Ferid Esad Curri (10.10.1974 - 15.4.1999)

Ferid Esad Curri (10.10.1974 – 15.4.1999)

Familja e Esad Currit nga fshati Shipitullë i Vushtrrisë, ishte vendosur në fshatin Mazgit të Kastriotit. Babai Esadi dhe nëna, Halime Sogojeva, rritën katër bij: Mexhidin, Feridin, Petritin e Nusretin dhe dy bija: Hanumshahen dhe Mirishahen.
Feridi lindi më 10 tetor të vitit 1974 në Mazgit. Shkollën fillore e mbaroi në fshatin e lindjes e në Kastriot (ish-Obiliq). Në Kastriot mbaron edhe shollimin e mesëm. Duke qenë se ishte i zgjuar në mësime, regjistrohet në Fakultetin e Elektroteknikës në Prishtinë. Asokohe studentët shqiptarë qenë dëbuar me dhunë nga ndërtesat e fakulteteve të tyre. Ata mësonin nëpër shtëpi private, nëpër bodrume shtëpish, por edhe atje duke qenë prore të rrezikuar nga policia, për shkak të përndjekjes dhe segregacionit serb. Feridi, ashtu sikurse mijëra studentë të tjerë, qysh i ri e ndien mbi kurriz peshën e rëndë të robërisë. Ai me kohë ishte ndërgjegjësuar se lufta e armatosur për liri ishte e pashmangshme. Merr pjesë në demonstratat studentore të 1 tetorit të vitit ‘1997, të organizuara në Prishtinë, nga rinia militante studentore e Universitetit të Prishtinës. Stina e luftës së UÇK-së, atë e gjeti të përgatitur fizikisht dhe shpirtërisht për të përballuar me sukses sfidat dhe për fja larë borxhin atdheut. Në verë të vitit 1998, duke kaluar nëpër malet e Qyqavisë, Feridi depërton në Drenicë, me qëllim për t’u inkuadruar në radhët e UÇK-së. Mirëpo, ishte koha kur vullnetarë për të luftuar kundër forcave okupatore kishte shumë, ndërsa armë për të iu kundërvënë me sukses, kishte fare pak. Feridi kthehet në fshat dhe pa vonuar kontakton me luftëtarët e UÇK-së të pikës së Grabocit.
Atje së bashku me vëllanë e tij, Petritin, sistemohet në njësitin e komandantit lokal, Abedin Sogojeva, i cili kishte krijuar një njësit me luftëtarë të Grabocit dhe fshatrave përreth.
Në shtëpinë e Abedin Sogojevës, asokohe ishte baza ku ushqeheshin, pushonin dhe trajtoheshin dhjetëra luftëtarë të Grabocit dhe të fshatrave përreth. Më 2 shtator 1998, dëshmori Ferid Curri dhe vëllai i tij, Petriti, inkuadrohen në radhët e njësitit ushtarak të Grabocit, i cili njësit bënte pjesë në Brigadën 114 të Zonës Operative të Drenicës. Kjo brigadë pas rënies së Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, më 22 shtator të atij viti, do të emërtohet me emrin e dëshmorit Fehmi Lladrovci.
Në këtë njësit, bënin pjesë luftëtarët: vëllezërit, Ferid dhe Petrit Curri, Abedin Sogojeva, Mirsad Sogojeva, Ali Sogojeva, Ridvan Krasniqi, Fidaim Berisha, Bedri Berisha, Shaban Berisha e shumë të tjerë. Asokohe në radhët e UÇK-së në Zonën Operative të Llapit inkuadrohet edhe vëllai tjetër i Feridit, Mexhidi.
Në kohën e ofensivës serbe të 22 shtatorit të vitit 1998, ky njësit merr pjesë në luftimet që asokohe zhvilloheshin në malet e Qyqavisë dhe në ruajtje të pikës strategjike të Grabocit. Në nëntor të vitit 1998, Ferid Curri me bashkëluftëtarin e tij, Shaban Berisha dhe me disa luftëtarë të tjerë, rrugëton për në Shqipëri, me qëllim për t u pajisur me armë dhe municion meqë ndihet mungesë e theksuar sidomos në zonat periferike të luftës së UÇK-së.
Pas fillimit të bombardimit nga aeroplanët e NATO-s kundër makinerisë ushtarake serbe, armata serbe filloi ofensivën e përgjithshme kundër pozicioneve të UÇK-së, si dhe ofensivën po kështu strategjike për dëbimin e popullatës shqiptare nga trojet e veta.
Serbët depërtojnë edhe në fshatrat e Kastriotit e të Fushë Kosovës, që ishin periferi e luftës së UÇK-së, e cila tanimë ishte zgjeruar në të gjitha zonat e Kosovës.
Babai i Feridit, me familje si dhe shumë banorë të fshatrave Mazgit, Hade, Shipitullë, Graboc etj. detyrohen të largohen nga votrat e tyre. Përderisa ata pas shumë mundimeve arrijnë të depërtojnë në Shqipëri, Ferid Curri me shokë qëndron në vijat e frontit të luftimeve.
