Fazli Graiçevci (1935 - 1964) një jetë e martirizuar në rrugën e lirisë

Fazli Graiçevci (1935 – 1964) një jetë e martirizuar në rrugën e lirisë

Jeta e shqiptarëve nën robërinë shekullore serbe, në vazhdimësi, në mënyrë sistematike është përcjellë me dhunë, vrasje, skamje, urrejtje, burgje, internime… Janë të shumta familjet shqiptare, të cilat u dhunuan dhe u ndëshkuan mizorisht nga sunduesit serbë e sllavë, për shkak të përpjekjeve të tyre për ta ruajtur dhe për ta zhvilluar identitetin kombëtar. Një familje e cila pati fatin e rëndë dhe tragjik, në përpjekje për mbijetesë ishte edhe ajo e  Xhemajl Graiçevcit nga fshati Sankoc i Drenicës. Ai me bashkëshorten e tij Sherifen, lindën e rritën bijtë e bijat:  Hamdiun, Fazliun, Nailen, Rrahimen, Mejremen, Hatixhen, Halimen  dhe Shehiden.

Fazli Graiçevci u lind në prill të vitit 1935, në fshatin Sankoc të Drenicës. Shkollën fillore e kreu në Komaran. Në vitin shkollor 1953-1954 u regjistrua në Shkollën Normale të Prishtinës. Në vitet e para kishte shok klase,  Rexhep Qosen, Ismail Dumoshin, Qamil Hasanin e normalistë të tjerë. Vitin e fundit të shkollës së mesme e kishte mbaruar në Prizren. Pas diplomimit ka dhënë mësim në shkollat e fshatrave: Kizharekë, Paklek e Doboshec.

Fazliu ishte i zgjuar në mësime, i afërt më shokë, në shumë raste edhe i heshtur, por kishte një botë të brendshme të pasur shpirtërore, të cilën qysh në rininë e hershme e shprehu dhe e manifestoi përmes poezisë.

Krahas angazhimit në punë, Fazliu, në komunikim me shokët e Normales dhe me shokë të tjerë të shkollave ku ka dhënë mësim, kishte zgjeruar gamen e angazhimeve dhe iu kishte kushtuar  çështjes kombëtare. Mbante kontakte me atdhetarët, Zeqir Gërvalla, Azem Beqiri, pastaj me veprimtarin e hershëm të çështjes kombëtare, Adem Demaçi e të tjerë. Ishte pjesëmarrës në mbledhjen e shtatorit të vitit 1963, ku u mor vendimi  dhe u themelua organizata e fshehtë atdhetare e quajtur, “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve“. Ideatori dhe zëdhënësi i LRBSH-së Adem Damaçi me bashkëmendimtarët e tij kishte përpiluar edhe programin e Lëvizjes dhe kishin nxjerrë edhe Statutin e organizatës. Në nenin e parë të Statutit, ishte përkufizuar qëllimi primar parësor i lëvizjes. Aty shkruhej: Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë është sigurimi i së drejtës për vetëvendosje deri në shkëputje të viseve të banuara me shumicë shqiptarësh, që ende gjenden nën administrimin e Jugosllavisë. Qëllimi  ynë është çlirimi i krahinave shqiptare të aneksuara nga Jugosllavia dhe bashkimi i  këtyre krahinave me Amën e vet-Shqipërinë“.

Komiteti Revolucionar i Lëvizjes, më vonë kishte emëruar udhëheqësit e qyteteve dhe rajoneve, ndërsa Fazli Graiçevci ishte angazhuar për rajonin e Drenicës. Gjatë periudhës disa muajsh prej shtatorit të vitit 1963 e deri në gusht të vitit 1964, ai kishte vepruar pandërprerë në përhapjen e ideve atdhetare, çlirimtare, duke pasur për bazë obligimin që kishte marrë dhe që ia kishte ngarkuar  organizata. Duke qenë se vendosja dhe afishimi i  Flamurit Kombëtar shqiptar  ndalohej me ligjet e atëhershme të RSFJ-së, LRBSH-ja kishte marrë vendim që ai flamur të afishohej ilegalisht në vendet e caktuara. Anëtari i organizatës, Sabri Novosella, i cili kishte një punëtori  të rrobaqepësit   në shtëpinë e vetë, në Prishtinë, së bashku me vëllezërit ishte angazhuar në prodhimin dhe shpërndarjen e flamujve në vende të caktuara në qytet,  por edhe në vendet që i mbulonte organizata. Fazliu me shokun e tij, Ruzhdi Jusufi, më 30 prill të vitit 1964  kishin vendosur Flamurin kombëtar, në majën e Goleshit, ku ndodheshin antenat transmetuese të  radiove dhe televizioneve të kohës.

Periudha maj qershor,korrik e atij viti ishte tepër e rëndë për Fazliun dhe të gjithë pjesëtarët e LRBSH-së.

