Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, duke akuzuar Qeverinë Kurti për humbje të mëdha financiare dhe dështim në menaxhimin e resurseve të vendit. Shala tha se pavarësisht akuzave për bllokim nga opozita, është vetë qeveria në largim që ka dështuar në menaxhimin e fondeve dhe në sigurimin e investimeve të huaja. “Kosova po vazhdon të humbasë me importe marramendëse të energjisë dhe mallrave nga Serbia dhe vendet e tjera. Kemi një buxhet vjetor prej 3.5 miliardë eurosh që po shpërdorohet pa asnjë transparencë,” u shpreh Shala. Ai theksoi se vendi ka humbur mbi 350 milionë euro në formë donacionesh nga Bashkimi Evropian për shkak të paaftësisë së qeverisë, si dhe 50 milionë euro nga Shtetet e Bashkuara për projektin e gazit përmes MCC-së. Deputeti i PDK-së përmendi edhe importin e mbi 1 miliardë eurove energji, që sipas tij, është dëshmi e qartë e dështimit të politikave energjetike të qeverisë Kurti. “Këto nuk janë vetëm shifra – janë mundësi të humbura për qytetarët dhe shtetin. Në vend të zhvillimit, kemi pasivitet, keqmenaxhim dhe rënie të besimit ndërkombëtar,” përfundoi Shala.
