Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari, ka kritikuar qasjen e kryeministrit në largim, Albin Kurti, ndaj mediave, veçanërisht pas raportit të Reporterëve pa Kufij, i cili evidentoi përkeqësim të lirisë së medias në Kosovë. Kusari u shpreh se Kurti duhet të ndalë retorikën kundër mediave dhe të komunikojë më shumë me organizatat ndërkombëtare, Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe industrinë e mediave. “Ai fliste me votuesit e vet, por është mirë me folë me organizata relevante dhe me mediat. Idetë që kishte janë të gabuara — unë do t’i jepja disa të tjera,” tha ajo. Qeveria duhet ta lërë transmetuesin publik të pavarur dhe të mos ndërhyjë politikisht. Ajo kritikoi nivelin e ulët të buxhetit të ndarë për RTK-në, duke thënë se nuk mjafton as për paga, dhe kërkoi rritje të financimit në përputhje me ligjin, deri në 20 milionë euro. Në lidhje me Komisionin e Pavarur për Media Kusari tha se duhet të funksionojë i lirë nga ndikimi politik, siç e parashikon Kushtetuta. “Nuk duhet me u kontrollu përmes ligjit apo përmes anëtarëve që nuk i konsideroj të pavarur,” tha ajo.
