Shefat e delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë për dialogun, takohen sot në Bruksel

Brukseli i jep sinjal alarmi Kosovës: Bllokadë institucionale, ndikim politik në drejtësi dhe ngecje drejt BE-së

Fragmentimi politik në Kosovë ka penguar funksionimin e Qeverisë dhe të Kuvendit, ndërsa ndikimi politik dhe i grupeve të interesit në gjykata e prokurori mbetet shqetësim për Brukselin. Këto janë disa nga vlerësimet e përfshira në draftin e Pakos së Zgjerimit të Komisionit Evropian, që pritet të publikohet javën e ardhshme. Sipas dokumentit, Kosova nuk ka shënuar përparim të mjaftueshëm në fushat themelore të integrimit evropian. Vlerësime të ngjashme kanë marrë edhe Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Megjithatë, për Kosovën evidentohet edhe një zhvillim pozitiv: përafrimi i plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian pasqyrohet për herë të parë në kuadër të kapitullit 31. Sa i përket dialogut me Serbinë, Komisioni Evropian rithekson se perspektiva evropiane e të dyja vendeve varet nga normalizimi i marrëdhënieve. Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit vlerësohet i pamjaftueshëm, ndërsa të dyja palëve u kërkohet të përmbushin detyrimet pa vonesa të mëtejshme. Në të kundërtën, Kosova dhe Serbia rrezikojnë pasoja politike dhe ekonomike, si dhe ngecje të mëtejshme në procesin e integrimit evropian, në një kohë kur zgjerimi i BE-së ka marrë sërish hov. Në rajon, Mali i Zi vlerësohet si vendi më i avancuar drejt anëtarësimit dhe mund t’i përmbyllë negociatat deri në fund të këtij viti. Shqipëria renditet e dyta për nga përparimi, pasi ka përmbushur standardet e ndërmjetme në fushën e sundimit të ligjit. Për të dyja vendet, Komisioni Evropian ka përcaktuar udhërrëfyes me afate konkrete për përmbylljen e mundshme të negociatave të anëtarësimit.

Kontrolloni gjithashtu

Ganimete Musliu

Ganimete Musliu: Raporti për Arlindën e quan dhunë në familje, por ajo u vra – Gërvalla duhet të japë dorëheqje

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kritikuar raportin institucional për rastin e vrasjes së Arlinda …