Filluan punimet në ndërtimin e sheshit, rrugëve, infrastrukturë nëntokësore dhe mbitokësore në Klinë

Qeverisja lokale në Klinë, nën udhëheqjen e kryetarit Sokol Bashota, po vazhdon realizimin e projekteve infrastrukturore, të cilat drejtpërdrejt ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve. Të premten është përuruar fillimi i punimeve në njërin ndër projektet më kapitale të pasluftës në këtë komunë, ai i ndërtimit të sheshit, rrugëve në qytet, infrastruktura nëntokësore dhe mbitokësore. Ky projekt do të realizohet me mjete të buxhetit të Komunës dhe kushton hiç më pak se 1, 423. 328 euro. Me këtë projekt, qyteti i Klinës do të marrë një pamje të një qyteti evropian. Punimet përfshijnë fillimisht punët përgatitore, pastaj demolimet, gërmimet, punët ndërtimore, instalimet hidroteknike-ujësjellësi, kanalizimet fekale, atmosferike dhe punët në instalimin e ndriçimit dhe energjetikës. Në ceremoninë përuruese të fillimit të punimeve, Kryetari Bashota,  bashkë me qytetarët kanë prerë shiritin e përurimit dhe ka uruar klinasit për këtë projekt të rëndësishëm. “ Jemi duke punuar për dhe në shërbim të qytetarëve. Kjo që po bëjmë sot do të jetë mrekulli, jo vetëm për komunën tonë, por edhe për komunat tjera. Ata që kanë biznese afër, rrugët do t’i kenë të hapura gjithmonë. Kjo rrugë nuk po bëhet vetëm për çështje individuale e as për t’u dukur e bukur, por mbi të gjitha që të jetë në shërbim të qytetarëve. Ne do të vazhdojmë të realizojmë edhe projekte tjera për të përmirësuar jetën e qytetarit tonë”, ka thënë kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota. Po ashtu të premten, zyrtarisht kanë nisur punimet edhe në asfaltimin e rrugës “Maliq Xhema” në qytetin e Klinës, e cila është e gjatë 415 metra. “Me asfaltimin e kësaj rruge po krijojmë lehtësi në lëvizjen e banorëve të kësaj pjese. Pushteti lokal është i përkushtuar të punojë në të mirë të qytetarëve”, ka thënë me këtë rast Bashota.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë, …