vala – old
vipa
driloni com
Fillimi / Tema Historike / Fitim Rifati: Hasan Prishtina Austro-Hungarisë më 1913: Na ndihmoni ta mbrojmë Kosovën nga serbizimi
Shqiptarët

Fitim Rifati: Hasan Prishtina Austro-Hungarisë më 1913: Na ndihmoni ta mbrojmë Kosovën nga serbizimi

Në nëntor të vitit 1912, gjatë Luftës së Parë Ballkanike, Hasan Prishtina u zu në rrethinën e Shkupit nga forcat ushtarake serbe dhe u burgos në Beograd, por për shkak të presionit ndërkombëtar dhe me urdhër të Ministrisë së Ushtrisë në Mbretërinë e Serbisë, u lirua në pranverë të vitit 1913. Për aq muaj sa qëndroi në burg, së bashku me krerë të tjerë, ai u përball me presione e kërcënime të vazhdueshme të qarqeve shtetërore dhe ushtarake serbe, për të firmosur një dokument që deklaronte se ai ishte kundër një shteti të pavarur shqiptar. Krahas kësaj, ai u përball edhe me presionin për të firmosur një shkresë besnikërie ndaj shtetit serb dhe për të pranuar pushtimin serb të Shqipërisë. Mirëpo, Hasan Prishtina i njoftoi prerazi qarqet serbe se do të duronte tortura e kërcënime të ndryshme dhe nuk do ta lejonte veten të nënshkruante një vendim, që në radhë të parë ishte i dëmshëm për kombin shqiptar e të ardhmen e tij, si dhe të njolloste me epitetin e tradhtarit tërë veprimtarinë dhe personalitetin atdhetar. Prandaj, baza e karakterit, formimit intelektual dhe veprimtarisë së tij patriotike nuk e lejonte të kryente një akt që do ta stigmatizonte gjatë dhe pas jetës si renegat i çështjes kombëtare shqiptare. Përvoja e hidhur gjatë qëndrimit të tij në burg, i dha një mesazh të qartë se e ardhmja e Shqipërisë kërcënohej seriozisht nga premisat e reja ndërkombëtare dhe qëndrimi shovinist i shtetit serb dhe atij malazez ndaj shqiptarëve.

Pas lirimit nga burgu, për shkaqe sigurie, Hasan Prishtina kaloi në territorin e Austro-Hungarisë. Si personalitet i shquar politik e diplomatik, gjatë qëndrimit të tij në Vjenë, në muajin maj të vitit 1913, ai u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, kontin Leopold Berchtold. Në këtë kohë, në Londër po zhvillonte punimet Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, në të cilën po diskutohej për rrethanat e krijuara si pasojë e Luftës së Parë dhe të Dytë Ballkanike, si dhe po përcaktohej fati i të ardhmes së shqiptarëve dhe trojeve të tyre.

Hasan Prishtina u vu në dijeni se angazhimi i Austro-Hungarisë, e cila ishte përkrahëse e interesave kombëtare të shqiptarëve, që Peja, Gjakova, Prizreni, Dibra, Ohri e Janina t’i mbeteshin Shqipërisë, nuk kishte gjetur përkrahje brenda Konferencës së Ambasadorëve në Londër dhe kështu, duke krijuar një ekuilibër të ri në Ballkan dhe duke ruajtur paqen ndërmjet Fuqive të Mëdha, më 21 mars të vitit 1913, u vendos përfundimisht që Kosova, e cila përfshinte një territor prej 32.900 kilometra katrorë, edhe në aspektin juridiko-politik ndërkombëtarisht t’i njihej pushtimit, aneksimit dhe administrimit të Mbretërisë së Serbisë dhe Malit të Zi.

