Fitim Rifati: Dr. Stefan Mlladenov qysh në vitin 1916 ka konstatuar se serbët e Gjilanit nuk kanë ngjashmëri me serbët e vërtetë

Fitim Rifati: Dr. Stefan Mlladenov qysh në vitin 1916 ka konstatuar se serbët e Gjilanit nuk kanë ngjashmëri me serbët e vërtetë

Të dhënat për qytetin e Gjilanit gjatë Luftës së Parë Botërore (1914-1918) janë të pakta. Prandaj është me interes të paraqiten informacione me rëndësi shkencore, të cilat argumentojnë dhe ndriçojnë momente interesante të kësaj treve shqiptare gjatë Luftës së Parë Botërore.

 Hyrja në Luftë e Mbretërisë së Bullgarisë, më 14 tetor 1915, e ndryshoi raportin e forcave ndërmjet Fuqive të Aleancës Qendrore dhe Antantës. Ushtria e Mbretërisë së Serbisë, për shkak të sulmit ushtarak që iu bë nga ushtria austro-hungareze e gjermane në veri dhe ushtria bullgare në lindje, u detyrua të të tërhiqej në mënyrë graduale drejt jugut. Për rrjedhojë, ushtria bullgare përparoi shpejt në drejtim të viseve të Kosovës, duke mundur ushtrinë serbe dhe pushtuar trevat lindore të saj. Kësisoj, më 22 tetor 1915, trupat ushtarake bullgare u futën në rrethinën e Gjilanit, ndërsa më 18 nëntor 1915 hynë triumfalisht në këtë qytet.

 Shteti bullgar nisi menjëherë të bënte studimin e gjendjes së përgjithshme politike, shoqërore, ekonomike dhe kulturo-arsimore në Kosovë, duke dërguar të viset e reja të pushtuara një grup akademikësh e profesorësh bullgarë, të cilët qëndruan në Kosovë gjatë verës së vitit 1916, për të realizuar një ekspeditë shkencore. Në mesin e intelektualëve bullgarë ishte edhe prof. dr. Stefan Mladenov (1880-1963), filolog dhe specialist në shkenca historike dhe shoqërore. Ai ishte edhe anëtar i Akademisë së Shkencave në Bullgari. Në studimin e tij me titull “Udhëtimi nëpër Maqedoni dhe Pomoravë”, Profesor S. Mladenov vlerëson lartë strukturën etnike të popullsisë së Gjilanit, veçanërisht shqiptarët dhe gjuhën e tyre specifike.

Sipas Profesor S. Mladenov, Gjilani ishte qendër rrethi në kuadër të qarkut të Prishtinës. Shqiptarët përbënin strukturën kryesore kombëtare të popullsisë. Sipas tij, Rrethi i Gjilanit ka 85.539 banorë. Prej tyre 54.570 shqiptarë, 28,881 serbë ortodoksë, 268 ciganë dhe 1820 katolikë (shqiptarë dhe serbë?) Ose në përqindje: 63,5% shqiptarë, 33.5% serbë dhe 3% kombësi dhe etni të tjera. Profesori bullgar e pranon se koha e ekspeditës shkencore dhe qëndrimi i tij në Gjilan e viset përreth, nuk mjaftonin për të studiuar më hollësishëm karakteristikat e kësaj qendre shqiptare. Ai vë në pah se në verë të vitit 1916, Rrethin e Gjilanit e karakterizonin vrasjet veçanërisht të shpeshta dhe plaçkitjet, që ndërthureshin me zakonet e vjetra të një popullsie tradicionale, të varfër ekonomikisht, e cila e shfrytëzonte epërsinë numerike krahas kombësive dhe etnive të tjera, për shkak të besimit në vlerat njerëzore dhe rrethanat e reja politike. Profesor Mladenov, duke i vlerësuar shqiptarët si aleatë të vendosur të Perandorisë Osmane, arsyetonte afrimin e tyre me pushtetin bullgar. Sipas tij, shqiptarët u motivuan për të ndërmarrë aksione hakmarrëse ndaj elementit serb në këtë trevë, për shkak të urrejtjes mbi krimet e kryera të Mbretërisë së Serbisë ndaj shqiptarëve në vitet 1912-1915, në të cilat pjesëmarrës ishte edhe minoriteti serb.

 Një pohim interesant, me rëndësi historike dhe gjuhësore, që e vë në spikamë Profesori bullgar, është se sipas tij “serbët e Gjilanit kanë fare pak ngjashmëri me serbët e vërtetë”, duke nënvizuar se “gjuha (e “serbëve” të Gjilanit, F. R) është mjaft e ndryshme nga ata (serbët e kufijve të para vitit 1912, F. R)”. Ai mohon se në mesin e minoritetit serb të kësaj treve, për dy dekada, nuk ka pasur propagandë serbe dhe njëkohësisht përpiqet të theksojë se një grusht bullgarësh kishte jetuar në këtë territor deri para Luftës Ruse-Osmane të viteve 1877-1878, madje në këtë Rreth, sipas tij, kishte pasur edhe shkolla bullgare.

 Përkundër faktit se ekspedita shkencore e akademikëve dhe profesorëve bullgarë në Kosovë dhe vise të tjera kishte edhe karakter politik, që i shërbente interesave bullgare, duhet vlerësuar konstatimet dhe vlerësimet historike, gjuhësore, demografike, shoqërore, ekonomike dhe kulturo-arsimore, që e kanë pasqyruar këtë trevë në ekspeditën shkencore bullgare. Dilemat gjuhësore dhe lidhjet asimetrike ndërmjet serbëve, që Profesori bullgar ngreh veçanërisht ndaj elementit “serb” në këtë trevë, vënë në pah dyshimet se popullsia e krishterë, përkatësisht ajo ortodokse, të mos jetë plotësisht serbe e plotësisht shqiptare. Ky fakt, domosdoshmërish ngreh në sipërfaqe edhe dyshimet se në trevën e Gjilanit ka ekzistuar një numër i konsiderueshëm shqiptarësh ortodoksë, të cilët detyrimisht janë asimiluar gjatë viteve 1912-1915, kur Kosova u pushtua dhe administrua nga Mbretëria e Serbisë. Këtë dyshim e përforcon edhe fakti se përfaqësuesit e administratës ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, duke respektuar parimet e politikës serbe, kërkonin “Serbizim me çdo çmim”, të Kosovës dhe popullsisë së saj.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …