Arrestimi i pjesëtarëve të UÇK-së mund të kuptohet si vazhdimësi e luftës hibride serbe ndaj Republikës së Kosovës.
Serbia vazhdon me arrestime të njëpasnjëshme të pjesëtarëve të UÇK-së, duke pretenduar se kanë kryer krime lufte gjatë viteve 1998–1999. Serbia, në vazhdimësi me narrativën e saj, po tenton që para popullit të vet dhe faktorit ndërkombëtar UÇK-në ta paraqesë si organizatë terroriste, kinse ka kryer krime lufte. Këto arrestime Serbia po përpiqet t’i përdorë si mjet presioni politik ndaj Kosovës; rrjedhimisht, ato janë pjesë e strategjisë edhe për konsum të brendshëm politik në vetë shtetin serb.
Arrestimet e qytetarëve kosovarë, sipas tyre, ndodhin me arsyetimin kinse për trafikim armësh, organizim kriminal dhe terrorizëm, e që në fakt, mendoj se Serbia po bën hakmarrje politike dhe luftë speciale për humbjet që i ka pësuar në raport me Kosovën. Përveç kësaj, mendoj se Serbia këto arrestime i ka në strategjinë e saj për të destabilizuar Kosovën, me qëllim që të fitojë avantazh në qarqet ndërkombëtare.
Institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar shumë herë për rrezikun e madh që i pret ish-luftëtarët nëse ata udhëtojnë nëpër Serbi. Andaj, personalisht më habit fakti pse pjesëtarët e UÇK-së dhe Policisë së Kosovës e nënvlerësojnë situatën politike mes dy shteteve, kur dihet se tani më është dëshmuar se Serbia në vazhdimësi po arreston kosovarët pa dhënë detaje e as llogari, madje as para faktorit ndërkombëtar.
Fakti i dytë që na habit të gjithëve ka të bëjë me mosmonitorimin e këtyre arrestimeve arbitrare nga faktori ndërkombëtar, njëherësh edhe me neglizhencën e tyre për të ushtruar presionin e duhur në zbatimin e ligjit ndaj të arrestuarve nga Kosova.
Arrestime të tilla nga autoritetet serbe, sigurisht, do të ketë edhe më tej, meqë Serbia posedon listën e zgjeruar të pjesëtarëve të UÇK-së. Andaj, duhet zbatuar mesazhi nga institucionet e Kosovës për të mos udhëtuar nëpër territorin serb, por të shfrytëzohen shtete dhe rrugë të tjera, në mënyrë që të mos arrestohen qytetarët e Republikës së Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