Edhe pse u vendos që Kosova t’i shkëputej Shqipërisë, Hasan Prishtina, jo vetëm se e kundërshtoi kategorikisht këtë vendim të padrejtë, mirëpo, duke llogaritur në qëndrimin pozitiv të Austro-Hungarisë karshi çështjes shqiptare dhe statusin vendimmarrës të saj në politikën dhe diplomacinë ndërkombëtare, i parashtroi kontit Berchtold një Projekt politik dhe kulturo-arsimor për Kosovën dhe shqiptarët, që përbënin shumicën e popullsisë së kësaj treve shqiptare. Qëllimi i këtij Projekti ishte që me ndërmjetësinë dhe insistimin e diplomacisë austro-hungareze t’u sigurohej shqiptarëve të Kosovës një lloj pavarësie politike dhe kulturo-arsimore, e cila synonte ta mbronte Kosovën nga serbizimi dhe njëkohësisht të ndihmonte për të mbajtur në këmbë ndikimin dhe simpatinë austro-hungareze në popullin shqiptar. Ky Projekt, po ashtu synonte shkollimin në Austro-Hungari të 40-50 djemve nga shtresat drejtuese të kësaj treve shqiptare. Pos tjerash, duke shprehur hapur dyshimet se ndonjë element shqiptar nga radhët e drejtuesve popullorë mund të rrëshqiste në vargonjtë e politikës serbo-malazeze ndaj Kosovës dhe, duke njohur mirëfilli elitën drejtuese të saj, Hasan Prishtina i propozonte Vjenës financimin e krerëve shqiptarë të Kosovës, sepse në këtë mënyrë pengohej e luftohej tentativa serbo-malazeze për t’i bërë ata për vete me anë të të hollave. Sikurse para dhe pas lirimit nga burgu, Hasan Prishtina posedonte njohuri të plota për interesat dhe politikën serbo-malazeze ndaj shqiptarëve, e cila bazohej në “Projektin” (“Naçertania”) e vitit 1844 të Ilia Garashaninit, i cili në thelb kishte spastrimin e Kosovës nga shqiptarët, kolonizimin e saj, si dhe sllavizmin e atyre shqiptarëve që nuk i nënshtroheshin organeve administrative serbo-malazeze pas pushtimit dhe aneksimit të Kosovës.

Propozimprojekti i Hasan Prishtinës u mor në shqyrtim serioz në forumet përkatëse të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, ndërsa veçanërisht u ngarkuan përfaqësuesit konsullorë në Shkup dhe në Selanik për të paraqitur vlerësimet e tyre, të cilat kishin rëndësi të posaçme në përgjigjen përfundimtare të Berchtoldit, sepse agjencitë konsullore në Shkup dhe Selanik posedonin informacione të hollësishme mbi rrethanat politike të kohës në territorin që ato ishin përgjegjëse për informim si dhe njihnin mjaftueshëm udhëheqësit kryesorë të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare.

Fakti që kaluan më se katër muaj, nënkuptonte se Ministri austro-hungarez i Punëve të Jashtme, Leopold Berchtold, kishte disponim pozitiv dhe të matur për ta lëvizur këtë projekt drejt realizimit të tij. Njëkohësisht ai ndiqte me vëmendje zhvillimet brenda Konferencës së Ambasadorëve në Londër, si dhe rrethanat e reja politike në Gadishullin Ballkanik të krijuara nga Lufta e Parë dhe e Dytë Ballkanike, të cilat kishin rëndësi të veçantë në rrjedhat përkatëse dhe përfundimtare të këtij Projekti. Mirëpo, me përfundimin e Luftës së Dytë Ballkanike (10 gusht 1913) dhe të punimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (12 gusht 1913) ndryshoi rrënjësisht gjendja politike në Gadishullin Ballkanik e krahas saj edhe premisat mbi propozimet për Projektin e Hasan Prishtinës. Përkundër kësaj situate politike jo të favorshme për interesat e shqiptarëve, Berchtold e vlerësonte të suksesshëm për Kosovën vendimin e Konferencës së Ambasadorëve në Londër të muajit mars 1913, për mbrojtjen e pakicave kombëtare nën Mbretërinë e Serbisë dhe Malit të Zi, që nënkuptonte një garanci ndërkombëtare për shqiptarët dhe viset e tyre të aneksuara. Në të vërtetë, me insistimin e Austro-Hungarisë Konferenca e Ambasadorëve në Londër, me anë të një rezolute, ndër të tjerash kishte vendosur që të mbroheshin të drejtat kombëtare të pakicave mbi gjuhën, besimin, kulturën, arsimimin si dhe të drejtat juridike e politike, mbi pacenueshmërinë e pronave dhe pasurive të tyre, lëvizjen e lirë nga një vend në tjetrin, përfshi edhe tregjet e Prizrenit, Gjakovës e të Dibrës. Mirëpo, Hasan Prishtina nuk besonte aspak se monarkitë serbo-malazeze do ta zbatonin praktikisht këtë rezolutë. Në këtë kontekst, në përputhje me rrethanat politike të kohës, arsyetonte dhe vlerësonte Ministri i Jashtëm austro-hungarez, Leopold Berchtold, projekti i Hasan Prishtinës përkatësisht propozimet kulturore të tij mund të merreshin parasysh dhe të realizoheshin vetëm në formë të modifikuar. Kërkesat për një lloj pavarësie politike të shqiptarëve në Kosovë nuk mund të merreshin për bazë për aq kohë sa vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, si dhe realiteti i ri politik dhe juridik në Kosovë e sanksiononin një qëllim të tillë. Prandaj, fokusi i diplomacisë austro-hungareze mbështetej në qëndrimin tradicional të Vjenës, për të mbështetur dhe financuar zhvillimin kulturor dhe arsimor të shqiptarëve, si parakusht për përmirësimin e pozitës së tyre shoqërore, ekonomike dhe politike në Gadishullin Ballkanik dhe më gjerë.

Në vjeshtë të vitit 1913, Hasan Prishtina ndodhej në Vlorë, duke ushtruar funksionin e Ministrit të Bujqësisë në Qeverinë e Ismail Qemalit. I informuar për vendndodhjen e Hasan Prishtinës, më 12 shtator të vitit 1913, L. Berchtold ia dërgoi Projektin me urdhër tepër konfidencial konsullit austro-hungarez në Vlorë, Wenzel von Lejhanec, dhe e porositi atë që t’ia përcillte Hasan Prishtinës qëndrimin zyrtar të Vjenës lidhur me Projektin e tij. Në përgjigjen e Berchtoldit nënvizohej: “Ministria perandorake dhe mbretërore e jashtme nuk është në gjendje që të pranojë projektin e tij në lidhje me subvencionimin e shefave (drejtuesve, F.R) shqiptarë në Serbinë e vjetër (Vilajetin e Kosovës, F.R). Për sa i përket edukimit të të rinjve shqiptarë nga ato krahina për në monarki, situata e ndryshuar e ka prurë (sjellë, F.R) në vete, që të paktën në stil të gjerë, ne nuk do të dëshironim të fillonim hëpërhë një aksion të tillë, pikërisht për arsye, pse ai aksion do të shkaktonte (ndikonte, F.R) që pjesëtarët e familjeve të atyre djelmoshave të persekutohen prej serbëve dhe malazezëve. Nga ana tjetër – vazhdonte Berchtold – ne do të ishim gati që të bashkëpunonim për edukimin e të rinjve shqiptarë të Serbisë së vjetër (Vilajetit të Kosovës, F.R) në mënyrë që ata të pranohen në shkollat ekzistuese ose që kanë për t’u themeluar (hapur, F.R) në Shqipërinë autonome, por nga ana tjetër edhe në Serbinë e vjetër (Vilajetin e Kosovës, F.R) e pikërisht në shkollat e reja që kanë për t’u krijuar në bazë të vendimeve të Londrës. Ministria e jashtme perandorake dhe mbretërore është me gëzim gati që të marrë parasysh edhe çështjen e ndihmave materiale për të dy qëllimet e sapo përmendura si dhe për ta bërë të mundshme botimin e gazetave shqipe në Serbinë e vjetër (Vilajetin e Kosovës, F.R) të garantuara me vendimet e Londrës”. Ky qëndrim i Ministrit të Jashtëm austro-hungarez, nënkuptonte se Vjena zyrtare, duke ngërthyer edhe interesat e saj politike, kishte shprehur simpati të veçantë për peshën specifike që barte realizimi i këtij Projekti.

Për diplomacinë vjeneze ishte e rëndësishme që krerët shqiptarë, përkundër dhunës dhe presionit të vazhdueshëm që përjetonin nën regjimin ushtarak serbo-malazez, të qëndronin në Kosovë dhe të mos e braktisnin atë. Vjena zyrtare nuk dëshironte të hapte konflikte të reja ndërmjet shqiptarëve dhe organeve administrative serbo-malazeze në Kosovë. Ajo shprehte gatishmërinë që tani për tani të përkrahte fiananciarisht të gjithë djemtë e krerëve të Kosovës për t’u shkolluar në shkollat e shtetit shqiptar. Mirëpo, përkundër mizorive që ushtroheshin nga organet e administratës serbo-malazeze ndaj shqiptarëve të Kosovës, Vjena zyrtare shprehte verbërisht besimin e saj se Mbretëria e Serbisë dhe Mbretëria e Malit të Zi do të respektonin vendimet e Londrës dhe nuk do të pengonin zhvillimin e arsimit dhe të kulturës shqiptare në Kosovë. Përkundrazi, organet administrative serbe dhe malazeze kishin mbyllur pothuajse të gjitha shkollat e periudhës osmane në Kosovë, nuk lejonin hapjen e ndonjë shkolle në gjuhën shqipe dhe as botimin e ndonjë gazete shqiptare.

