Fetah Ali Kiçina (5.4.1979 – 17.4.1999)

Fetah Ali Kiçina (5.4.1979 – 17.4.1999)

Unë e kam vendosur me një: ja të vdes, ja të fitoj!”. Këto fjalë ia kishte thënë dëshmori Fetah Kiçina gjyshes së vet, porosi për babain, kur kishte marrë vendimin për t’u mobilizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kur në vjeshtë të vitit 1998 i ishte bashkuar grupit të luftëtarëve që do të shkonte për në Shqipërinë e përtejkufirit të robërisë serbe, i prirë nga dëshmori emblematik, Mujë Krasniqi, me qëllim të bartjes së armatimit e të municionit luftarak për nevojat e luftës çlirimtare, e kishte njoftuar babain, Aliun, duke i thënë: “Me para, a pa para, e kam sos të shkoj”. Babai i ishte përgjigjur me dhënien e pëlqimit: “Për hair qoftë!”. Dhe Fetahu ishte nisur drejt kufirit me vetëm njëqind marka gjermane në xhep, sepse të tjera nuk kishte as i ati…

Njërin prej gjashtë fëmijëve të tyre, bashkëshortët Ali e Haxhere Kiçina e kishin rritur për t’ia falur lirisë së Kosovës. Biri i tyre dëshmor, Fetahu, ishte bërë shembull frymëzimi për vëllezërit e motrat e tij: Bajramin, Beratin, Miradien, Fixhrien e Nazlien dhe për gjithë bashkëmoshatarët e tij të cilët e kishin njohur, kur ai në vitin 1998 i kishte ndërprerë mësimet e shkollës së mesme teknike të Drenasit për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dëshmori Fetah Kiçina është i lindur më 5 prill të vitit 1979 në Baicë të Drenasit. Në shkollën fillore “Migjeni” të vendlindjes, e kishte kryer arsimin fillor. Aksionet çlirimtare të njësiteve të UÇK-së në trevën e Drenicë, pas rënies së Komandantit Legjendar Adem Jashari, në fillim të marsit të vitit 1998 në Prekaz, e kishin ngritur peshë zemrën e këtij të riu, të cilit i flinte në ndërdije ngjarja e flijimit të të gjyshit, Aliut në betejat e kryengritësve atdhetarë të Shaban Polluzhës, në fillim të vitit 1945, kur Kosovës po i rivëhej zgjedha serbe. Prandaj, kur në pranverë të vitit 1998, në Baicë te vendi i quajtur “Te Zabeli” ishte formuar pika e parë ushtarake, ai u bë mbështetje e saj, duke vëzhguar terrenin në fshat e përreth tij deri në Çikatovë dhe duke kryer detyra të tjera me të cilat garkohej. Përgjegjës i kësaj pike ushtarake ishte luftëtari dhe kushëriri i Fetahut, Fatmir Kiçina. Në këtë periudhë kohore ai ishte pajisur me pushkë M-48. Derisa ishte duke bërë roje në këtë pikë ushtarake, një natë aty arrin grupi i armatosur i pjesëtarëve të UÇK-së, nga treva të ndryshme të Kosovës. Armët që kishte sjellur ky grup luftëtarësh ishin shpërndarë në pikat ushtarake të fshatrave të ndryshme, ndërsa për t’iu bërë konak këtyre luftëtarëve, Fetahu kishte kërkuar nga bashkëfamiljarët e vet që ta lironin shtëpinë.

Pas ofensivës serbe në shtator të vitit 1998 dhe rënies së dëshmorëve Fehmi e Xhevë Lladrovci, të cilët për rininë e kësaj treve e të mbar Kosovës kishin qenë simbole të luftëtarëve të lirisë, Fetahu kishte veshur uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë kësaj ofensive, ai ishte angazhuar në bartjen e topit e të mitralozit për në pikën ushtarake të fshatit të tij të lindjes. Në këtë kohë popullata e fshatrave të zonës së luftimeve ishte zhvendosur nga vatrat e veta dhe ishte strehuar nëpër male e gryka malesh, prandaj edhe popullata e Baicës ishte strehuar në grykën e fshatit Vuçak të Drenasit.

Në nëntor të vitit 1998, një grup luftëtarësh nga treva e Drenicës e më gjerë, të prirë nga luftëtari Mujë Krasniqi ishte nisur për të shkuar në territorin e Shqipërisë për t’u pajisur me armë e municion. Këtij grupi i ishte bashkuar edhe dëshmori Fetah Kiçina së bashku me luftëtarët Faton Gjylani nga Baica (dëshmor), Xhevdet Topallaj nga Baica, Avni Lestrani nga Baica (dëshmor), Gazmend Nebihu nga Domaneku, Fehmi Hoti nga Çikatova e të tjerë. Pasi luftëtarët çlirimtarë kishin arritur në Shqipëri dhe ishin armatosur, më 13 nëntor 1998, Mujë Krasniqi kishte vendosur të printe për në Kosovë. Në kushtet e vështira klimatike, për shkak të motit me acar e me dëborë, ai ua kishte mbajtur një fjalë rasti bashkëluftëtarëve, duke kërkuar prej atyre që mund të mos i përballojnë kushtet e vështira të udhëtimit, të mos niseshin deri në një moment tjetër më të përshtatshëm. Megjithatë, rrugën për kthim në Kosovë e kishin marrë 143 luftëtarë në ballë me Mujë Krasniqin-Komandant Kapuçi. Në mëngjesin e 14 – të të atij nëntori, në Pashtrik rrugës për në Gorozhup, forcat serbe sulmojnë nga prita duke zbrazur breshëri armësh në mesin e kolonës me qëlim të ç‘orientimit dhe asgjësimit të tyre. Në atë rast fillon betejë e ashpër e në distancë të vogël ndërmjet forcave të pushtuesit dhe çlirimtarëve. Në këtë betejë bien luftëtarët e sprovuar Mujë Krasniqi, vëllai i tij, Ali Krasniqi, Beqir Gashi dhe 33 luftëtarë të tjerë. Disa luftëtarë u plagosën, nëntë të tjerë u zunë robër dhe disa ishin mërdhirë në dëborë. Humbje kishte pësuar edhe sulmuesi serb. Pjesën tjetër të luftëtarëve, të cilët kishin qenë në pjesën e dytë të kolonës, në mesin e të cilëve edhe dëshmori Fetah Kiçina, zjarri i armikut e kishte zmbrapsur brenda territorit të Shqipërisë. Ata hynë në Kosovë disa kohë më vonë, në zonën e Junikut.

