Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar sot kërkesën për dorëheqje të Gazmend Hoxhës, duke e liruar atë nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Sipas njoftimit të Qeverisë, pas propozimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në përputhje me legjislacionin në fuqi, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të Policisë është caktuar Fehmi Hoti. Largimi i Hoxhës vjen në një kohë kur vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur protesta qytetare dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale për dështimet në mbrojtjen e grave nga dhuna. Megjithatë, dorëheqja e drejtuesit të Policisë nuk i përgjigjet vetvetiu të gjitha kërkesave për llogaridhënie. Mbetet të shihet nëse institucionet do të sqarojnë përgjegjësitë konkrete në këtë rast dhe nëse do të ketë masa të tjera ndaj zyrtarëve përgjegjës. Qeveria e Kosovës ka vlerësuar kontributin dhe angazhimin e Gazmend Hoxhës gjatë mandatit të tij.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
