Ferat Shala: Aktakuza për rezervat shtetërore, dëshmi e korrupsionit në kupolën e Qeverisë Kurti

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka reaguar pas dorëzimit të aktakuzës nga Prokuroria lidhur me rastin e rezervave shtetërore, duke theksuar se ky zhvillim është konfirmim i shqetësimeve të vazhdueshme të ngritura nga opozita për korrupsionin në kabinetin e Albin Kurtit. “Më në fund, pas përfundimit të balotazhit, Prokuroria ka lëvizur duke dorëzuar aktakuzën për rezervat shtetërore. Si deputet dhe si parti, këtë shqetësim e kemi ngritur disa herë në Kuvend, si dhe në disa konferenca për media. Tani po vërtetohen pretendimet tona se kabineti i Albin Kurtit është kupola korruptive e vendit,” tha Shala. Ai theksoi se përgjegjësia kryesore bie mbi ministren e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, e cila, sipas tij, ka dështuar në menaxhimin e sektorëve kyç dhe ka lejuar që korrupsioni të lulëzojë në institucionet nën vartësinë e saj. “Fatkeqësisht, ky është vetëm maja e ajsbergut. Korrupsioni po vazhdon në shumë sektorë të tjerë, me përmasa dhe dëme financiare shumë më të mëdha. Ai po vazhdon madje edhe në procesin zgjedhor – mjafton të përmendim rastin e Mitrovicës!”, shtoi ai. Shala kërkoi që hetimet të shtrihen edhe më gjerë, duke përfshirë rolin e ministrave që kanë pasur përgjegjësi direkte për rezervat shtetërore dhe menaxhimin e kontratave, me theks të veçantë mbi Hajdarin, e cila, sipas tij, “nuk mund të fshihet pas justifikimeve politike”. Ky zhvillim pritet të thellojë përplasjet politike mes pushtetit dhe opozitës, në një kohë kur imazhi i qeverisë Kurti po tronditet nga dyshimet e vazhdueshme për keqpërdorime e mungesë transparence në menaxhimin e fondeve publike.

Kontrolloni gjithashtu

Fadil Nura kërkon shkarkimin e dy përfaqësuesve të PDK-së në KQZ

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka kërkuar nga kryetari i Partisë Demokratike të …