Hetimet për shpërthimin e kanalit Ibër–Lepenc kanë marrë dimension të ri pasi përfshirja e FBI-së ka forcuar provat që lidhin drejtpërdrejt Serbinë me aktin terrorist të nëntorit 2024. Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, me dosje që ekspertët e sigurisë e vlerësojnë si të “pamohueshme dhe të pakontestueshme”. Sipas aktakuzës, vëllezërit Dragisha e Jovan Viqentijeviq, të ndihmuar nga bashkëpunëtorë të panjohur, vendosën 20 kilogramë TNT në infrastrukturën jetike të ujit dhe energjisë. Ekspertët thonë qartë: sulmi ishte politik, i orkestruar për të treguar praninë e strukturave serbe në veri dhe për të krijuar panik te qytetarët. Pjesa më e rëndë e dosjes lidhet me Jovan Viçentijeviqin, i akuzuar si kolonel i shërbimit ushtarak serb (VSA). Ai dyshohet se ka spiunuar për Serbinë, ka mbledhur informacion të klasifikuar për Policinë e Kosovës dhe madje ka monitoruar lëvizjet e ushtarëve amerikanë të KFOR-it — provë e drejtpërdrejtë e rrezikimit të trupave të SHBA-së. Prokuroria thotë se ai ka fotografuar bazat policore, ka siguruar dokumente të ndjeshme operative dhe ka krijuar materiale të manipuluara për të ndërtuar narrativë destabilizuese kundër Kosovës, duke përdorur edhe emrat e ish-eprorëve të UÇK-së. Sulmi ndaj Ibër–Lepencit konsiderohet si goditje e rëndë ndaj sigurisë kombëtare dhe tentim për destabilizim të qëllimshëm strategjik. Të akuzuarit pritet të përballen me gjykimin për terrorizëm, ndërsa Viçentijeviqi do të gjykohet edhe për spiunazh, një rast që forcon edhe më shumë provat për përfshirjen direkte të Serbisë në veprime destabilizuese kundër Republikës së Kosovës./eo/
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