Më 8 qershor të vitit 1964, organet e UDB-së arrestojnë ideatorin dhe kreun e Lëvizjes, Adem Damaçin me 13 bashkëveprimtarët e tij: Hazir Shala, Ahmet Haxhiu, Azem Beqiri, Selaudin Daci, Sabit Ratkoceri, Abdyl Lahu, Xhafer Mamuxhiku, Dibran Bajraktari, Sabri Novosella, Njazi Straja, Vezir Ukaj, Enver Mehmeti dhe Selman Berisha.  Arrestimet vazhdojnë edhe më 28 qershor, por edhe në muajin korrik, gusht e më vonë. Pesa dërrmuese e pjesëtarëve por edhe e simpatizantëve të LRBSH-së ishin arrestuar gjatë asaj vere. Më 3 gusht të atij viti Milicia dhe inspektorët e UDB-së arrestojnë edhe Fazli Graiçevcin. Pas dy javë torturash intensive, në burgun e Prishtinës, regjimi i kohës ia merr jetën mizorisht, veprimtarit, mësuesit dhe poetit, Fazli Graiçevci.  10 ditë më vonë,  më 29 të atij muaji, pasi regjimi kishte mbyllur dosjen e Fazli Graiçevcit, të vulosur me vdekje, fillon gjykimi kundër grupit të parë të LRBSH-së, në krye me Adem Demaçin. Gjykimi zgjat katër ditë ndërkohë që 12 pjesëtarët e grupit dënohen pre 9 deri në 15 vjet burg të rëndë. Dënohet edhe grupi i Hilmi Rakovicës e më vonë ishin dënuar edhe disa grupe të tjera, në shumë qytete të Kosovës, si në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Gjilan, etj.

Pavarësisht dënimeve të rënda, maltretimeve dhe dhunës sistematike që ishte zhvilluar kundër pjesëtarëve të grupeve, LRBSH-ja do të mbetej vertebra për veprimtarë të tjerë të mëvonshëm, të cilët thirreshin në programin e kësaj organizate dhe të cilët në asnjë çast nuk e kishin ndërprerë veprimtarinë.

Mbytja të tortura e Fazli Graiçevcit,  mbytja po ashtu, në burg, një vit më parë e Shaban Shalës, qëndrimi i palëkundur dhe tejet militant i Adem Demaçit, gjatë gjykimi por edhe në vuajtje të dënimeve, vdekja nga pasojat e dhunës fizike që kishte ushtruar UDB-ja kundër mësuesit, Ejup Uka nga Dobraja, në fillim të vitit 1965,  vdekja nga pasojat e burgut e Hilmi Rakovicës, po ashtu mësues dhe poet, në vitin 1971, pak kohë pasi ishte liruar nga vuajtja e dënimit, degdisja dhe internimet e flamurtarëve të lirisë nëpër burgjet e Republikave jugosllave, kishin krijuar një atmosferë revolucionare jo vetëm në Kosovë,  por kudo në trojet shqiptare nën okupimin jugosllav.

Lëvizja tashmë kishte shtrirë ndikimin e frymëzimin një pjesën militante të rinisë revolucionare. Krerët më të lartë të regjimit, e kishin kuptuar me kohë se gjendja e tillë nuk mund  përballohej vetëm me dhunën dhe metodat represive, por krahas atyre metodave ata ishin detyruar të bënin disa lëshime në drejtim të pasurimit dhe përparimit të autonomisë së Kosovës. Lëshimet i atribuoheshin autoriteteve komuniste të vendit, ndërsa mijëra shqiptarë mbaheshin në burgje. Sapo liroheshin një palë, vazhdonte veprimtarinë grupi tjetër dhe kështu me radhë, në vitin 1968, 1981, 1989 e deri në vitin 2001, kur Serbia kishte liruar edhe të burgosurit e fundit politikë, dy vite pas çlirimit të Kosovës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe forcat ushtarake të Aleancës Veri-atlantike.

Mbytja mizore në burg e Fazli Graiçevcit, më 17 gusht 1964, përpjekjet e pasuksesshme që kishte ndërmarrë UDB-ja për ta fshehur krimin dhe për  ta paraqitur mbytjen si vdekje nga një sëmundje, kishte bërë që figura e mësuesit martir të marrë përmasa të një frymëzimi idealist mbarëkombëtar. Rapsodët popullorë i kishin kënduar këngë, poetët kishin thurur vargje, shkrimtarët rrëfime dhe krejt kjo kishte marrë dimensionin e një sage frymëzimi për brezat çlirimtarë.

Emri i Fazli Graiçevcit kishte qenë burim frymëzimi e edhe për sa e sa luftëtarë të UÇK-së, kishte qenë burim edhe për ish-nxënësit e tij si: i burgosuri politik dhe komandanti i UÇK-së në Drenicë, heroi i kombit,  Fehmi Lladrovci e shumë të tjerë.

Ahmet Qeriqi

gusht 2017

Kontrolloni gjithashtu

Osman Osmani: NDEROHET VEPRIMTARIA ATDHETARE E ÇLIRIMTARE E NAZIM AZEMIT

Të  dielën, me 5 maj 2024, Sllatina e Epërme e Komunës së Vitisë bëhet me …