Flet “Artisti I Popullit” Luftar Paja: Sot humori me politikanët është më i bukuri, për gafat e tyre, gënjeshtrat dhe deformimin e shqipes

– Vënia e dramave të huaja në skenë do sjellë një krizë identiteti në artin skenik shqiptan.

– Sot në të gjithë teatrot shqiptare, në pjesën dërrmuese vihen vetëm drama dhe komedi të huaja.

– Asnjë qeveri shqiptare nuk i ka nxitur skenaristët shqiptarë për të bërë drama apo komedi kështu dhe ata se marrin lapsin të shkruajnë.

-Te filmi “Gunat për mbi tela”  kam mbajtur gunën tre muaj veshur në mes të verës, kur guna është sobë në dimër dhe vullkan në verë.

-84-.vjetori i lindjes së “Artistit të Popullit”  Luftar Paja

Albert Z. ZHOLI

Luftar Paja, ka lindur më 1 dhjetor 1941 në Gorishovë të Mallakastrës, numëron tashmë 84 vite jetë . Luftar Paja është një ndër aktorët më të dashur të humorit në Shqipëri, ka lënë gjurmë në artin shqiptar. Më 1 dhjetor festoi 84-vjetorin e lindjes.

Për vite me rradhë Luftar Paja i ka dhuruar qeshje pafund publikut shqiptar.

Me humorin e tij, me interpretimet plot jetë dhe rolet që kanë lënë gjurmë në teatër, kinema e estradë, ai ka ditur të prekë zemrën e publikut dhe të kthehet në një ikonë të kulturës sonë.

Hapat e tij të parë i ka hedhur në pallatin e Kulturës “Mustafa Matohiti” në Patos, gjatë viteve 1960–1968. Më pas, nga viti 1968 deri në 1990, u bë një nga shtyllat e Estradës Fier dhe teatrit “Bylis”, përpara se të zhvendosej në Tiranë, ku vijoi rrugëtimin e tij artistik. Në skenat shqiptare ka luajtur krah emrave më të mëdhenj: Rolan Trebicka, Sandër Prosi, Mirush Kabashi, Hajrie Rondo, Kadri Roshi e shumë të tjerë, duke krijuar role që edhe sot mbeten të paharrueshme për publikun fierak dhe mbarë vendin. Luftar Paja mbetet një figurë poliedrike, që ndërsa e takon përditërisht, të duket një njeri i dashur, i thjeshtë, muhabetçi, por në skenë shpërthen përmasat e vërteta. Atje duket se nuk bën asnjë kompromis përveçse me zotësinë e tij, duke arritur të realizojë personazhin që merr përsipër në përmasat reale. Në vitin 1971 është ndër të parët në krijimin e Teatrit Bylis Fier. Luan në teatër në dramën “Hijet e natës”, “Fejesa e Çehovit”. Ndër rolet më të spikatura të aktorit Luftar Paja janë: “Çobo Rrapushi me shokë” në rolin e Çobos. Në dramën “Vite të paharruara”. “Fytyra e dytë”. E në qindra e qindra komedi me një akt. Në vitin 1979 merr titullin ‘Artist i Merituar’. Luftar Paja ka marrë pjesë dhe në shumë filma artistik, ku ka spikatur me role në filma patriotik si “Këshilltarët”, “Guna përmbi tela”, “Nëntori i dytë”, “Gjeneral Gramafoni”. Filma me temë të asaj kohe si “Ëndrra për një karrige”, “Zëvendësi i grave” etj. Jeta e tij ka shumë ngjarje pasi ai është njeri shumë popullor. Ja disa momente nga jeta e tij.

-Mbushe plot 84-vjeç, po afron një shekull jetë. Si i kujton këto vite jete?Fëmijëria juaj lidhet me vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore kur jeta ishte e vështirë. Po shkolla si ishte atë kohë, a kishit kushte, a kishte shkollë në çdo fshat? Çfarë kujton nga ato vite?

