Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismaili-Ahmeti, ka kritikuar ashpër ministrin Xhelal Sveçla, duke vënë në pikëpyetje përpjekjet për ta paraqitur qëndrimin e tij në detyrë si kontribut për fuqizimin dhe sigurinë e grave. Ismaili-Ahmeti ka kundërshtuar arsyetimin se dorëheqja e ministrit nuk do të ndikonte në përmirësimin e sigurisë së grave, duke theksuar se përgjegjësia politike nuk mund të shmanget përmes deklaratave publike. “Gratë nuk fuqizohen duke e shpallur karrigen e ministrit të paprekshme. Fuqizohen kur institucionet u garantojnë siguri e drejtësi dhe kur pushtetarët japin llogari”, ka shkruar ajo. Ismaili-Ahmeti ka vlerësuar se qëndrimi në detyrë nuk e përjashton Sveçlën nga përgjegjësia politike, ndërsa konferencat për media, sipas saj, nuk mund ta zëvendësojnë llogaridhënien institucionale. Ajo ka kritikuar edhe kryeministrin Albin Kurti, duke e akuzuar për standarde të dyfishta në kërkimin e përgjegjësisë politike dhe për mbrojtjen e bashkëpunëtorëve të tij në pushtet. Në fund të reagimit, ish-deputetja ka theksuar se siguria e grave duhet të trajtohet si përgjegjësi konkrete e institucioneve dhe jo si argument për të justifikuar qëndrimin e zyrtarëve në pozitat e tyre. “Siguria e grave nuk është shfaqje!”, ka përfunduar Ismaili-Ahmeti.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
