valamobile
MIT
kek
Airport Adem Jashari
mbpzhr grante
Fillimi / Analiza / Jakup Krasniqi: Problemet shoqërore kërkojnë ide, dije, emocione dhe integritet
Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Problemet shoqërore kërkojnë ide, dije, emocione dhe integritet

“Tradhtia të shqiptarët falet shpejt e lehtësisht si një nga mëkatet më të natyrshme e që rendojnë pak” ka thanë Fallmerayer?

Trajtimi i problemeve shoqërore ka një histori goxha të lashtë, por nuk ka numër të pafund të njerëzve që merren me to, ashtu siç kërkohet në ambiente e mbushura me analfabet funksional. Problemet shoqërore i hasim të trajtuara që në Greqinë e lashtë nga filozofet mendjendritur si: Platoni, Aristoteli etj., e mbase edhe më herët në Lindjen e lashtë, të afërt e të largët. Një formë të re në përmbajtje, problemet shoqërore e kanë marr në pjesën e dytë të shekullit XV dhe fillimin e shekullit XVI nga Nikolla Makiaveli (Niccolò Machiavelli; 3 maj 1469 – 21 apo 22 qershor 1527). Tek ne shqiptarët, kjo ishte koha e Skënderbeut të Marin Bardhecit. Këto probleme janë thelluar më pas nga Zhan Zhak Rusoi (Jean-Jacques Rousseau  Gjenevë, 28 qershor 1712 – Ermenonville, 2 korrik 1778), ky merrej me letërsi, filozofi dhe muzikë, ishte zviceran nga origjina. I kësaj kohe ishte edhe Adam Smith (1723-1790 ekonomist e filozof i njohur skocez. Epoka e këtyre kolosëve (nuk po flas për kolosët e shek. XIX të cilët kërkojnë dije të nivelit më të lartë arsimor), të mendimit politik, shoqëror e filozofik që vinte pas një rilindje të dijeve shoqërore, politike, iluministe e filozofike (dije që për disa shekuj ishin ngulfatur nga shekujt e errësirës mesjetare të katolicizmit ). Nuk ka asnjë dyshim këta ishin majat e mendimit intelektual të kohës se tyre. Koha e tyre i kishte vështirësitë e saja të të gjitha natyrave, por e kishin një përparësi, debatin për të gjitha problemet shoqërore e trajtonin në ambiente të larta të dijeve, të kulturës e të edukimit. Për Rusoin, jo ikja, por vetëm deklarimi se ç’me hynë mua në punë çështjet e shtetit? Duhet llogaritur, thoshte ai, se shtetit është i humbur. (Zh. Zh. Rusoi:Mbi kontratën shoqërore, Pema, Prishtinë 2018, faqe 164.) Apo theksimi i A. Smithit se pasuria e kombeve është puna. Pra nuk mund të ketë popull të pasur me dembelë të Stambollit apo me sundimtarë mendje pak, sedërmëdhenj e të gjithëdijshëm siç mund t’i hasim gjithandej në mesin tonë.

Nuk ka asnjë dyshim, problemet shoqërore as në atë kohë nuk zhvilloheshin krejt jashtë ambienteve të injorancës, të mashtrimit e vetëmashtrimit, të tiranisë e të despotizmit të individit apo individëve satrap e sahanlëpirës. Po gjithsesi ai ambient nuk ishte si sot i mbushur me analfabet funksional të cilët na i sollën tranzicioni demokratik me universitetet e votave e të bizneseve?! Injorantëve kurdo e kudo që u është dhënë rasti, nuk kanë lënë mjet e metodë pa përdorur për të mbytur mendimin e lirë e avangardë, mendimin e avancuar e humanist apo iluminist. Për dallim nga ne, sot popujt e mençur atyre, injorantëve nuk ua kanë dhënë shtagën të meshojnë ku mundin e nga të sillen. Tek e fundit edhe ne shqiptarët e vonuar në Rilindje Kombëtare e dimë se si na janë burgosur, helmuar e eliminuar bartësit e ideve të Rilindjes Kombëtare për shkronjat e gjuhën shqipe, për shkollën, për kombin shqiptar e shtetin. E sidomos na janë të njohura të gjitha format që i kanë përdorur serbo-jugosllavet gjatë gjithë shekullit XX për t’i penguar e burgosur idetë e lirisë për çlirim e bashkim kombëtar. Këto metoda që i përdoren armiqtë e shumtë bënë që njëri nga popujt (kombet) më të vjetra në të gjitha dherat e Mesdheut, të jetë më i vonuari në çdo gjë, në alfabet, në shkollë, në kulturë, në kombformim e në shtetndërtim. Këtyre politikave të huaja jo pak herë ua dhanë një mbështetje njerëzit kokëgdhe që siç thotë Flamerajeri në gjysmën e shekullit XIX ,se: “Ky popull fanatik i lirisë, duke e ndjerë forcën e tij, ashtu si bleta në kohën e shumëzimit, shpërthen jashtë kufijve të atdheut të vet, ai nuk niset nga asnjë mendim politik për vendin e huaj, por kërkon vetëm pasuri materiale …” (faqe 115). Për ketë autori në fjalë thoshte se kjo vinte nga mungesa e emocioneve për shtetin. (Shih: J. Ph. Fallmerayer: Elementi shqiptar në Greqi, botim i “Saraçi”, Tiranë 2003)

Kur i lexoja këto konstatime në librin e Flamerajerit “Elementi shqiptar në Greqi”, dihej që shqiptarët një kohë e patën mbajtur gjallë edhe Perandorinë Bizantine e pastaj atë Osmane, me vinte inat, por nuk mund ta mohoja e as ta kundërshtoja Flamerajerin. Sot, me vije më shumë se inat, pse nuk mund t’ia argumentoj të kundërtën, ashtu siç ia bëra Oliver Shmitit në librin tim: “Një histori e kontestuar …”. Ku ia shkatërrova shtyllat kryesore të mohimit të origjinës sonë ilire, karakterin kombëtar të Rilindjes sonë Kombëtare dhe luftën tonë të drejtë nga Pranvera Shqiptare dhe Luftën e fundit për çlirimin e Kosovës. Nuk mundja t’ia bëja ketë Flamerajerit, se ky kishte të drejtë. Të vërtetën kurrë nuk duhet marrë mundin për të kundërshtuar, por për t’i ndryshuar veset e këqija është domosdoshmëri. Përpjekja për të kundërshtuar të vërtetën është bash si puna e kot e sizifit me gurin e tij për ta ngritur në majën e kodrës, të cilën gjë nuk e arriti kurrë. Unë e doja dhe e dua shumë kombin tim, por ato konstatime, se vrapojmë pas pasurisë, se nuk kemi ide e as emocione për shtetin dhe se tradhtinë e trajtojmë si diçka të natyrshme, nuk munda as dje e nuk mundëm as sot t’ia kundërshtoj me argumente. Ky autor e ka edhe një konstatim interesant për popullin shqiptar. Ai thotë: “ky popull nuk e ka ndjerë kurrë nevojën për të krijuar një unitet kombëtar kompakt përballë të huajve”. (faqe  115) A nuk e konfirmon ketë realiteti i sotëm në të dy shtetet tona, Shqipëri dhe Kosovë?

Këto dobësi, mbase më shumë se kaq, i shoh përditë tek njerëzit që jo vetëm si mundojnë dhe as i njohin problemet shoqërore, por bëhen cerberë të ferreve (xhehnemeve) shoqërore. (Të interesuarit në fjalorin e mitologjisë mund ta gjejnë kuptimin e fjalës cerberë). Pa marr parasysh rolin e detyrat mjerane të cerberëve modern, nga kombi as duhet hequr dorë e as duhet mohuar atë shenjtëri. Mohës të asgjëje njerëzit me dije e kulturë nuk duhet të behën kurrë.

Një gjë është e ditur, e kanë thënë edhe mendje të ditura në shekullin e shkuar, se ecjet e asnjë populli në histori nuk janë gjithherë progresiste (në vi të drejtë), ata, popujt edhe në momente regresi apo kthesash prapa, dinë të gjejnë forca rigjenerimi për të ecur përpara! Por, a dinë e sa dinë ta gjejë ketë populli që nuk shqetësohet për “idetë, besimin ose dijen e të mundurit  apo të vendeve fqinje të kolonizuara, shqiptarët nuk shqetësohen aspak”. (Po aty faqe 116).

Natyrshëm progresi e zhvillimi vijnë nga njerëzit që kanë integritet e dinjitet! Këto dy shtylla bazike të njerëzve vizionarë kur bashkohen me dijen, dashurinë, guximin , emocionin e përkushtimin, dinë edhe të pamundshmen ta e bëjnë të mundshme. Ketë e ka treguar edhe lufta e jonë e fundit, ndonëse edhe kjo i ka mohësit e saj, afër e larg nesh.

Ikanakët, zhvatësit, sahanlëpirësit e qyqaret kurrë nuk i sjellin ndryshimet shoqërore, përkundrazi janë pengesa të çdo zhvillimi e progresi shoqëror! Kombit tonë i duhet ndryshimi dhe dashuria për kombin e shtetin. Shtetit i epet gjithçka, ashtu siç ia dha Adem Legjendari kombit, lirisë e çlirimit për shtet dhe i merret vetëm e nevojshmja, por gjithnjë me bazë ligjore! Ndërsa, xha Rapushet e shekullit XXI në Kuvende, Presidenca e Qeveri apo jashtë tyre që dinë vetëm të krekosën nga mëngjesi në mëngjes si gjelat maje plehut, kombit e shtetit si sjellin gjë të mirë! E galimatiasit as kund në Botë, as dje e as sot nuk njihen për mendime, ide a emocione që i duhen një shoqërie të zhvilluar e demokratike! Të ne a mund të jetë ndryshe?

Kontrolloni gjithashtu

Nexhmi Lajçi

Nexhmi Lajçi: CILI ËSHTË ÇLIRIMTARI E CILI NDIHMAQARI?

(Edhe pse kaq mos mirënjohëse ndaj UÇK-së, megjithatë ma gëzofsh Kosovë Lirinë) Jeta në mërgim ...