Nxjerr një kashtë e dalin gjashtë! Duket se kjo fjali e shkurtër e urtësisë sonë popullore e ilustron më së miri efektin që po shkakton fotoja në Klinikën e Pediatrisê. Mjaftoi që një nënë shembullore, e irrituar me kushtet e padenja në të cilat po trajtohej fëmija i saj, të publikonte një fotografi të gjendjes reale dhe krejt narracioni i Qeverisë Kurti për shëndetësinë filloi të lëkundej. Pas pak kohe, nisën të dilnin në pah edhe fotografi të tjera, që tregonin se dallimi mes gjendjes faktike dhe asaj që na rrëfente kryeministri Kurti me vartësit e tij është si nata me ditën! Janë të shumta fotografitë që po publikohen për gjendjen e mjerë edhe në klinika të tjera.
Ato të sjellin ndër mend lajmet e bujshme të Qeverisë aktuale për ndryshimet e mëdha në sektorin e shëndetësisë, por edhe atë që ta tregonin me pëshpërimë punonjësit e këtij sektori.
“Po i reklamojnë të njëjtët shtretër të rinj, duke i shëtitur nëpër klinika të ndryshme, ndërkohë që shumica e shtretërve janë të njëjtë, të vjetruar e të papastër. Të vjen keq që pacientët detyrohen ta shtrijnë trupin aty për orë, ditë e javë me radhë!”, pëshpërisnin me dhimbje e mllef punonjësit e papushtetshëm.
Nuk doja t’u besoja këtyre që dëgjoja. Mendoja se ndoshta po i ekzagjeronin parregullsitë, numrin e shtretërve të vjetër dhe papastërtinë. Por po del se i vërtetë ishte rrëfimi i këtyre të papushtetshmëve, i thënë me pëshpërimë, e jo ai rrëfim me krekosje e propagandë të madhe i pushtetarëve, të cilit më pas i bëjnë jehonë gazetarë e media që ia mbajnë ison çdo pushteti, në këmbim të një page apo privilegji. Kur kujton dallimin e madh mes të thënit dhe të bërit të kësaj qeverie, nuk ka se si të mos të kujtohet rasti i Japonisë dhe mënyra se si trajtohen fëmijët atje. Stafi i shkollës është i pari që e konsumon ushqimin dhe vetëm pas një kohe ai u shërbehet fëmijëve.
Arsyeja? Nëse ushqimi është i helmuar, kjo vërehet fillimisht te stafi dhe parandalohet helmimi i fëmijëve. Ideja është e jashtëzakonshme! Fëmijët janë e ardhmja e Japonisë, prandaj duhet të tregohet kujdes maksimal, madje edhe me sakrifikimin e të tashmes, për të mbrojtur të ardhmen e popullit të saj. Po ne? Ne duam t’ia mbyllim gojën një nëne shembullore, e cila na alarmoi se e ardhmja jonë – fëmijët – po trajtohen në mënyrë të padenjë, për të mos thënë të poshtër e çnjerëzore!
Një gjë duhet ta dimë: për një nënë shembullore, asgjë nuk ka më shumë vlerë sesa mirëqenia e fëmijëve të saj. Asgjë! Prandaj, nëna të tilla meritojnë shumë më tepër përulje e respekt sesa të gjithë pushtetarët, marrë së bashku! Nuk është për t’u habitur pse Akademia Serbe e Shkencave ia ka pasur frikën nënës shqiptare më shumë se kujtdo tjetër, sepse pikërisht ajo ua ka prishur e ua ka shkatërruar, sa e sa herë, planet për ta spastruar Kosovën nga shqiptarët.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
