Fjalimi i Kryetarit Latifi, në përkujtim të dëshmorëve të rënë në  betejën  e “Mileskes”

Fjalimi i Kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në përkujtim të dëshmorëve të rënë në  betejën  e “Mileskes” heroit Mensur Zyberaj-Komandant “500” nga Drenoci i Rahovecit, Ismail Gashi nga Krusha e Madhe, Habib Gashi nga Nagaci, Kurtish Hasani nga Qëndresa e Prizrenit dhe Bedri Berisha nga Volljaka e Klinës. Sot, në nderim të veprës madhore të dëshmorëve të rënë në  betejën  e “Mileskes”, heroi Mensur Zyberaj-Komandant “500” nga Drenoci i Rahovecit, Ismail Gashi nga Krusha e Madhe, Habib Gashi nga Nagaci, Kurtish Hasani nga Qëndresa e Prizrenit dhe Bedri Berisha nga Volljaka e Klinës, bashkë me familjarë, bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të OVL, UÇK-së, kemi bërë nderime dhe homazhe, pranë lapidarit përkujtimor te lëndina e trimave, në trekëndëshin që lidh vendbanimet: Nagac, Krushë e Madhe dhe Qëndresë (Randobravë). Në majin e viteve 1998-1999 ranë për të mos vdekur kurrrë, luftëtarë të zot, themelues të celulave të para të UÇK-së, ata që mobilizuan, zhvilluan, fuqizuan dhe bënë shumë për suksesin e luftës tonë çlirimtare.  Me 28 maj 1999 ranë: komandant Mensur Zyberaj-“500”-shi, luftëtarët e  paepur, Habib Gashi nga Nagaci, Ismail Gashi nga Krusha e Madhe, Bedri Berisha nga Volljaka e Klinës, Nazmi Hasani, Kurtish Hasani nga Randobrava e Prizrenit. Në majin e viteve 1998 dhe ’99 patëm humbje të mëdha të shokëve tanë, të cilat na lanë dhembje të pafund dhe boshllëk të madh. Rënie të mëdha dhe dhembje pambarim midis nesh. Vetëm dy javë përpara, kur forcat pushtuese serbe, po shporreshin nga Kosova. Nuk ishte aspak e lehtë, pas gjithë asaj që pamë e përjetuam. Me 28 maj 1999 ranë komandant Mensur Zyberaj-“500”-shi,  luftëtarët e  paepur, Habib Gashi nga Nagaci, Ismail Gashi nga Krusha e Madhe, Bedri Berisha nga Volljaka e Klinës, Nazmi Hasani, Kurtish Hasani nga Randobrava e Prizrenit, Agron Bytyçi nga Prizreni, Alajdin Elshani, Xhevat Elshani dhe Selim Berisha nga Brestoci…, Manush Berisha nga Krusha e Vogël. Në këtë pllakë mermeri janë edhe emrat e luftëtarëve, dëshmorëve të lirisë, Rifat Dinës nga Celina dhe Çaush Berishës nga Brestoci. Sa shumë burra të fortë na ikën në përjetësi,vetëm në datat 26, 27 dhe 28 maj 1999. Ata kanë një emër domethënës: LULEKUQE TË MAJIT. Tregimi për ngjarjet dhe trimërinë në luftë përshkruhet me vargjet e zgjedhura lapidare që ju kushtohen trimave të lirisë:

“Ato maja rripa-rripa seç gjëmojnë

Ndizet lufta për liri e derdhet gjak

Janë trimat shqipëtarë që luftojnë,

Janë bijtë e Shqipërisë që marrin hak!

Sot po dridhet tirania anembanë,

Sot po digjet e po bëhet shkrumb e hi,

Se u mbushën malet plot me luftëtarë,

Se u ngrit sot gjithë Kosova për liri!

Me përpara një flamur të kuq në dorë,

Me një torbë me fishekë e një dyfek,

Të sfilitur prej pushtuesit të copëtuar

Turren trimat dhe luftojnë shteg më shteg!”

Është fakt më se i njohur se, Krusha e Madhe, Nagaci, Drenoci, Rahoveci, çdo vendbanim i kësaj zone dhe tërë Anadrinia, luajtën rol të jashtëzakonshëm në luftën për liri. U bart me nder mbi supe barra e rëndë, u lartësua flamuri ynë kuq e zi e u valvit në beteja, ecëm në një rrugëtim, sa të mundimshëm dhe të përgjakshëm, po aq edhe fisnik dhe krenar. Sigurisht se, veç tjerash, ishin edhe frymëzimet e pashtershme që i merrnim dhe na jepnin forcë, nga vepra dhe qëndrimi i qartë politik si dhe përcaktimi i drejtë kombëtar, që mbante atdhetari, politikologu dhe ideologu, profesori ynë – UKSHIN HOTI.

Dëshmorëve që ranë trimërisht me pushkë në dorë, ju shkojnë përshtati vargjet lapidare të poetit atdhetar, H. Hyseini. Jehonte pushka amanet e trimave dhe kënga e lirisë:

“Luftë gjer në vdekje

Për liri të vatanit

Pushka e lirisë

Kurrë n’dorë të dushmanit”.

Dëshmorët nuk qahen, as nuk vajtohen, ata janë të gjallë midis nesh, sepse do të rron përjetë vepra e tyre luftarake dhe liridashëse.

Ata ranë ndër breza për idealin e lirisë dhe të bashkimit të trojeve shqiptare.

“Ju kish lindur nëna për një botë të re,

Lule more trima që ratë për Atdhe”

Lavdi dëshmorëve që ranë në Betejën e “Mileskës”

Lavdi!

Smajl Latifi

Kryetar i Komunës

Kontrolloni gjithashtu

Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit në mes të Komunës së Vitisë dhe organizatës “CNVP”

Sot, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim Xhevat Lushin – …