Fatmir Grejqevci: Një roman që lexohet me një frymë: Saga e qëndresës së Malmirit

Të rralla janë librat që lexohen me një frymë, e edhe më të rrallë shkrimtarët që sajojnë romane të tilla, por i tillë është romancieri Ahmet Qeriqi me romanin e tij të radhës “Saga e Malmirit”, i promovuar ditë më parë nga familja e tij, në njëvjetorin (7 mars 2026) e shkuarjes së tij në amshim.

Ashtu sikur në shumicën e veprave të tij, studiuesi Ahmet Qeriqi hedh dritë mbi ngjarje të trishta, dramatike e të dhimbshme, të patrajtuara në mënyrë meritore as nga historia jonë e as nga letërsia apo publicistika.

Ngjarja zhvillohet në fshatin Krojmir (të cilit autori i referohet si Malmir), i cili shtrihet në skajin jugor të Drenicës, krahinë e shquar për frymën liridashëse e kryengritëse, por edhe e keqtrajtuar skajshmërisht dhe mizorisht nga pushtete të shumta.

Tema bosht e romanit është aksioni për mbledhjen e armëve, i cili gjoja bëhej për të parandaluar vëllavrasjen mes shqiptarëve, ndërsa e vërteta ishte krejt ndryshe, sepse kishte për qëllim spastrimin e dhunshëm etnik të Kosovës nga shqiptarët dhe dominimin e saj nga serbët. Aksioni ishte i mirëorganizuar nga strukturat më të larta të Jugosllavisë, dyshja shqiptarvrasëse Tito–Rankoviq. I pari duke nënshkruar marrëveshje me Turqinë, gjoja për riatdhesimin e turqve, ndërsa i dyti, me pretekstin e parandalimit të vëllavrasjes së shqiptarëve, i shtron nën tortura mizore shqiptarët anekënd Kosovës, me pasoja fatale për ta.

Por, pavarësisht planeve djallëzore dhe torturave mizore, burra, të rinj e pleq liridashës dhe atdhetarë qëndrojnë stoikisht. Qëndresa e tyre titanike mishërohet në kryepersonazhin e këtij romani, Jemin Miftar Shema (i njohur në popull si Mulla Emini) – një hoxhë shembullor me cilësi të shumta: besën, nderin, mikpritjen, atdhedashurinë e, mbi të gjitha, karakterin kryengritës dhe stoicizmin e tij të jashtëzakonshëm.

Romani “Saga e Malmirit” trajton edhe shumë tematika të tjera të botës shqiptare në Drenicë dhe më gjerë, të cilat shtjellohen me një gjuhë të thjeshtë, të rrjedhshme dhe të ndërlidhura mjeshtërisht me njëra-tjetrën, si dhe me një gjuhë figurative, saqë lexuesit i shpalosen ngjarjet thuajse si në një shirit filmik.

Kontrolloni gjithashtu

Elheme Hetemi: Ceremoni përkujtimore dhe promovim i veprave në dorëshrim i veprimtarit kombëtar Ahmet Qeriqi

Për mua, nuk ishte thjesht pjesëmarrje në këtë ceremoni. Derisa folësit shpalosnin biografinë e Prof. …