Latifi: Rahoveci me rrethinë, në luftën për liri ishin hambar i pashterrshëm për Kosovën”

Me rastin e shënimit të 21-vjetorit të Epopesë së Rahovecit, kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, ju ka drejtuar të pranishmëve me një fjalë rasti, ai ndër të tjera tha: Të dashur familjarë të dëshmorëve, martirëve, veteran dhe invalidë të luftës, pjesëmarrës në luftimet e Rahovecit. Të respektuar të pranishëm!  Qyteti i Rahovecit dhe rrethina e tij, në luftën për liri ishin hambar i pashterrshëm për Kosovën. Njihemi kudo si qytetarë të zellshëm dhe me zemër të madhe e bujare, të përkushtuar siç dihet e që i dhanë krejt çka patën UÇK-së. Rahovecianët, përveçse punëtorë të vyeshëm, vreshtarë e perimtarë të shquar që jetojnë me djersën e ballit, ata lirisë së Kosovës i dhanë bukë, kripë e zemër, strehim, luftëtarë të zotët e trima, qindra njerëz të martirizuar dhe shumë gjak. UÇK-ja në Rahovec gjeti besnikërinë e qytetarëve, bujarinë e tyre dhe trima me zemër guri. E, rahovecianët u lidhën si mishi me ashtin me luftën çlirimtare. Luftimet e UÇK-së për ta marrë nën kontroll qytetin e pushtuar nga forcat serbe ishin sa komplekse e të vështira, po aq edhe të ashpra dhe heroike. – Ishte qyteti i parë ku UÇK-ja ia kishte vënë syrin, për ta pasur nën kontroll e të çliruar. Nga 17 korriku 1998, për qytetin tonë, Rahovecin, flisnin të gjithë, brenda dhe jashtë UÇK-së. Flisnin edhe organizata dhe medie ndërkombëtare. E gjithë vëmendja vendore dhe ndërkombëtare ato ditë ishin përqendruar te ky qytet i vogël i cili po përballej me arsenalin luftarak të armatës së egër serbe. Në luftimet e korrikut 1998, qoftë në përpjekje për t’i shporrur hordhitë serbe apo duke e mbrojtur qytetin, në pozicione të ndryshme, ndërmjet datave 17 dhe 23 korrik, ranë trimërisht luftëtarët e lirisë:

  1. Abdullah Zijajdin Bugari,

  2. Agim Binak Çelaj,

  3. Agim Veli Kelmendi,

  4. Afrim Fazli Krasniqi,

  5. Arian Xhemil Brahimi,

  6. Bajram Hysen Veliu,

  7. Bekim Shaban Isma,

  8. Eshrefedin Rexhep Kastrati,

  9. Faik Hajredin Rama,

  10. Gani Xhemë Paçarizi,

  11. Gëzim Salih Hamza,

  12. Gëzim Fahredin Mullabazi,

  13. Habib Halil Berisha,

  14. Hamdi Sadri Berisha,

  15. Liman Destan Gegaj,

  16. Mizahir Jetullah Isma,

  17. Ramadan Morina,

  18. Remzi Sadri Ukshini,

  19. Ruzhdi Xhemë Xhuliqi,

  20. Sadik Hafir Shala,

  21. Shkelzim Halit Zllanoga,

  22. Samir Selim Nurkasa,

  23. Tafil Zyberaj,

  24. Xhafer Zenel Nurkasa dhe

  25. Xhevat Ymer Kasapi.

Pra, janë qindra luftëtarë nga Rahoveci, Anadrini, Dukagjini, Malisheva e Drenica, nga vise të ndryshme shqiptare e mërgimi, si edhe Arian Brahimi nga Shkodra i ardhur nga Londra, për t’u përjetësuar me shokët e idealit të përbashkët, në kujtesën e popullit dhe historinë e tij më të re, si heronjtë e EPOPESË SË UÇK-së në Rahovec. Gjatë këtyre ditëve tepër të vështira e të nxehta të korrikut ’98, janë edhe dhjetëra e dhjetëra të tjerë, qytetarë të vrarë, të plagosur e të burgosur nga Rahoveci. Në mesin e tyre, pikërisht në vendin ku AI shërbeu me devotshmëri, në institucionin fetar-Teqeja e Madhe në Rahovec, barbaria serbe s’e kurseu, madje as SHEJH MYHEDININ, personalitetin e respektuar në Rahovec e më gjerë.

Të nderuar pjesëmarrës!

Mos të harrojmë!

Qytetarët tanë liridashës u martirizuan për liri. Ata, përjetuan tmerrin dhe barbarinë serbe, por nuk u thyen. Lufta çlirimtare vazhdoi deri në fitore dhe rahovecianët ndihen krenar për kontributin e madh që e dhanë dhe sakrificat e shumta që i bënë për çlirimin e Kosovës dhe për shtetin tonë. Për të sotmen dhe për të ardhmen e këtij trualli dhe popullit tonë, kushdo që nuk ndihet i obliguar apo shkelë mbi këto sakrifica, pashmangshëm do të fitojë përbuzjen dhe mallkimin e merituar.

Të respektuar të pranishëm!

21 vjet pas, kujtimet janë të freskëta. T`ua përcjellim të gjithëve, pa dallim, se sa e mundimshme ka qenë rruga e lirisë dhe sa i lartë është çmimi që ky popull pagoi për ta fituar atë. Luftimet e përgjakshme të korrikut janë edhe një dëshmi e fortë e përpjekjes, kontributit dhe angazhimit, rolit dhe peshës, sakrificës së pashoqe dhe vlerave që pati e ka Rahoveci me rrethinë, e cila flet edhe për shpirtin e madh, bujar dhe liridashës që kanë qytetarët tanë. EPOPEJA E RAHOVECIT e UÇK-së është një gur i madh që peshon rëndë murin e kalasë së qëndresës në luftën për liri.  Lavdi dhe nderime përjetësisht dëshmorëve! Lavdi dhe respekt i përhershëm për gjithë ata burra e gra të Rahovecit që u vranë nga dora gjakatare serbe, duke u bërë themel i lirisë së Kosovës!

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë, …