As vetë se kuptoj se si kanë ikur këto vite. Vite plot lëvizje, skenë, sheshe xhirimi, skenare, mësime tekstesh përmendësh…Isha fëmijë i hedhur, i shkathët, por dhe me mësime kam qenë mirë. Me vajzat të cilat bënin si komandante e kisha keq punën. Nga koha e fillores më janë skalitur ca shenja nëpër trup. Si rrjedhim i rezultateve në shkollë, në fund të vitit u zgjodha fatos i dalluar dhe u caktova të përfaqësoja klasën time në klubin e Qafës ku organizoheshin koncertet e fundvitit. Aty më mbeti në mendje regjisori i parë, Ndrek Beltoja, që kishte një palë gjyzlykë, një hundë butaforike dhe një palë mustaqe të ngjitura bashkë dhe sa i vinte ato luante me kitarë dhe këndonte parodi. Mësuesja më caktoi të recitoja një vjershë për Vitin e Ri. Sigurisht, programi shkollor nuk lejonte që ti të lexoje, por, duke qenë nxënës i shkathët vjershën ma mësoi mësuesja. Ishte një vjershë për Stalinin, të cilën e recitova në rusisht. Interpretimi im i parë, mbaj mend, që u prit me shumë duartrokitje. Si dhuratë më dhanë një kovë. Kova kishte të vizatuar anash një fytyrë butaforike dhe ishte mbushur plot me portokaj. M’u duk një dhuratë shumë e madhe dhe e paparë. E ku ishim mësuar ne fëmijët me dhurata të tilla?! Mund të them se jam lëvduar shumë me atë kovë përpara miqve dhe të afërmve. Në atë koncert më spikati Ndreka dhe i tha mësueses që të më regjistronte në rrethin e fëmijëve, sepse kisha prirje aktrimi. Ndrek Beltoja me këtë këshillë, por mbi të gjitha me karizmën e tij, do të bëhej njeriu më i dashur i jetës sime. Regjisori i parë me të cilin kam pasur fatin e madh të takohem e të punoj. Një njeri të cilit i kam shumë borxhe artistike. Ndërsa roli im i parë ka qenë në klasën e dytë fillore, në 1952-ishin, në një dramë sovjetike unë kisha rolin e Juvikut, një nxënës shkatarraq.

-Duke ju bashkuar Estradës së Fierit që vuri themelet në 1957-ën, ajo do të punonte me emra të njohur si Llazar Verria e Pëllumb Kulla, me të cilin do të shenjoje dhe disa nga rolet më të bukur të jetës suaj artisike?

Një kontribut të jashtëzakonshëm në formimin tim artistik ka dhënë Pëllumb Kulla, një nga dramaturgët e mirë të vendit tone; autor, regjisor e shkrimtar i gjinive të tjera, por mua më ka dhënë ndihmë në punën time fryma e kolektivitetit që kishim në trupën e Teatrit të Fierit, pasi një personazh pa këtë frymë bashkëpunimi nuk zhvillohet dot. Pasi arti skenik, është art kolektiv, ku marrin pjesë autori, regjisori, skenografi, aktori, kostumografi etj. Të gjithë bashkë bëjnë më të bukurën”, shprehet artisti.

– Si i keni përjetuar rolet dhe bashkëpunimet me aktorët më të mirë shqiptarë?

Unë bashkëpunimin me artistët e mëdhenj që kam pasur fatin e madh të luaj e quaj shkollën më të madhe të jetës. Në skenë dhe në sheshet e xhirimit  kam njohur artista gjigantë të Shqipërisë. Si Sandër Prosin, me Violeta Manushin, Kadri Roshin, Sulejman Pitarkën, Ndrek Lucën, Prokop Mimën etj., e shumë të tjerë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në artin tonë, pa harruar kolektivin tim të Fierit, me të cilin kam punuar për 33 vjet me radhë në Fier, siç ka qenë Nestor Pogaçja, Fuat Boçi, Todi Llupi, Hasan Bregu, Zhuljeta Kulla etj. Ne kishim dhe një parullë, thoshim që “Jemi 6 vëllezër dhe kemi edhe një motër, Zhuljetën!” Kjo lloj harmonie dhe dituria e regjisorit Pëllumb Kulla na ka bërë që të njihemi, jo në shkallë rrethi, por në shkallë vendi.

– Në shumë biseda veçon filmin “Guna përmbi tela. Pse?

