leoni

Veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës në Veri, u dënuan unanimisht nga të gjitha autoritetet ndërkombëtare

Zhvillimet e fundit  në Veri të Kosovës, nuk ishin të papritura, por kriza vazhdon të thellohet, sidomos tani kur pothuajse të gjithë miqtë e partnerët tanë, dënuan veprimet e Qeverisë së Kosovës, për të vendosur në krye të komunave me shumicë serbe, kryetarët shqiptarë, të cilët fituan zgjedhjet, sepse serbët i bojkotuan ato.

Pavarësisht të gjitha kritikave, të cilat me siguri se nuk i kanë pritur autoritet e vendit, deklarata e fundit e kryeministrit, Albin Kurti, në një masë është befasuese, për të mos thënë edhe krejt shpërfillëse. Duke folur për zhvillimet e djeshme në veriun e vendit, kryeministri, ka thënë se është i vetëdijshëm dhe se i kupton shqetësimet e ngritura nga partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet e djeshme në veri, por se çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve. Ai ka ftuar qytetarët serbë të Kosovës që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre. Andaj, si Kryeministër u të gjithë qytetarëve, ftoj veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, të cilat do të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-gjuhësore dhe multi-partiake.

Ky raport me ndërkombëtarët, do të ketë një varg pasojash, sepse është hera e parë që një veprim i tillë, i pamatur i Qeverisë, kundërshtohet unanimisht nga të gjithë autoritetet, veçmas nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mendjelehtësia dhe naiviteti politik i kryeministrit, Kurti  dhe i kryetares, Vjosa Osmani, duke shpallur fitore kundër Serbisë postimin e katër kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe, është për keqardhje dhe na kthen kujtesën në vitet 90 në Kosovë, pas suprimimit të autonomisë së Kosovës nga Serbia, kur shqiptarët shumicë bojkotuan zgjedhjet e shpallura nga Serbia edhe pati jo pak “poshteni shiptari”, “shqiptarë të ndershëm” që morën pjesë në to.

Zgjedhja e një kryetari që ka fituar 100 vota në një komunë ku jetojnë mijëra serbë, është tërësisht punë e mbrapshtë, sepse dihet mirëfilli se asnjë serb nuk do të komunikojë me të, dhe nuk mund të marrë asnjë vendim, sado që postet e tyre janë të ligjshme, pasi kryetarja i kishte shpallur ato me të drejtën që e përkufizon Kushtetuta e Kosovës, edhe pse e paralajmëruar se serbët do t i bojkotojnë zgjedhjet e tilla, të cilat jo vetëm që nuk e zgjidhin çështjen, por e thellojnë krizën, sepse Kosova nuk e ka fuqinë ushtarake apo policore për të vendosur rend e ligj në veri, pasi këtë e kanë forcat paqeruajtëse të KFOR-it dhe Policia e EULEX-it, që veprojnë me mandatin e Rezolutës 1244, e cila  edhe 24 vjet pas luftës, ende e njeh sovranitetin e Serbisë në tërë territorin e Kosovës.

Aventurat në politikë gjithmonë kanë pasur dhe do të  kenë pasoja. Ato në fillim duken si fitore, por janë si zjarri i kashtës, që merr flakë shpejt, por po aq shpejt shuhet dhe lë pas vetëm hirin e zi, si katran. Ja si shprehet kryetarja, Vjosa Osmani, duke shkruar për zhvillimet e 26 majit në Veriun e vendit. Veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e bandave kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Qëndrueshmëria, jetëgjatësia dhe suksesi i këtyre veprimeve varen njëkohësisht edhe nga koordinimi me aleatët që ishin dhe mbeten garantues të sovranitetit dhe pavarësisë sonë. Bashkë, jemi gjithnjë më të fortë!”, ka shkruar ajo, me siguri para se t’ i ketë lexuar reagimet e autoriteteve ndërkombëtare.

Ajo madje kërkon mbështetje nga aleatët, të cilët i quan gatantues të sovranitetit, por janë pikërisht ata aleatë, që dënuan shumë ashpër të gjitha veprimet e policisë, të kryetares dhe të kryeministrit.

Është për keqardhje por deklaratat e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit janë në nivelin e  deklaratave të Nexhemdin Spahiut, i cili përpjekjet për vendosjen e kryetarëve shqiptarë në katër komunat e veriut, e quan më të rëndësishëm për vendin, sesa shpallja e pavarësisë së Kosovës. Nexhit, kontrovers  edhe i falet krahasimi, pasi askush nuk e përfillë deklarimin e një dështaku, por Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, përfaqësojnë Kosovën dhe çdo fjalë e tyre, çdo veprim i pamatur, rrezikon jo vetëm veriun por krejt Kosovën.

Veprimet në veri, pavarësisht se kanë bazë ligjore, do të kenë pasoja, pasi u morën pa koordinim me autoritetet, pa pëlqimin e tyre dhe krejt kjo u interpretua si thikë pas shpine. Ja si  shprehet Luan Dalipi, shefi i kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ai ka  reaguar kundër  autoriteteve me rëndësi ndërkombëtare pasi ata  unanimisht kritikuan Qeverinë për zhvillimet në Veriun e Kosovës. Zëdhënësi Dalipi është kundërpërgjigjur duke thënë se “ta mbyllim syrin ndaj sulmeve të institucioneve tona, “jo faleminderit”. Nëse ruajtja e ‘stabilitokracisë’ do të thotë mbyllja e syve ndaj sulmeve të orkestruara kundër institucioneve tona nga një grusht kriminelësh dhe huliganësh të paguar nga Beogradi dhe në listën e zezë të Thesarit në Amerikë atëherë jo faleminderit, ka saktësuar ai.

I njëjtë dhe në mënyrë edhe më naive është shprehur ministri, Xhelal Sveçla i cili ironizon qëndrimin e Amerikës dhe të autoriteteve të shumta ndërkombëtare. Ai tha se  etiketimi i veprimeve të ligjshme të policisë si veprime të dhunshme, dhe operacionit të saj në veri si dhunë, është ftesë për Radojçiqin për të sulmuar policët e Kosovës. Xhelal ministri ia ka kujtuar Amerikës, Milan Radojçiqin e futur në listën e zezë,  për të komanduar mashtruesit e tij për të sulmuar policët e Kosovës”, ka shkruar Sveçla.

Edhe partitë opozitare në Kosovë, ashtu sikur edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama,  kanë shprehur brengat e tyre lidhur me përkeqësimin e situatës në veri të vendit, e cila i shkon përshtati Serbisë, pasi të gjitha prononcimet  e autoriteteve ndërkombëtare dënuan njëzëri intervenimin e Policisë së Kosovës, në mbështetje të kryetarëve për të hyrë në zyrat e tyre nëpër komuna ku i kanë fituar zgjedhjet, me minimumin e votave.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës, të shfrytëzojë gjithë potencialin e vet diplomatik e shtetar e të koordinojë çdo përpjekje me aleatët tanë ndërkombëtarë në mënyrë që të sigurojë funksionimin e rregullt të institucioneve tona në veri të Kosovës. Përgjegjësia dhe sjellja e matur në këto momente është jetike për funksionimin e Republikës së Kosovës tha Abdixhiku. Partia Demokratike e Kosovës shprehu shqetësim për tensionet veriun e Kosovës, duke dënuar “tendencën për dhunë nga grupe të dirigjuara nga Serbia”. Në një komunikatë të kësaj partie thuhet se “në këtë moment, të vetëdijshëm se përshkallëzimi i situatës nuk i sjellë asnjë dobi Kosovës, bëjmë thirrje për përmbajtje, rend dhe qetësi, për t’i lënë hapësirë respektimit dhe zbatimit të vullnetit të qytetarëve. Ftojmë qeverinë që ta vlerësojë situatën e sigurisë dhe veprimet t’i ndërmarrë në koordinim edhe me partnerët ndërkombëtarë. Po kështu  edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cilësoi ta papranueshme tensionet në veri. Kryeministri i Kosovës duhet të jetë maksimalisht i angazhuar pasi Kosova nuk e ka luksin të veprojë e vetme dhe e pakoordinuar me miqtë ndërkombëtarë në kapërcimin e gjendjes së krijuar në veri, ka nënvizuar Ramush Haradinaj.

 

Ahmet Qeriqi

Shtime

  1. 5. 2023

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …