Vendosja e tarifës për përcjellësit e pacientëve në SHSKUK – e pamenduar mirë dhe e padrejtë
Vendosja e tarifës për përcjellësit e pacientëve në klinikat e QKUK-së është një veprim i gabuar dhe i padrejtë.
Së pari, duhet qartësuar pse përcjellësit ndodhen në klinikë. Në shumicën e rasteve, ata nuk janë aty nga dëshira për të qëndruar pranë familjarit, por nga nevoja reale e pacientit për ndihmë shtesë, si në:
• përmbushjen e nevojave personale fiziologjike dhe higjienike;
• komunikimin dhe koordinimin me personelin për shkak të mungesave të shpeshta të materialeve, të cilat shpesh sigurohen nga familjarët.
Nëse nisemi nga statusi i pacientit të shtrirë në klinikë, duhet kuptuar se, në aspektin formalo-juridik, e gjithë përgjegjësia për përkujdesjen dhe realizimin e procedurave mjekësore i takon klinikës përkatëse dhe stafit të saj. Edhe pse ndaj pacientit, si qenie shoqërore, kemi obligime morale të gjithë, në cilësinë formale të pacientit të hospitalizuar nuk mund të ketë përgjegjësi të dyfishtë.
Për më tepër, çdo ndërhyrje joformale dhe joprofesionale bie ndesh me kërkesat ligjore dhe etiko-profesionale.
Në realitetin tonë, prania e përcjellësve pranë shtratit të pacientit është rezultat i mangësive institucionale: mungesës së personelit infermieror dhe ndihmës profesional, furnizimit të pamjaftueshëm me materiale tekniko-sanitare, si dhe mungesës së përkujdesjes së duhur higjienike.
Pra, për aq sa u lejohet të ndërhyjnë në proces, përcjellësit në fakt kompensojnë boshllëqet e institucionit, duke kryer detyra që i takojnë personelit. Në këto rrethana, institucionet do të duhej, së paku, t’i pajisnin me mjete mbrojtëse (uniforma, doreza etj.) dhe t’i mbështesnin në forma të tjera, e jo t’i tarifonin.
Prandaj, vendosja e taksës për përcjellësit, të cilët në thelb janë ndihmës të imponuar nga rrethanat, është e parregullt dhe e padrejtë – sidomos për prindërit e fëmijëve në klinikat pediatrike e kirurgjike, si dhe për përcjellësit e pacientëve onkologjikë dhe të kufizuar në shtrat edhepse edhe qasja selektive do të ishte poashtu e padrejtë!
Ndërsa personat që nuk e kanë këtë nevojë reale nuk duhet të lejohen në hapësirat klinike, sepse legalizimi i qëndrimit të tyre përmes pagesës së taksës vetëm sa shton tollovinë dhe vështirëson funksionimin normal të klinikave.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
