leoni

Fitim Çaushi

Fitim Çaushi: Një lektorium për Ministren Margariti I

Po kalojnë mbi dy muaj, që Shoqata “Labëria” Nderi i Kombit, i ka dërguar Ministres së Kulturës Ilva Margariti, Rezolutën e Simpoziumit “Polifonia shqiptare, vlerë e krijimtarisë shpirtërore të popullit shqiptar” dhe ende nuk ka marrë përgjigje, ndonse problemi është fare i qartë: Vasil Tole, depoziton individualisht në UNESCO dosjen për “isopolifoninë” shqiptare, motivuar me prejardhje nga sirenat, mbështetur teorikisht edhe prej studimit “Odisea dhe sirenat grishje drejt viseve isopolifonike të Epirit”. (Vasil. S. Tole, Enciklopedia e isopolifonisë, UEGEN 2007, f. 129)

Në esencë shqetësimi i Shoqatës “Labëria” dhe shumë intelektualëve, muzikantëve, studiuesve është: “deformimi i emërtesës së Polifonisë shqiptare në “isopolifoni” me prejardhje nga sirenat, të cilat Vasil Tole i vendos në Epirin e Jugut me etnitet grek dhe shtrirje deri në Shkumbin”. Për Ministrinë e Kulturës, duhet të sjellë shqetësimin, se; kultura polifonike e popullit shqiptar, është e prejardhur prej kulturës së lashtë greke, e cila ka lulëzuar në trojet e Epirit, ku sot banojnë shqiptarët!

Këtë e dëshmon edhe libri i Vasil Toles, në UNESCO: “Festat për nder të Dionisit shënonin fillimin e sezionit të shfaqeve teatrore në Athinë. Pjesëmarrësit në to, dashje pa dashje shndroheshin në bartësit e parë të trashëgimisë folklorike që po lindte në një truall shumë të begat etnografik, siç ishte në fakt Greqia e lashtë”.(Vasil S. Tole, Odisea dhe sirenat… f 59) Vasil Tole e ka futur librin e sirenave në dosjen e UNESCO-s, për të dëshmuar, se bartësit e parë të trashëgimisë folklorike në truallin Ballkanik, kanë qenë grekët e lashtë të Athinës, jo ilirët e lashtë! Tole për studimin e trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar, hulumton jo në territorin  shqiptar, por në Greqinë politike, në Epir! Çduan festat dionisjake në Epir, ndërkohë që në epokën antike s’ka patur grek? Atje kanë banuar Thesprotët!

Pasi u ekspozua keq nga simpoziumi i Shoqatës “Labëria”, Tole, tek emisioni i Mustafa Nanos, mashtroi opinionin shoqëror, se gjoja në UNESCO kishte futur “polifoninë me iso”, jo “isopolifoni”, por nga “përkthimi anglisht”, fjala “iso” ka dalë përpara emrit”! Kjo manovër e prezanton Vasil Tolen si karakter të degraduar, sepse në librat shqip: “Odisea dhe sirenat…”, “Enciklopedia e isopolifonisë” dhe “Pse qajnë kuajt e Akilit”, në mënyrë konstatante ka stampuar qindra herë termin “isopolifoni” dhe jo “polifoni me iso”, çka provon, se në UNESCO, nuk ka influencuar anglishtja për emërtesën “isopolifoni”.

Jemi të detyruar t’u sjellim specialistëve të Ministrisë së Kulturës dhe Akademisë së Shkencave, disa spekulime të Vasil Toles: ”Në lidhje me këtë veçori tingullore të sirenave, na vjen mirë të pohojmë, se ka një përqasje me mendimet më të përhapura mbi veçoritë e zërave këngëtorë të iso-polifonisë së shqiptarëve“ (Odisea dhe sirenat…f. 15) Për Vasil Tolen, ekzistojnë dy “isopolifoni” të ndryshme; “isopolifonia” e sirenve në Greqi dhe “isopolifonia” shqiptare, të cilat kanë përqasje mes tyre, pavarësisht se ndodhen në vende të ndryshme; sirenat në Epirin e jugut dhe shqiptarët në Epirin e veriut. Kjo dinakëri e Vasil Toles e kushtëzon polifoninë shqiptare në djepin e sirenave greke: “Lidhja e udhëtimit të Uliksti…se ai do të ballafaqohej me sirenat, është tjetër dëshmi e lidhjes që kanë Sirenat dhe kënga e tyre, me prejardhjen dhe shtratin e vërtetë të dukurisë së jashtëzakonshme muzikore të iso-polifonisë”.( Odiseu dhe sirenat …f.14)

Sipas Vasil Toles, dukuria e “isopolifonisë”, e ka shtratin e vërtetë te kënga e sirenave! Për ta vulosur “shpikjen” anormale, akademiku Tole e njeson këtë gjenezë edhe me polifoninë labe: ”Zëri i Sirenave ishte i veçantë për shkak të teksturës vajtimore iso-polifonike të tyre, veçori të cilën ende sot e gjejmë tek iso-polifonia labe, në ish trojet e Epirit të dikurshëm antik. Mjaft tipike është borobitja labe (mbartëse e isopolifonisë së fshehur) si dhe i kënduari i njohur si dy dhe tre vetçja isopolifonike e Dukatit.”(Odisea dhe Sirenat… f.24-25) Vetëm Vasil Tole mund të dëgjojë te polifonia e sotme labe, ende zërin e sirenave greke! Këtë pseudoargument të librit, Vasil Tole e ka futur edhe në videofilm dërguar UNESCO-s: “Ne besojmë se zëri i Sirenave ishte karakteristik, jo vetëm për shkak të bukurisë së tyre në vetvete, por çka ishte më e rëndësishme, për shkak të tekstit iso-polifonik vajtues, një veçori që e gjejmë akoma në Iso-polifoninë Labe të sotme në territoret e ish Epirit të lashtë”. (videofilmi në linkun: “archives/multimedia/document-610”) shih titrat në minutazhin 1.41- 1.53 të videofilmit).

Vasil Tole përpiqet të imponojë tezën, se polifonia labe e ka prejardhjen e largët nga sirenat greke! Si e dëgjoi Vasil Tole zërin e sirenave, tek kënga polifonike Labe, ndërkohë që sirenat si qenie ireale nuk kanë kënduar kurrë? Edhe për strukturën e polifonisë katërzërëshe të Shqipërisë së Jugut, Tole i referohet sirenave: “Nga vëzhgimi etimologjik i emrave të Sirenave, rezulton se Ligea është mbartëse e të qarit me dënesë, (me ligje, siç e themi ne e që lidhet aq ngushtë me vajtimin), Thelxipea është magjiplotë, Aglaopea e veçantë dhe Peisinoe e bindur. Mbështetur në një përqasje të këtyre veçorive etimologjike, duket se gjejmë në tiparet e tyre, tashmë si këngëtare, edhe një rreshtim strukturor të ngjajshëm me strukturën e vendosjes së zërave në iso-polifoninë popullore shqiptare. Më konkretisht të zërit të parë Marrësit si magjiplotë, II, Kthyesit si të veçantë dhe të zërit të III, Isos, e cila s’është gjë tjetër  veçse zëri i së bindurës Peisione.”(Odiseu dhe sirenat…f. 37)

Më të qartë se kaq Ministria e Kulturës dhe Akadamia e Shkencave, nuk do ta gjenin spekulimin e Vasil Toles për prejardhjen e “isopolifonisë” shqiptare prej sirenave mitologjike greke, madje mund edhe ta shikojnë në faqen zyrtare të UNESCO-s: Formulari “UNESCO ENTRY FORM” (videofilmi në linkun: “archives/multimedia/document-610”) është pikërisht “Dosja për Regjistrim në UNESCO” që kanë paraqitur, në vitin 2005, me nënshkrimin Vasil Tole.

Në librin, futur në UNESCO, Tole e ka theksuar prejardhjen e sirenave si qenie mitologjike greke: “Në mitologjinë e lashtë greke sirenat paraqiteshin gjysmë gra, gjësmë zogj.” (Vasil S. Tole, Odiseja dhe sirenat… f. 10) Këtë konstatim, e kanë legjitimuar dhjetra botime në Greqi, veçanërisht Fjalori i Mitologjisë Greke. Përderisa sirenat janë qënie mitologjike greke, përse të konsiderohet e prerjardhur prej saj “isopolifonia” shqiptare! Në “Dosjen për Regjistrim në UNESCO”, shkruhet: Etnomuzikologjia ka vërejtur ekzistencën e Sirenave në mitologjinë e stërgjyshërve tanë”. (Shih titrat në minutazhin 1.12-1.19 të videofilmit). Nuk e kuptojmë, se si Ministria e Kulturës pranon ekzistencën e sirenave në mitologjinë e stërgjyshërve të tyre? Ndoshta Vasil Tole rrjedh nga stërgjyshër grekë, po nuk ndodh që të parët e Mnistrisë së Kulturës të kenë qenë grekë? Si mundet të vazhdojë Ministria e Kulturës Shqiptare, të miratojë prejardhjen e polifonisë shqiptare prej sirenave greke? Pavarësisht se çfarë soji janë punonjësit e Ministrisë së Kulturës, këngën polifonike e kanë krijuar stërgjyshërit e shqiptarëve jo të grekërve!

Vasil Tole, duke futur në UNESCO sirenat e Epirit, si djepi i polifonisë shqiptare, operon me terma antike dhe jo politike. Në linkun “archives/multimedia/document-610”, domethënë në Formularin “Dosja për Regjistrim në UNESCO”, shkruhet: “Muzika iso-polifonike është përhapur në një territor gjeografik ku përfshihet shumica e Shqipërisë Jugore. Dy zona të mëdha gjeografike dallohen në këtë territor gjeografik: Toskëria dhe Labëria. Gjysma jugore e këtij vendi ka qenë quajtur Epir dhe ajo veriore është quajtur Iliria (Shih titrat në minutazhin 0.22-0.31 të videofilmit).

Me këtë ndarje, Tole e shkëput Shqipërinë e Jugut si Greqi, ndërsa Shqipërinë e Veriut e legjitimon si Iliri! E gjithë bota e qytetëruar komunikon zyrtarish me gjeografinë politike: Shteti i Turqisë, Shteti i Qipros, Shteti i Greqisë, Shteti i Shqipërisë, Shteti i Italisë, Shteti i Bullgarisë etj, ndërsa Vasil Tole shpie në UNESCO shtetin e Epirit (!) i cili nuk ekziston asgjëkundi! UNESCO, si institucion i OKB, nuk i njeh komunikimet antike dhe etnike, respekton institucionet shtetërore politike. Duke depozituar në dosjen e UNESKO-s Epirin, të cilin Tole e konsideron grek, me “isopolifoninë” e sirenave, depoziton në UNESCO kulturën e popullit grek: “Me të drejtë thuhet se arti i Greqisë së lashtë kaloi nga idea e kaosit tek ideja e botës harmonike … Iliada dhe Odisea përbëjnë burimin e parë historik, monumentin e parë të shkruar, i cili përshkruan aktet e trimërisë së parahelenëve në këtë epokë”. (Odisea dhe sirenat….f. 65-66)

Me këtë deklarim, Tole dëshmon se poemat epike Iliada dhe Odisea na përbëkan burimin e parë historik për aktet e trimërisë së parahelenëve! Ndonse pretendon se ka futur në UNESGO polifoninë shqiptare, Vasil Tole mohon kategorikisht ekzistencën e parailirëve tek Iliada dhe Odisea, në të cilat ka ngjarje, beteja dhe heronj me origjinë Dardane dhe Epiriote. Dr Hahn, gati 200 vjet përpara, ka shkruar: “Ne kemi arritur në përfundimin se maqedonasit dhe ilirët, të cilët ishin farefis midis tyre, formojnë një degë të madhe të mëvehtësishme të trungut ilir…si popuj më të vjetër se grekët në Ballkan”. (Hahn Georg von ”Albanessche Studien. Jena”, f.224)

Madje ish sekretari i Akademisë së Shkencave të Francës, shkrimtari i madh Moris Drynon, ka deklaruar: “Shqiptarët i përkasin popujve më të vjetër se vet historia dhe gjyshërit e shqiptarëve merrnin pjesë në Luftën e Trojës të udhëhequr nga Akili në njërën anë dhe Hektori në anën tjetër”( Horoskop, nr 4, 1999) Sigurisht ne nuk mund të jemi kategorik në këto argumente, sepse ka edhe teza të kundërta, ky privilegj i takon historianëve dhe gjuhëtarëve, por të deklarosh se poemat epike të Homerit janë me origjinë parahelene del qartësisht, se edhe të katër elementët e librit: Odiseja, sirenat, isopolifonia dhe Epiri, janë etnitete greke, për rrjedhojë edhe “isopolifonia” shqiptare që “buron” nga sirenat e “Odisesë”,  na qenkërka greke!

Vasil Tole “studion” polifoninë shqiptare në antikitet dhe shkruan vetëm për artin grek: “Me të drejtë Homeri konsiderohet si përfaqësuesi më i spikatur i artit Apolonian, si pasqyrë e epokës dhe e njerëzve që e kanë kristalizuar panteonin e famshëm  Olimpik”. (Odisesa dhe sirenat….f. 65-66) Të tilla vlerësime për artin grek në botën Homerike të poemave Iliada dhe Odisea. janë me shumicë në dosjen për polifoninë shqiptare në UNESCO! Këtë produkt të popullit shqiptar,  Vasil Tole e ka precizuar: “kulturë polifonike te grekët e Epirit”.

 Akademiku Demiraj e hedh poshtë këtë tezë: “Emri Epir me burim nga greqishta Eperios, është përdorur kryesisht nga grekët për të emërtuar vise në veriperëndim të trevave të mirëfillta greke…viset e të ashtuquajturit Epir, nga pozicioni i tyre gjeografik, duhet të kenë banuar qysh herët. Ndër të tjera atje duhet të ketë banuar edhe një popullsi më e lashtë, që zakonisht njihet me emrin pellazg. Banorët e kësaj zone, në lashtësi konsideroheshin nga grekët “barbarë”, flisnin një gjuhë ndryshe nga greqishtja. Mendimi i disa dijetarëve, sidomos grekë, që ata flisnin një dialekt të greqishtes nuk del i mbështetur. Përndryshe do të duhej pranuar që stëgjyshërit e banorëve shqipfolës të kësaj zone, kanë zëvëndësuar një popullsi të mëparëshme greqishtfolëse, çka nuk mbështetet as historikisht dhe as nga rrethanat e njohura. Mund të pohohet, se gjuha amtare në të ashtuquajturin Epir gjatë shekujve, duke përshirë edhe periudhën e lashtësisë, nuk ka qenë e ndryshme nga ajo e stërgjyshërve a shqiptarëve në përgjithësi.” (Sh. Demiraj, ”Epiri, Pellazgët…” f. 93-94)

Vasil Tole, për t’i dhënë Epirit përkatësi greke, me inisiativën private, apo urdhëra padronësh, i ka pasaportizuar sirenat në Epir: “Ne i përmbahemi idesë, se vendndodhjen e sirenave mund ta lokalizojmë pranë brigjeve të sotme shqiptare…” (V. S.Tole, Odisea dhe Sirenat… f. 41) Sikundër shihet, Tole i vendos sirenat pranë brigjeve të sotme të Shqipërisë politike, jo pranë brigjeve të Shqipërisë antike, ku fltet për sirenat. Në brigjet e Shqipërisë së sotme, Vasil Tole ka vendosur edhe kufirin greko-shqiptar: “Ende sot pika e kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë, mbart togfjalëshin kuptimplotë “Qafa e Botës”, ku shtrihet Shqipëria e Jugut.”( Pse qajnë kuajt e Akilit, f. 54)

Ndryshe ka pretenduar Tole: “Studimi “Odiseja dhe Sirenat…” niset nga shqetësimi i kahershëm për të zbuluar prejardhjen e tejlashtë të iso-polifonisë shqiptare… ekzistencën e iso-polifonisë qysh në kohrat e qytetërimeve antike.”(Vasil. S. Tole, Odisea dhe Sirenat, f. 7)

Ndonse pranon hershmërinë antike të studimit “isopolifonik”, Tole i vendos sirenat në kufirin shtetëror me Shqipërinë politike, por kufiri antik shqiptaro-grek, nuk shtrihet në “Qafë Botë”, shtrihet në Gjirin e Ambrakisë, Prevezë, sikurse e ka theksuar edhe akademiku Shaban Demiraj. (Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët, Tiranë 2008, f.52) Atje duhet t’i kishte vendosur Vasil Tole sirenat, jo pranë Qafë Botës në Konispol.

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kolegët e Agjencisë nuk na japin telefonin tonë satelitor. Çfarë të bëjmë me ta. (E diel 11 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Kolegët e Agjencisë nuk na japin telefonin tonë satelitor. Çfarë të bëjmë me ta. (E diel 11 prill, 1999)

Nga bodrumi i selisë jemi larguar me të aguar drita. Me shpejtësi kemi marrë të …