Për vetë faktin e thjeshtë, sepse te filmi “Gunat për mbi tela” kam mbajtur gunën tre muaj veshur në trup në qershor, korrik dhe gusht. Pra flasim për gunë që se shpon as plumbi që dhe në dimër është si sobë, ndërsa në verë është vullkan. Që nëse nuk do të ishte deti, do kishim zënë parazit. Ndërsa sot teknika është zhvilluar, interpretimi është shumë më komod se në ato vite tonat.

– Me Gazin keni shumë të përbashkëta por edhe të veçanta, çfarë porosie i keni dhënë?

 Që në fillimet e tij e kam orientuar që të ketë personalitetin e vet, individualitetin e vet, suksesin e tij, të veçantën e tij artistike. I kam thënë që “Mos u mburr me koburen e babait, se babai e ka shkrepur për vete. Mburru me koburen tënde”.

Ka kohë që Luftari është shmangur tërësisht nga politika, por e ndjek politikën. Por shihet se sot politikanët janë pjesë e humorit. Pra shihet një tendecë sot në disa krijues të humorit për të futur gjerësisht humorin politik ?

– Ky lloj humori është bërë pjesë e jetës sonë pasi shumë politikanë e kanë bërë veten për humor. Eshtë një risi në humorin e sotëm për vetë faktin se, në monizëm thuajse nuk ekzistonte një humor i tillë. Ishte e pamundur të talleshe me një antar të Byrosë Politike. Ndërsa sot, rrugët janë të hapura për këtë humor. Madje, duke pasur parasysh se populli ynë trim dhe liridashës rri dhe pa bukë, por jo pa politikë, ky humor gjen shumë terren. Ka shumë humor me politikanët e sotëm. Ata vetë dashje pa dashje të japin material të bollshëm. Por edhe në këtë rast, tejkalohet masa. Kalon masa, prishet cilësia. Raportet janë të domosdoshme në humorin kërkues. E them kërkues, pasi e kërkuara ka jetgjatësi. E konsumuara “vdes” pas minutës që interpretohet. Rendja shpesh herë pas gjestikulacioneve të sforcuara, i heq personazhit kostmumin e bukur të fjalës, interpretimit. Ky kostum do të thosha është magjik. Magjia e fjalës është e pazëvëndësueshme në një skeç. Sado të jesh një aktor i madh me një plastikë mahnitëse, pa fjalën e bukur, të ndërtuar në funksion të plastikës, skeçi apo humori do të ishte artificial, i sforcuar, duke ju shmangur lidhjes organike, plastik- ndërtim lënde.

-Pengjet?

Pengje ka çdo aktor, pasi ende duaj të luaj role që më përshtaten. Do të doja që të merrja pjesë te ‘Gomari i Babatasit’”. Peng tjetër është që dua t’i shoh sërish teatrot e gjithë qyteteve të Shqipërisë plot, të gumëzhijnë nga spektatorët. Politika e sotme shqiptare ti kthej sa më shumë sytë nga krijuesit shqiptarë, ti motivojë ata. Politika dhe qeveritë shqiptare të mos merret vetëm me rikonstruksione teatrosh, por të punojë që këto teatro të jenë plot me njerëz nga të gjitha moshat dhe nga të dy gjinitë. Pra çdo qeveri duhet të bëjë program që në teatrot e vendit të vihen pjesë shqiptare, drama shqiptare, komedi shqiptare, apo skeçe shqiptare. Sot në të gjithë teatrot shqiptare, në ato pak më mirë të them, vihen vetëm drama të huaja. Asnjë qeveri nuk i nxit skenaristët shqiptarë për të bërë drama apo komedi kështu dhe ata se marrin lapsin të shkruajnë. Por kjo do sjellë një krizë identiteti në artin skenik shqiptar. Për shembull Teatri i Fierit është rikonstruktuar, por ka një jetë artistike shumë të vakët. Unë nuk dëshiroj ta them pranoj këtë, por ai qytet që është shumë artdashës, duhet të ketë një teatër dhe estradë moderne dhe me bazament gjatë gjithë vitit kalendarik.

Kontrolloni gjithashtu

Intervistë me psikologen Elona Mustafaraj, Sekretare e Përgjithshme në Urdhërin e Psikologut në Republikën e Shqipërisë

Radio Kosova e Lirë: E nderuar, fillimisht ju falënderojmë që keni ndarë kohë për Radion …