Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka cilësuar si “show” gjithë procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë kundër ish-drejtuesve të UÇK-së. Në një lidhje direkte për “Shqipëria Live”, Limaj tha se ajo që po ndodh sot është pasojë e një propagande të ndërtuar për mbi dy dekada kundër luftëtarëve të lirisë. “Prej 20 vitesh është mbjellë një propagandë anti-njerëzve të luftës. Çfarë po shohim sot në Hagë është produkt i kësaj propagande, e cila ka synuar të ndotë figurat e udhëheqësve të UÇK-së”, u shpreh Limaj. Duke iu referuar dëshmisë së James Rubin, ish-zyrtarit të lartë amerikan, ai kujtoi se Rubin e ka ndjekur nga afër rrugëtimin e UÇK-së dhe projektin për lirinë e Kosovës. “Rubin ka qenë dëshmitar i asaj kohe. Në fillim, shumë vende perëndimore e panë UÇK-në si organizatë terroriste, me shumë skepticizëm. Në vitin 2000, kam pasur rastin të takohem me të në Washington, në kuadër të nominimit të Al Gore-it për president. Aty kemi qenë të ftuar special, bashkë me Thaçin, nga administrata e Klintonit”, tha Limaj. Ai rikujtoi se ka qenë gjithmonë kundër Gjykatës Speciale, madje ka votuar kundër saj në Parlamentin e Kosovës. “Që nga dita e parë kam qenë kundër kësaj gjykate. Unë jam një nga njerëzit e parë të UÇK-së që jam ballafaquar me Hagën e ish-Jugosllavisë. Ishte padrejtësi ndaj Kosovës. As Kosova e as Shqipëria nuk kanë bërë mjaftueshëm. Për 20 vite është ndërtuar një narrativë anti-liri, anti-UÇK, dhe sot po e shohim rezultatin e saj në këtë gjykatë”, theksoi ai.
