Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, ka vlerësuar se Gjykata Speciale në Hagë ka dështuar në garantimin dhe respektimin e standardeve për një gjykim të drejtë në procesin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë raportimit në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, Qelaj deklaroi se vlerësimi i tij mbështetet në analizën e situatës dhe se, sipas tij, në këtë proces janë shkelur të drejtat e njeriut. Ai shprehu pakënaqësi për mënyrën se si janë trajtuar reagimet e tij ndaj shqetësimeve për të drejtat e ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se sa herë ka ngritur këto çështje, i është përgjigjur se nuk ka mandat për të ndërhyrë. Qelaj e cilësoi këtë qasje si të pandershme dhe tha se të njëjtin shqetësim ia kishte shprehur edhe kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova. Avokati i Popullit kritikoi gjithashtu reagimet e faktorit ndërkombëtar, duke pretenduar se thirrjet për të mos ndërhyrë në drejtësi kanë ndikuar në mungesën e transparencës lidhur me zhvillimet e procesit gjyqësor.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
