Faton Mehmetaj: Lamtumirë Fetnete!

Faton Mehmetaj: Lamtumirë Fetnete!

Pas ditën e 5 prillit të viti 2019 u nda nga jeta, luftëtarja e orëve të para të UÇK-së, intelektualja model, zëri i UÇK-së, Fetnete Ramosaj. Asaj iu dha lamtumira e fundit më 7 prill 2019. Që sot, Fetnetja prehet në përjetësi, në gjirin e lavdisë së Atdheut, të bashkëluftëtarëve e shokëve të saj dëshmorë, prej të cilëve nuk u nda për asnjë çast. Fetnetja u varros me nderime të larta ushtarake e shtetërore në Gllogjanin legjendar, aty ku prehen shokët e luftës e të idealit të saj.

Shkove e re në Amshim!, në moshën 47-vjeçare, por mbete e pavdekshme, pushka, penda, dhe zëri i UÇK-së. E lumja Ti Fetnete, që e fitove pavdeksinë, të pavdekshme të bënë veprat tua, puna jote, mundi e sakrifica. Veprimtarinë tënde patriotike e fillove në vitin 1990, sa ishe maturante e Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” në Deçan!. Që nga ai vit, ishe në ballë të të gjitha aktiviteteve dhe ngjarjeve!. Veprimtaria kulturore e Fetnetës ishte e pazëvendësueshme edhe për Shoqërinë Kulturore “Jusuf Gërvalla”, në shënimin e datave historike, përvjetorëve, tubimeve e seancave shkencore. Besnike e së vërtetës, më kujtohet, ceremonia e varrimit të dëshmorëve të 24 marsit 1998, ishte kohë e egër, por ti nuk u ndale, ishe e para që hapur e the se luftëtarët e rënë në këtë ditë ishin luftëtar të UÇK-së dhe se lufta e tyre duhet përkrahur deri në çlirim. Ishe dhe mbete guximtare në jetë, intelektuale e përkushtuar, një jetë më atdhetarizëm e punë për Atdhe. Qenka vështirë dhe krejtësisht e papranueshme për të thënë lamtumirë për gjithnjë. Në mendje, në shpirt e kujtesën time do të mbetesh e përjetshme, sikurse edhe je. Jeta jote ishte dhe u përmbyll si veprimtare e pakompromis e çështjes kombëtare, eprore dhe luftëtare e hershme e UÇK-së. More pjesë në përgatitjën e luftës, në bërjën e luftës dhe mbrojtjen e saj me krenari. Ishe “Zëri i UÇK-së. Ti i dhe luftës sonë dimensione gjithëkombëtare dhe përmasa ndërkombëtare. Penda jote e lartësoi namin e luftëtarëve të UÇK-së në vijat e frontit, Ti e pavdekësove heroizmin e dëshmorëve.! Zëri yt u bë thirrje për luftëtarët shqiptar të mbarë atdheut për t’iu bashkangjitur UÇK-së. Rëniën e bashkëluftëtarëve dhe dhimbjen për ta e ktheve në forcë dhe në motiv për beteja të reja. Në as një çast të jetës sate nuk ishe pesimiste, kurrë nuk u theve as nuk u ligështove, madje as kur te pllakosi sëmundja. Ti heroina e re e Kosovës, Amazona e Dukagjinit, Heroina e Dardanisë, gjithmonë do të mbetesh në mendjen e zemrat tona. E di që do ta kemi të vështirë ta plotësojmë boshllëkun që le, e që është i pazëvëndësueshëm. Por shokët e ish-ilegales, miqtë e dashamirët tu që erdhën nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova Lindore, Mali i Zi e mbarë diaspora, për ta dhënë lamtumirën e fundit, u zotuan para arkivolit tënd për ti realizuar projektet dhe proceset që i ke lënë në gjysmë. Prehu e qetë pranë heronjve në Gllogjan, pranë bashkëluftëtarëve tu, nami i të cilëve ishte nami yt. Emri yt do të mbetet frymzim për brezin e ri e brezat që vijnë, kontributi yt dhe veprat e mira që le pas, do të mbetën si një vulë unikate e dashurisë për Atdhe.

Fetnete! Ti ishe shembulli më i mirë se si pendë e pushkë u bënë bashk për të qenë të pandara deri në frymën e fundit. Ishe dhe mbete shembulli më i mirë i femrës shqiptare. Pata nderin dhe fatin e madhe të jem shok e bashkëluftëtarë me Ty, bashkëpunëtorë e pjesë e realizimit të shumë projekteve, dhe angazhimeve pa fund për të ardhur tek dita e Lirisë. Ndarja jote nga jeta, la zbrazëtirë të madhe, ndoshta të pakompenzueshme. Të kisha krahun e djathtë për tridhjetë vite. Tridhjetë vite rrugëtuam bashkë në kërkim të lirisë e të pavarësisë së këtij vendi. Isha pranë teje edhe kur i mbylle sytë përjetësisht, ishte moment tronditës, i rëndë tunxh, por puna jote kolosale më ngushëllon dhe më forcon sepse ti nuk vdes kurrë, ke qenë dhe ke mbetur heroinë e këtij vendi. Ç’do germë që lexoj, që e kamë shkruar e do ta shkruaj ma kujton emrin tëndë që nuk do të harrohet kurrë. Nuk do të hidhërohem me stinën e bukur të pranverës, edhe pse u ndave nga ne mu në këtë stinë, ç’do gjë të kësaj stine, lulet, beharin, cicërimën e zogjve do t’i kthejmë në kujtim dhe mbamendje të veprave tua të papërsëritshme dhe të pavdekshme.

Fetnete, ishe dhe mbete e pathyeshme, e mprehtë në vendimmarrje për kauzën tonë të përbashkët, modeli i trimëreshës, burrëreshës, luftëtares, intelektuales dhe heroinës. Emblemë e ngritur thellë në zemrat dhe mendjet e atdhetarëve. Edhe pse ishe sëmurë, për dy vite rrjesht, nuk u ndale për as një çast, duke punuar për promovimin e Kosovës dhe vlerave të saj si Shtet i ri, deri dhe frymën e fundit. Më të drejtë të quajtën “Zëri i UÇK-së”, por ti ishe edhe njëri nga zërat e dalluar të letrave shqipe.

Ishe bashkëthemeluese dhe redaktore e revistës “Zgjimi”, Deçan (1991-1997); bashkëpunëtore dhe anëtare e redaksisë së gazetës “Zëri i Kosovës”, Zvicër/Prishtinë (1995-2001); bashkëthemeluese dhe redaktore e revistës së parë ushtarake në Kosovë “Ardhmëria” – Organ i Zonës së Tretë të Mbrojtjes (1999-2001); redaktore në gazetën javore “Fokus”, Prishtinë (2003-2007), hartuese e biografive të dëshmorëve të kombit nga Zona e Dukagjinit për monografinë, “Feniksët e lirisë”, autore e shumë jetëshkrimeve për dëshmorë, botuar nëpër revista të ndryshme, organizatore e mbi 400 akademive përkujtimore për dëshmorë, më dhjetëra e dhjetëra tribunave, protestave, konferencave shkencore, ekspozitave, promovimeve të librave e aktiviteteve tjera të pafund. Autore e disa fejtoneve e dhjetëra shkrimeve publicistike, të botuara në shtypin legal e ilegal të kohës që nga viti 1991 e këndej; recensuese, lektore dhe redaktore e disa librave publicistikë, historikë e të çështjeve të sigurisë; pjesëmarrëse me kumtesa shkencore në disa simpoziume e konferenca shkencore ndërkombëtare, etj.

Që nga viti 1989 ishte pjesëtare aktive e lëvizjes ilegale dhe asaj gjithëpopullore në Kosovë. Ke qenë pjesëmarrëse aktive në luftën çlirimtare, si pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), veç tjerash, ke kryer detyrën e Zëdhënëses së UÇK-së për informim në Zonën Operative të Dukagjinit. Njëkohësisht ke raportuar edhe për “Radion Kosova e Lirë” dhe Agjencinë KosovaPress”, Radio Televizionin Shqiptar. Ke bashkëpunuar me agjencitë ndërkombëtare të lajmeve “Zëri i Amerikës”, “Deutsche Welle”, “BBC” dhe me shtypin shqiptar të kohës në Kosovë, Shqipëri e diasporë.

