Smajl Latifi: U PËRJETËSUAN NË BETEJËN “TE STANET E MULLABAZIT”

Në 24-vjetorin e rënies heroike të dëshmorëve të lirisë, Milaim Morina dhe Xhevdet Krasniqi, në afërsi të Celinës, së bashku me familjarë, bashkëluftëtarë, miq e bashkëpunëtorë, sot, kemi bërë homazhe në kujtim të veprës dhe sakrificës sublime për lirinë e atdheut.
Milaimi dhe Xhevdeti, të dy bashkë janë gurë të çmuar në muret e kalasë së luftës për çlirimin e atdheut. Ata janë krenaria e fshatit Dejnë, janë shija e veçantë e batalionit tonë, janë rreze drite e trevës së Anadrinit, janë gjaku ynë që as nuk falet, as nuk shkelet. Pra, ata i dhanë peshë fshatit Dejnë, i dhanë forcë e gjallëri luftës sonë, i dhanë jetë e shpresë jetës sonë, i dhanë emër të mirë batalionit të tretë.
Milaim Morina dhe Xhevdet Krasniqi ishin të zgjuar dhe vepruan në periudhën ku gjumi ishte i barabartë me vdekjen. Nuk u ndalën, por vazhduan luftën edhe pas ofensivës armike të shtatorit 1998, kur ishte shumë vështirë të qëndroje në Kosovë. Ne i njohim mirë angazhimet e Milaimit dhe të Xhevdetit, të cilët jetuan, luftuan dhe dhanë jetën e tyre për çlirimin e vendit.
Stanet e Mullabazit, në kodrat afër fshatit Celinë, janë vendi ku ata u përjetësuan, në mëngjesin e 27 majit 1999. Rënia e tyre, në atë fund-maj e bëri edhe më të shtrenjtë lirinë e këtij trualli, të cilën UÇK-ja po ia jepte fitores që po afrohej.
Detyra jonë kryesore është ta ruajmë, ta çmojmë, ta duam, ta mbrojmë e ta jetësojmë idealin e dëshmorëve të kombit.
Përjetësisht nderime dhe lavdi dëshmorëve Milaim Morina dhe Xhevdet Krasniqi!

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …