Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka konfirmuar se partia e tij do të marrë pjesë e vetme në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, pas certifikimit zyrtar nga KQZ-ja. Ai theksoi se ky vendim ishte “opsioni i fundit”, duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimeve të ardhshme me subjekte të tjera politike. Limaj deklaroi se koha nuk përbën pengesë për arritjen e marrëveshjeve politike, duke nënvizuar se për një bashkim të mundshëm me PDK-në “mjafton një minutë nëse ekziston vullneti”. Ai iu përgjigj edhe qëndrimit të kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, i cili kishte theksuar se një proces i tillë kërkon kohë më të gjatë dhe kushte të tjera zgjedhore. Duke rikujtuar një episod nga lufta në Malet e Berishës, Limaj bëri një krahasim me presionet politike të sotme, duke thënë se edhe këtë herë është i vendosur të përballet me sfidat. Ai u bëri thirrje të rinjve që të besojnë në projektin e Nismës dhe ta mbështesin në “thyerjen e rrethimit politik”. Ndër të tjera, Limaj konfirmoi se mbetet i hapur për bashkëpunim me çdo subjekt politik kur bëhet fjalë për çështje me interes shtetëror, duke përfshirë LVV, PDK, LDK dhe AAK. “Nëse ekziston interes për temat nacionale, unë jam gjithmonë i gatshëm”, deklaroi ndër të tjera Limaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