Ishe pjesëtare e Trupave Mbrojtëse të Kosovës deri në vitin 2002, me gradën e koloneles. Nga viti 2013 deri në gusht të vitit 2018 ka punuar në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Prishtinë. Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Është autore e librave: “DEÇANI” (Monografi), në bashkautorësi me Faton Mehmetaj, “Zgjimi”, Deçan, Nëntor 1997; “Krimet serbe në Kosovë – PA APOLOGJI – Me Fakte Kundër Shpifjeve / Serbian Crimes in Kosova – WITHOUT APOLOGY – Facts Against Defamations” (Vëllimi i Parë, shqip/anglisht), “Fokusi”, Prishtinë, 2005. (Ribotuar në të njëjtin vit në 10 mijë kopje); “Krimet serbe në Kosovë – PA APOLOGJI – Me Fakte Kundër Shpifjeve” (Vëllimi i Dytë), “Anatema”, Prishtinë 2008; “Serbian Crimes in Kosova – ËITHOUT APOLOGY – Facts Against Defamations” (The Second Volume), “Anatema”, Prishtinë 2008; “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë”, ISGJS, Prishtinë 2013 (i ribotuar me plotësime në vitin 2015); “Serbian extremist organizations in Kosova”, ISGJS, Prishtinë 2015; Ky libër është përkthyer edhe në gjuhën bullgare nga albanologu dhe politikologu i njohur bullgar Anton Panchev. Libri “СРЪБСКИТЕ ЕКСТРЕМИСТКИ ОРГАНИЗАЦИИ В КОСОВО” është botim i përbashkët i Institutit për Studime Gjeopolitike dhe Siguri në Prishtinë dhe Balkanski Nauçen Institut të Sofjes, 2017; “KUNDËR HARRESËS – Gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999”/ AGAINST FORGETFULNESS – Serbian Genocide in Kosova 1998-1999”, IHKL, Prishtinë 2017; “KUNDËR HARRESËS – Gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999”/ AGAINST FORGETFULNESS – Serbian Genocide in Kosova 1998-1999”, (ribotim me plotësime) ISGJS, Prishtinë 2018, etj. Realizoi ekspozita për luftën në Kosovë, ndër të cilat veçohet ekspozita “Terrori dhe Gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999”, IHKL, Prishtinë 2015, e cila u hap në Prishtinë (2015), në Tiranë e Korçë (2016).

Fetnete Ramosaj edhe pas luftës vazhdoi aktivizmin e saj patriotik, duke mbledhur fakte të krimeve të bëra nga Serbia dhe duke i botuar bashkë me shkrime e analiza në gazeta të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Sot, Fetneti u nda nga ne vetëm fizikisht, ajo zgjodhi përfundimisht qiellin, u bë dritë që do të shndritë ndër shekuj. E prej qiellit të saj do reshin vazhdimisht shirat për ta ruajtur të pastër detin tonë (vendet shqiptare që aq shumë i deshi). Ishe vërtetë e madhe, të gjithë ata që erdhën për ngushëllime e që ishin më mijëra, të krahasuan më Norën e Kelmendit, Xheve Lladrovcin, Shote Galicën, Bubulinën e më heroinat tjera shqiptare që lan nam gjatë historisë. Fetnete kjo nuk është fjala e fundit për ty! Kjo nuk është as beteja e jote e fundit! Ti je e përjetshme, e pa harruar ndër breza, Ti je mbamendja jonë e historisë së UÇK-së dhe historisë së anatemuar ndër shekuj. Për ty do të shkruhen libra, do të shënohen akademi, shkrime, kujtime, do të gdhendën buste, do të shënohen emra rrugësh, sheshesh e bulevardesh. Fetnete gjithmonë do ta mbajmë kujtimin të paharruar për ty dhe kur të vdesim do tua lëmë amanet brezave emrin tënd, si frymëzim për të gjithë ata që e vazhdojnë rrugëtimin e bashkimit të shqiptarëve në një Shqipëri. Për vdekjen e Fetnetes, familjarëve, miqve e dashamirëve, ngushëllime u kanë ardhur nga krerët e shtetit të Kosovës, të partive politike, të shoqatave qeveritare e jo qeveritare, liderët politik shqiptarë nga Kosova Lindore, Maqedonia e Shqipëria, nga diaspora e mbarë trojet shqiptare.

Fetnet! emri yt do të kujtohet ndër breza dhe do të mbetët i pavdekshëm.

I përjetshëm dhe i paharruar do të mbetet kujtimi për ty e çmuara dhe e paharruara Fetnete Ramosaj!.

Gllogjan, 7 prill 2019

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …