Fitim Çaushi

Fitim Çaushi: Një lektorium për Ministren Margariti II

Për ta prezantuar territorin matanë “Qafë Botës” si Greqi, Vasil Tole përdor si mbështetje krahinën e Sulit: “…ky territor i nëntokës, ku gjenden sipas Homerit kori i sirenave vajtore… mbitoka e tij e ruan ende sot, një ndër të vetmet tradita shumëzërëshe më origjinale të trashëgimisë shpirtërore botërore: vajtimin iso-polifonik dhe iso-polifoninë në tërësi”. (V.S. Tole, Pse qajnë kuajt e Akilit…f. 53) Shihet qartë tentativa diversioniste e Vasil Toles për ta konsideruar krahinën e Sulit dhe tërë Çamërinë si territor grek, e bashkë me këtë tërë Epirin deri në Shkumbin, ku Vasil Tole ka shtrirë hartën e “isopolifonisë”. Përderisa sirenat kanë pasaportën greke, përse Vasil Tole i pashaportizon ato si banore të Sulit dhe Çamërisë, të cilat etnikisht i përkasin arbërit? Shqyrtimi i çështjeve jashtë-etnomuzikologjike, sidomos kur shprehen mendime me karakter historik mbi Epirin dhe Çamërinë, mbi kufijtë jugorë të Shqipërisë, duhet të ishte objekt i veprimtarisë kërkimoro-shkencore të studiuesve të profesionit. Në rastin konkret, si objekt kryesor i etnomuzikologjisë, është kultura muzikore e banorëve të lashtë ilirë dhe ska pse Tole të vihet në rolin e historianit, etnologut, gjeografit.

Martin Liku, 220 përpra, do të shkruante: “Suliotët janë një farë e Çamërisë, njëra prej katër degëve të popullsisë shqiptare”. Edhe Pukëvili ka shkruar për këtë realitet: “Republika e Sulit rreth vitit 1660 përbëhej nga katër fshatra: Suli ose Kakosuli, Qafa, Avariko, Samoniva, fshatra këto me regjime të veçanta që ndiqnin traditat e lashta të shqiptarëve. Gjatë 40 vjetëve popullsia u shtua në shtatë fshatra të rinj…Tukididi thotë se epiriotët e mësuan gjuhën greke nga ambrasiotët që ishin fqinjë të tyre, provë kjo që dikur këta jetonin në Epir…” (F. Pouqueville, Voyage de la Grece, Paris, 1826, v. 3, f. 82)

Dr. Zeno Jahaj në gazetën Panorama, nga faqia zyrtare e UNESCOS, ekspozon këtë dokument: “Polifonia greke “Carevan” ruhet vetëm në zonën e Epirit në Greqinë Veriperëndimore, e regjistruar në UNESCO në Listën përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore jomateriale të njerëzimit”. (Panorama 17 maj 2023) Sikundër shihet, polifonia greke e Epirit ka hyrë në UNESCO para polifonisë shqiptare; prandaj Vasil Toles nuk i mbetej veçse ta prezantonte polifoninë shqiptare si derivat të polifonisë greke, me origjinë prej saj! Për polifoninë epiriote, të regjistruar në UNESCO si Kryevepër e Njerëzimit, studiuesi grek Nikos Dionisopulos më 6 tetor 1989, kumtoi në simpoziumin ballkanik të polifonisë organizuar në Tiranë: “Kushdo që studion këngën tradicionale greke, menjëherë e vërteton praninë e dy sistemeve të ndryshme muzikore. Të parin e hasim në Greqinë Kontinentale, në Steria, Epirius dhe Thesali…Për mendimin tim kjo është një polifoni primitive dhe rudimentale, një rast unik në një shumëllojshmëri të madhe melodish në këtë rajon. Në fund do të formulonim dy pyetje: A është rastësore që këto dy raste të polifonisë rudimentare në Karpathos, të lidhen me praninë e gajdes dhe ceremonisë së dasmës, dhe a janë këto, fenomene polifonike, apo janë dy raste pa implikime të mëtejshme si përjashtime më interesante të rregullës së monofonisë në muzikën lindore? (Kultura Popullore, nr 1, 1990, f. 94-96)

Një polifoni dyzërëshe rudimentare, primitive në kufi me Shqipërinë politike, ka hyrë në UNESCO, ndërsa polifonia shqiptare, e pangjajshme me një tjetër për nga pasuria melodike, strukturat dhe fakturat katërzërëshe, futetn në UNESCO nga Vasil Tole si “isopolifoni” me prejardhje nga sirenat greke! Ku e mori këtë guxim Vasil Tole, që e tjetërsoi krijimtarinë shpirtërore të popullit shqiptar, duke ia përcjellë një populli tjetër? Tole nuk ka sjellë qoftë edhe një sirenë për demostrim folklorik, apo e ka çuar në Ministrinë e Kulturës për festivalin folklorik? Ose Sirena të vijë në Ministrinë e Kulturës dhe Akademinë e Shkencave, ose ndryshimi në UNESCO, rrugë tjetër nuk ka. Vetëm kështu zgjidhet problemi. Shqiptarët nuk do ta pranojnë kurrë, se trashëgima e tyre shpirtërore është e prejardhur prej sirenave greke dhe një populli tjetër. Këtu do të mbyllej diskutimi dhe thesi i thashethemeve të Vasil Toles dhe mercenatëve të tij.

Qysh në vitin 2004, etnomuzikologu Sokol Shupo, ka shkruar: “Të dy “tezat” e mësipërme të Z. Tole, fshehin poshtë tyre një të tretë – tezën që termi iso Shqipëri vjen e përdoret i filtruar përmes kulturës dhe gjuhës greke”. (Panorama, 4-5 maj 2023)

Përkundër Vasil Toles, që e prezanton Uliksin si etnitet grek, Prof. Çabej sqaron: “Në artikullin e tij “Gjendja e sotme e studimeve ilire”, Karl Keren, shënon se prehistoriani gjerman Carl Schuchardt shikon te Odiseu “Ilirinë e vërtetë”, sepse ky mbretëron mbi ishuj që janë të sferës ilire dhe dallohet “me urtësinë dhe e me gjakun e ftohët të tij” prej heronjve të tjerë të Iliadës: Gjithçka te Odiseu është detari, gjithçka lot në Mesdheun perëndimor, gjithçka është mënyrë jetese dhe legjendë ilire”.(Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, Rilindja 1975, f. 100)

Me siguri Ministria e Kulturës nuk duhet ta dijë konfuzitetin e Vasil Toles në UNESCO: “Iso-Polifonia shqiptare rrjedh nga muzika kishtare bizantine”, linku- “albanian-folk-iso-polyphony-00155” Studiuesi italian Lorenco Tardo, ka pohuar traditën e lashtë tek arbëreshët: “Meloditë liturgjike në kompleksin e tyre të përgjithshëm i përkasin mbarimit të shek XIV dhe fillimit të shek XV, sepse shqiptarët morën me vete… një traditë provinciale dhe arkaike, një traditë, që duke qenë ruajtur në 400-tën dhe 500–ën, rrjedh nga koha e bazilejve e ndofta nga një kohë edhe më e lashtë”( Lorenco Tardo, “L’antica melurgia  bizantina” Grotta-ferrata, 1938 f. 111) Duke e çuar djepin e polifonisë në kohën e bazilejve shek IV-V të erës sonë, e ndofta edhe në një kohë më të lashtë, studiuesi italian i etnomuzikologjisë, e ka përjashtuar ngjajshmërinë me isonin e korit kishtar bizantin, spse isoni bizantin ka lindur disa shekuj pas këngës shqiptare. Përse duhet ta fuste Vasil Tole këtë element kompromentues për polifoninë shqiptare në UNESKO? A nuk kanë të drejtën studiues, muzikantë dhe qytetarë të thjeshtë t’i kontenstojnë këto veprime diversioniste të Vasil Toles?

Prof. Ramadan Sokoli qysh në Konferencën parë të Studimeve Albanologjike në nëntor 1962, e ka saktësuar:  “Meqënëse në muzikologji mbizotëron mendimi se grekët dhe romakët e lashtë nuk këndonin këngë polifonike, është shtruar çështja nëse polifonia e siujdhesës  ballkanike është me prejardhje të lashtë, e mbijetuar deri në kohën tonë, apo kemi të bëjmë me diçka të ardhur! Disa hulumtues e kanë kundruar polifoninë popullore të kësaj siujdhese, si rrjedhojë e ndikimit të liturgjisë bizantine, por ky hamendësim as është vërtetuar as është miratuar, madje është pohuar e kundërta: huazimet e liturgjisë kishtare nga traditat popullore…Polifonia popullore shqiptare, e cila shtjellohet në shkallë të gjymta pentatonike, nuk ka ndonjë lidhje morfologjike  me literarurën bizantine, e cila shtjellohet në shkallë modale heptatonike. Vetë tiparet origjinale të polifonisë sonë dëshmojnë se është trashëgimi e një tradite  të lashtë që ka lindur këtu në vend.”(Konferenca e parë Albanologjike, Tiranë 1965, f. 334)

Profesor Sokoli e ka sqaruar përfundimisht problemin për prejardhjen e këngës polifonike nga muzika bizantine, pa qenë nevoja që Tole ta shtrinte këtë problem deri në UNESCO. Kush ia kërkoi këtë ngjajshmëri të isos shqiptare me isonin bizantin, Vasil Toles? Prof. Beniamin Kruta ka theksuar: “Një fakt i rendësishëm që e bën kompleks problemin e gjenezës së burdonit dhe në të njëjtën kohë i vë një pikëpyetje ekzistencës së tij herët në këngën bizantine, është kënga polifonike e kishës ortodokse të arbëreshve të Italisë, e cila me gjithë lashtësinë e saj, nuk e njeh ison. Melurgjia liturgjike bizantine deri në shek. e XIV, kohë në të cilën nisin emigrimet arbëresheve për në Itali, ne truallin jugor të Shqipërisë zhvillohet pa iso-n”. (B. Kruta “Kultura Popullore”, 1991, nr. 1) Vasil Tole e kishte këtë pasuri shkencore nga profesorët e tij, sepse Beniam Kruta ka dhënë lëndën e etnomuzikologjisë në Institutin e Lartë të Arteve.

Etnomuzokologu Spiro Shituni, ka shkruar: “Vasil Tole u shfaq si mohues i tërë veprimtarisë kërkimoro-shkencore etnomuzikologjike të kryer nga studiuesit etnomuzikologë shqiptarë të mëparshëm, të vdekur ose të gjallë” Polifonia shqiptare është pasuri shpirtërore e tërë popullit shqipar dhe si e tillë ka fituar anonimatin. Askush nuk mund ta përvehtësojë dhe ta falsifikojë atë. Askush nuk e ka caktuar Vasil Tolen për ta falsifikuar dhe përvehtësuar këtë pasuri të shenjtë, sikur ta kishte pronë private, pavarësisht, se ai diti ta fshihte diversionin e tij kundër kulturës popullore shqiptare me bujën marramendëse të “Kryeveprës botërore”! Populli shqiptar donte ta gëzonte kulturën e tij, si kryevepër botërore, në vlerën e saj origjinale, si produkt i popullit shqiptar, jo si produkt i sirenave greke.

Të ushqyer me urrejtje ndaj Shoqatës “Labëria”, ndonjë mercenar i Vasil Toles, pyet: “Cili studiues shqiptar ka propoganduar, se polifonia shqiptare e ka origjinë në Labëri”? Këtë duhet t’i jipte përgjigje sektori i muzikës në Ministrinë e Kulturës,  por kemi rastin t’i kujtojmë babain e etnomuzikologjisë shqiptare prof. Ramadan Sokolin: “Polifonia jonë popullore në djepin e saj dhe në shtresimet e saj më të hershme, mund të duket si më e zhvilluar se në rrezatimet anësore. Nga kjo pikëpamje mund të mendohet se qendra e rrezatimeve të polifonisë sonë popullore është Labëria, aty ku kemi fakturat katërzërëshe, të cilat vijnë duke u pakësuar sa më shumë largohemi së andejmi”. (“Amza Letrare, 20 mars 2004, f.14)

Megalomani Tole ka patur kurajon ta poshtëronte kulturën popullore të zones veriore: “Iso-polifonia jonë popullore duhet konsideruar ashtu siç është: një fenomen elitar i të menduarit muzikor shqiptar e më gjerë ” Vaso Tole – Folklori muzikor -Polifonia shqiptare 1, Shtëpia botuese e librit universitar Tiranë 1999 f.16) Të pranosh se muzika tradicionale shumë-zërëshe e Shqipërisë së Jugut është elitare në krahasim me muzikën tradicionale një-zërëshe të Shqipërisë së Veriut, s’është veçse një qëndrim i njëanshëm estetik, një interpretim i gabuar i tipareve të tyre melodiko-modalë, një paragjykim apo qëllim i fshehur. As një dialekt muzikor nuk është superior ndaj një dialekti tjetër muzikor. Dialektet themelorë të muzikës tradicionale shqiptare, geg, tosk, lab, sikurse edhe grupimet muzikorë strukturoro-formalë bazë të saj, estetikisht, mbeten të barabartë.

Si mund të vazhdojë të pranojë Ministria e Kulturës, poshtërimin që Vasil Tole i ka bërë trashëgmisë shpirtërore të popullit shqiptar, si produkt kulturor i popullit grek?!  Më i çmuar për Ministrinë e Kulturës dhe Akademinë e Shkencave, na qenka një spekulator që poshtëron popullin shqiptar dhe krijimtarinë e tij shpirtërore, se sa populli shqiptar dhe intelektualët e tij muzikantë, kompozitorë dhe studiues?

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Vazhdon vala e pandalshme e të dëbuarve (E shtunë 17 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Vazhdon vala e pandalshme e të dëbuarve (E shtunë 17 prill, 1999)

Moti është përkeqësuar. Shi, stuhi, pastaj mjegull. Kemi mbetur në tendë dhe po presin derisa …