aktiviteteve politiko – ushtarake kundër ripushtimit të Kosovës nga Serbia. Përveç kësaj, asnjë institucion shtetëror nuk ka treguar interesim për ta vendosur një pllakë përkujtimore në vendin e quajtur “Strelishte” në Tauk Bahqe, ku janë pushkatuar dhe varrosur pa shenjë e pa nishan, dhe duke i shpallur armit të popullit ( ! ) këta liridashës shembullor të kombit e të atdheut nga regjimi titist – rankoviçist dhe shërbëtorët shqipfolës të këtij regjimi shqiptarvrasës. E dhimbshme, zhgënjyese dhe dëshpëruese, sa më s’ka. Ndonëse gjithçka dhanë për komb e atdhe, drejtuesit e shtetit nuk bën as minimumin për përkujtimin e jetës dhe veprës së tyre liridashëse! Dhe kur kujton këto, nuk ka se si të mos kujtohen vargjet e personalitetit tonë poliedrik, Fan Nolit, kushtuar atdhetarit shembullor, Luigj Gurakuqit:

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor. 

… 

Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor. 

Kontrolloni gjithashtu

RrGK: Sot gjithë shoqëria duhet të bëhet zë ri i grave dhe vajzave

Ende pa kaluar 5 ditë nga rasti tragjik i vrasjes së gruas në Ferizaj, sot …