Pas kthimit me armatim nga Shqipëria, Fetahu mori pjesë në aksione të njëpasnjëshme luftarake kundër pushtuesit serb në fshatrat Gergjicë, Fatos (ish-Negrovc), Abri, Qëndresë (ish-Terstenik) e vende të tjera ku tashmë vepronte Brigada 113 “Mujë Krasniqi” e UÇK-së.

Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999, ndihmoi edhe në bartjen e ushtarëve të plagosur në betejat e ashpra e të përditshme që po zhvilloheshin ato ditë, për në Shqipëri me qëllim shërimi. Trupat e pushtuesit serb po përpiqeshin për jetë a vdekje ta godisnin e dëmtonin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke mos e kursyer as popullsinë civile. Tashmë Fetahu me bashkëluftëtarë i kishte pozicionet luftarake në malin e Kozmaçit, prej ku mund të mbrohej edhe popullata e strehuar në male. Në kushtet e rrethimit nga armiku i egërsuar barbar, kjo popullatë kishte edhe mungesë ushqimi. Prandaj, me qëllim të sigurimit të miellit e të gjërave të tjera ushqimore, mbrëmjen e asaj dite Fetahu së bashku me bashkëluftëtarët Agron Elshanin, i cili ishte ne rolin e organizatorit për t’i ofruar ndihmë popullatës, jo vetëm për t’i mundësuar atyre strehimin dhe evakuimin, por edhe me gjëra ushqimore. Së bashku me Xhevdet Kiçinën nga Baica dhe Hafir Tahirajn nga Tërdevci, kishte depërtuar tek shtëpitë e fshatit Baicë, ku kishin gjetur një sasi të vogël të miellit, ata e kishin ngarkuar këtë sasi të miellit dhe disa gjëra ushqimore në një kerrstinë, të cilën e kishte siguruar Agroni dhe ishin nisur në drejtim të Drenasit ( ish Gllogovc), duke e tërhequr qerren vetë, në mënyrë që të mos diktoheshin nga forcat serbe. Mirëpo, këto forca ishin pozicionuar në  fshatit Baicë, saktësisht në lagjen e Lestranëve, tek rampa e hekurudhës, prej ku mund të goditeshin pozicionet e UÇK-së në Kozmaq. Te rampa, papritmas bien në pritë të forcave paramilitare serbe, Fetahu me bashkëluftëtarët në fjalë, me ç‘rast ishte zhvilluar një betejë me shkrepje të dyanshme armësh në distancë të vogël.

 Në këto luftime bie dëshmor Fetah Kiçina, ndërsa ishin plagosur, Agroni, Xhevdeti dhe Hafiri. Këtu Agroni, kishte arritur të zbrapste një sulm të papritur nga një distancë e vogël dyluftimi. Të vrarë e të plagosur kishte pasur edhe në radhët e armikut në pritë. Atë natë, bashkëluftëtarët e varrosin trupin e dëshmorit Fetah Kiçina në afërsi hekurudhës në hyrje të fshatit Baicë. Rivarrimi i tij u bë pas përfundimit të luftës. Lulet përherë të freskëta te vendi i rënies dhe përmendorja në fshatin Baicë e dëshmorit Fetah Kiçina, sot e përgjithmonë dëshmojnë qëndresën e këtij luftëtari të lirisë dhe shokëve të tij të armëve, si argument i përjetshëm se liria fitohet vetëm me gjak. Vetëm disa javë më vonë, tokën stërgjyshore e lau me gjak edhe dëshmori Rasim Kiçina, i cili për dëshmorin Fetah Kiçina, nuk ishte vetëm kushëri, por edhe model i luftëtarit të lirisë.

Në shenjë hakmarrjeje për sulmin serb, nga prita të 17 prillit, të nesërmen, më 18 prill, komandanti i njësisë ku kishte qenë Fetahu me shokë, Fatmir Kiçina kishte ndërmarrë një aksion sulmi kundër pozicioneve serbe, me ç‘rast ishin vrarë shtatë militarë serbë. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 - 29.3.1999)

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 – 29.3.1999)

Menjëherë pas 24 marsit të vitit 1999, pas bombardimeve të NAT0-s mbi forcat çetnike serbe, …