Më 14 prill të vitit 1999, forcat serbe marrin në shënjestër pikat ushtarake të Grabocit. Pikën e parë të rezistencës së armatosur e udhëhiqte, komandanti, Abedin Sogojeva me dhjetëra luftëtarë. Pika e dytë udhëhiqej nga Arsim Sogojeva, ndërsa pikën e tretë të rezistencës e komandonte Ali Berisha. Pozicioni i forcave të UÇK-së ku ndodheshin në vijën e parë të zjarrit Ferid Currri, Petrit Curri e të tjerë, ndodhej në vendin e quajtur, Arat e Muzhakëve, në hyrje të fshatit.
Forcat serbe, pasi identifikojnë fortifikatat e UÇK-së sulmojnë me armë të rënda të artilerisë me tanke, topa kalibrash të ndryshëm me minhedhës e praga. Popullata civile ishte strehuar nëpër male dhe ndodhej në rrezik nga granatimi i pandërprerë.
Ndërkohë luftëtarët e pikave të rezistencës hetojnë se forcat serbe bënin përpjekje të depërtonin prapa shpine të njësiteve të UÇK-së.
Komanda kishte urdhëruar që nga pikat të tërhiqeshin Petrit Curri, Adnan Sogojeva dhe Xhevat Sogojeva, të cilët duhej të pozicionoheshin në drejtim nga ku forcat serbe përpiqeshin të futeshin pas shpine . Abedin Sogojeva dhe Ali Sogojeva, të cilët koordinonin veprimet, pas disa orë luftimesh, hetojnë se pika ku ishin të pozicionuar Ferid Curri, Fidaim Berisha e luftëtarë të tjerë, nuk ishte në veprim. Ata ndërkohë kuptojnë se Feridi, Petriti dhe Fidaimi kishin marrë plagë të rënda. Bashkëluftëtarët arrijnë ti tërheqin nga vija e zjarrit. Të plagosurve për tiu dhënë ndihmë mjekësore kishte shkuar mjeku i togut, doktor Ridvan Krasniqi. Mjeku kishte identifikuar rreth tridhjetë plagë që Feridit i kishte shkaktuar predha e minahedhësit. Tërë trupi i tij ishte me copëza të predhave. Ndihma mjekësore ishte e kotë. Pak orë më vonë, Feridi thith për herë të fundit ajrin maleve të Grabocit të bërë tym e blozë nga zjarri i luftës. Bashkëluftëtarët e varrosin gjatë natës në Grabovc.
Babai, Esadi me bashkëshorten Halimen dhe me anëtarë të tjerë të familjes, ishte vendosur në Burrel të krahinës së Lumës, në Shqipëri. Ndërkohë i shkon lajmi për rënien dëshmorë të dy bijve. Ai, së bashku me bashkëshorten qëndrojnë burrërisht dhe presin ngushëllime për dy bijtë të rënë dëshmorë. Më vonë, përmes lidhjesh telefonike mësojnë se Petriti kishte marrë plagë dhe ishte shëruar, ndërsa në altarin e lirisë, më 15 prill të vitit 1999, ka rënë në përjetësi, djali i tyre Feridi, 25 vjeçar.
Pas dëbimit nga Kosova të forcave ushtarake e policore serbe, familja e Esad Currit kthehet në Kosovë nga Burreli, ku ishte mirëpritur vëllazërisht.
Në përvjetorin e parë të rënies, më 15 prill të vitit 2000, trupin e dëshmorit Ferid Curri, bashkëluftëtarët e varrosin në Varrezat e dëshmorëve, në Prishtinë. Në vendrënien e tij, në Grabovc, është ngritur pllakë përkujtimore. Emri i tij rrezaton edhe në mesin e dëshmorëve të tjerë në qendër të Kastriotit. Një pllakë përkujtimore, familja i ka ngritur edhe në vendlindjen e tij, në fshatin Mazgit, ku jetojnë prindërit e dëshmorit, me bijtë e bijat, me nipat e mbesat, duke e kujtuar me mall e krenari Feridin, dëshmor.
Familja e dëshmorit Ferid Curri ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga Kuvendi Komunal i Kastriotit, nga Brigada 114 “Fehmi Lladrovci” dhe mirënjohje të tjera.
Për jetën dhe veprën e dëshmorit janë botuar shkrime në gazetat e përditshme, si dhe në librin “Në kërkim të dijes dhe të lirisë”, botuar nga Universiteti i Prishtinës. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Jahë Tahir Hasani (1.12.1971 - 28.4.1999)

Jahë Tahir Hasani (1.12.1971 – 28.4.1999)

Në një familje malësore bujare në Bederianë (ish-Bërvenik) të Orllanit, që nuk u gjunjëzua kurrë …