Pas tre javësh, më 4 tetor të vitit 1913, kur kishte përfunduar Kryengritja e shtatorit kundër pushtimit dhe aneksimit serbo-malazez të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, konsulli Lejhanec e informoi ministrin L. Berchtold se e kishte njoftuar Hasan Prishtinën për përgjigjen e Vjenës zyrtare dhe qëndrimin e saj përfundimtar mbi Projektin e tij. Lejhanec ndër të tjerash i shkruante Berchtoldit: “…Përgjigjen negative të raportit … me projektin e tij për subvencionimin e krerëve shqiptarë në Serbinë e vjetër (Vilajetin e Kosovës, F.R) ai e mori lehtë, – vazhdonte Lejhanec – refuzimi i dytë në lidhje me edukimin e të rinjve shqiptarë në ato vise, i shkaktoi atij mërzitje të dukshme, dhe për mua ishte mjaft e vështirë, që ta qetësoja deri diku, sado që ai e pranonte, se argumentimi i ministrisë … (së Punëve të Jashtme, F.R) ishte i drejtë si dhe dëshirën e saj për sakrifica për përpjekjet kombëtare dhe kulturore të shqiptarëve”. Hasan Prishtina kishte besim të plotë në qëndrimin pozitiv të Vjenës karshi shqiptarëve e në këtë kontekst edhe ndaj Projektit të tij. Kjo përgjigje e zhgënjeu dhe dëshpëroi thellë, ngase si drejtues kryesor i Lëvizjes Kombëtare, me sa duket u kishte premtuar krerëve të Kosovës lidhur me subvencionimin dhe shkollimin e djemve të tyre në Austro-Hungari. Prandaj, për të realizuar premtimet, ai kishte obligime morale ndaj bashkatdhetarëve të tij. Për shkak të mossuksesit të këtij Projekti, konsulli Lejhanec nuk e përjashtonte mundësinë se mbi propozimet në fjalë dhe për të realizuar sadopak angazhimet e tij morale të marra përsipër, Hasan Prishtina t’i drejtohej për përkrahje edhe qarqeve diplomatike të Italisë në Shqipëri, të cilat po ashtu kishin një qëndrim pozitiv karshi çështjes shqiptare. Lejhanec i deklaroi ministrit Berchtold se do ta ndiqte me vëmendje çdo kontakt të Hasan Prishtinës me diplomatët italianë dhe do ta informonte Vjenën zyrtare nëse një gjë e tillë do të ndodhte.

Hasan Prishtina i kishte dhënë rëndësi të veçantë zhvillimit të arsimit kombëtar të shqiptarëve. Para pushtimit dhe aneksimit serbo-malazez të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, ai, jo vetëm që kishte ndihmuar në hapjen e shkollave në gjuhën shqipe, por kishte mbështetur me mjete të tij shkollimin e fëmijëve në të gjitha viset shqiptare. Situata e krijuar si pasojë e Luftërave Ballkanike dhe qëndrimit të faktorit ndërkombëtar ndaj çështjes shqiptare, kishte reflektuar edhe në gjendjen e përgjithshme materiale të vet Hasan Prishtinës. Pronat dhe pasuritë e tij në Kosovë më nuk mund të menaxhoheshin nga ai, sepse kthimi i tij në Kosovë ishte i padëshirueshëm nga qarqet shtetërore serbo-malazeze. Në këto rrethana, ai përpiqej të gjente mbështetje tek aleatët që anonin kaherë ndaj një zgjidhjeje pozitive të çështjes shqiptare në Gadishullin Ballkanik dhe në mënyrë të posaçme në edukimin dhe arsimimin kombëtar të shqiptarëve. Meqenëse në Kosovë po zbatohej një politikë shoviniste nga qarqet administrative serbo-malazeze, e cila manifestohej me persekutime, presione, konfiskim të pasurive, burgosje, dhunime, vrasje, masakra, konvertime të dhunshme fetare, emigrim të shqiptarëve etj., Hasan Prishtina u shqetësua jashtëzakonisht nga ky qëndrim i Vjenës dhe u pikëllua për të ardhmen e shqiptarëve të Kosovës, substanca kombëtare, shoqërore, ekonomike dhe kulturore e të cilëve rrezikohej të shfarosej nga asimilimi, emigrimi dhe asgjësimi fizik i tyre.

Në anën tjetër, qëndrimi objektiv dhe i peshuar i Vjenës mbi këtë Projekt vizionar të Hasan Prishtinës, nuk i shkëputi lidhjet ndërmjet patriotit shqiptar dhe qarqeve austro-hungareze, mirëpo njëkohësisht nuk e tërhoqi as idenë për realizimin e tij në perspektivë. Rrethanat e reja politike në Kosovë treguan praktikisht se paralajmërimi i Hasan Prishtinës mbi serbizimin e Kosovës dhe tundimin e disa krerëve shqiptarë ishte bërë fakt konkret, ndërsa afrimi i tij me Romën zyrtare ndikoi që disa të rinj të krerëve shqiptarë të Kosovës të dërgoheshin për t’u shkolluar në Itali.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj

Dilaver Goxhaj: Në sulm kundër Brigadës së Parë Partizane!

Në himnin e Brigadës Parë Sulmuese, midis të tjerave thuhet: “Në sulm, në sulm Brigad’ ...