Frank Shkreli

Frank Shkreli: Fytyra e re e censurës së shtypit

(Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit)

Çdo vit, 3 Maji shënon ditën kur mbarë bota kujton parimet themelore të lirisë së shtypit. Është gjithashtu një rast për të vlerësuar lirinë e shtypit në vende të ndryshme të botës. E caktuar si e tillë nga Kombet e Bashkuara, në këtë ditë, në mënyrë të veçantë, mbrohet media nga sulmet që i bëhen pavarësisë së shtypit, nga qeveri dhe grupe të ndryshme terroriste. Këtë ditë, kujtohen gjithashtu edhe gazetarët të cilët, anë e mbanë botës, kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Sipas një njoftimi të UNESCO-s, tema e këtij viti për Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit është: “Mendjet kritike për kohëra kritika: Roli i medias në avancimin e shoqërive paqësore, të drejta dhe gjithëpërfshirëse”, ndërkohë që thuhet se pjesëmarrësit në aktivitete të ndryshme botërore do të shqyrtojnë edhe sfidat me të cilat përballet media sot, përfshirë prirjet e vazhdueshme anë e mbanë botës për të sulmuar gazetarët kudo.

Ndërkaq, në këtë ditë kushtuar lirisë së shtypit në botë, sulmet kundër atyre që furnizojnë publikun me informacione si dhe censura e lajmeve anë e mbanë botës kanë arritur nivele të reja dhe komplekse, falë teknologjisë së re informative.   Ky është vlerësimi i raportit vjetor të  Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve mbi lirinë e shtypit në botë.  Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, (KMG) me qendër në Nju Jork, është një ent i pavarur, jo fitim prurës që kujdeset për mbrojtjen e lirisë së shtypit në botë. Raporti “Sulmet Kundër Shtypit: Fytyra e re e Censurës së Shtypit”, është një përmbledhje e gjithanshme mbi lirinë e shtypit anë e mbanë globit. Në raport, gazetarë dhe ekspertë të medias shqyrtojnë abuzimet e reja ndaj lirisë së medias dhe ekspozojnë vendet të cilat, pa asnjë ndëshkim, shkelin lirinë e shtypit.  Përveç kësaj, në raportin e këtij viti të KMG-ës, ekspertë të ndryshëm ofrojnë zgjidhje të mundshme për këto abuzime, përfshirë këshilla se si të mënjanohet censura, si të garantohet siguria e gazetarëve dhe e burimeve të tyre, dhe ofron mënyra se si të luftohet pushteti kur kërkon të shuaj kritikat e shtypit me mënyra të ndryshme, me qëllim për të venë në dyshim edhe kredibilitetin e medias në përgjithësi.

Në raportin vjetor të KMG-ës — i cili u shpërnda të martën, njëkohësisht, në Universitetin Oksford nga Instituti Reuters për Studimin e Gazetarisë në Angli dhe në Universitetin Kolumbia në Nju Jork — thuhet se megjithë shpresat që ofron teknologjia e re informative, qeveritë, aktorë jo-qeveritarë dhe korporata të ndryshme në mbarë botën, po censurojnë masivisht përhapjen e lirë të informacionit duke përdorur taktika të ndërlikuara dhe tepër të sofistikuara.    Raporti i vitit 2017, Sulmet ndaj Shtypit, me nën titull Fytyra e Re e Censurës, nënvijon një numër metodash që faktorë të ndryshëm, përdorin për të kontrolluar përhapjen e lirë të lajmeve dhe të informacionit, përfshirë trysnitë financiare ndaj gazetarëve si individë dhe ndaj botuesve të gazetave dhe agjencive të lajmeve si ente të tilla, duke përdorur njëkohsisht lloj lloj ligjesh, me qëllim për të shkurajuar kritikat ndaj qeverive dhe aktorëve jo-qeveritarë që mund të jenë bashkpunues me qeverinë.

Në raport përfshihen artikujt e nja 20-gazetarëve dhe ekspertëve të njohur botërorë, përfshirë gazetaren e njohur amerikane Christiane Amanpour, të cilët dokumentojnë ato që ata cilësojnë si fytyra të reja dhe alarmante të censurës, jo vetëm nga qeveritë por edhe nga aktorë dhe ente jo-qeveritare anë e mbanë botës.  Christiane Amanpour paralajmëron edhe gazetarët amerikanë në lidhje me sigurinë dhe qëndrueshmërinë e lirisë së shtypit në vendin e tyre, ndërkohë që shkruan mbi rritjen e dukshme të sulmeve kundër gazetarëve, anë e mbanë botës.

Ndër ekspertët e lirisë së fjalës dhe të shtypit në botë që ka shkruar një artikull në Raportin Vjetor të (KMG-ës), të këtij viti mbi sulmet kundër lirisë së shtypit, është edhe David Kaye Reporteri i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e të Drejtës për Lirinë e Mendimit dhe të Shprehjes.   Në kapacitetin e tij, si përfaqsues i organizatës botërore, u hedh një vështrim ligjeve dhe institucioneve që, sipas tij, po luftojnë në  mbrojtje të lirisë së fjalës, në mbarë botën.

Duke njoftuar botimin e Raportit vjetor mbi lirinë e shtypit në botë, Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Joel Simon u shpreh se ai që e quajti si, “Mjedis jo-miqësor për gazetarët, shkaktuar nga retorika pas-zgjedhore e Donald Trump-it president, ka ngritur shqetësime në Shtetet e Bashkuara”, por shtoi se, “Gjendja e lirisë së shtypit në pjesën tjetër të botës është shumë, shumë më e keqe dhe tepër shqetësuese. Ndërsa kemi aq shumë informacion në dispozicionin tonë, mungesa e njohurisë dhe e lajmeve të vërteta mbi ato që po ndodhin në botë, sa vjen e shtohet për ditë, si rrjedhim i sulmeve të egëra e të dhunëshme kundër medias dhe si përfundim i përdorimit, nga qeveritë, të sistemeve të reja kontrolluese të informacionit dhe teknologjisë, me qëllim për të censuruar dhe për të përgjuar median dhe gazetarët.”  Ai shtoi se, si rrjedhim, përpjekjet për të shtypur lirinë e medias në përgjithsi po bëhen më të ndërlikuara dhe më të përhapura se kurdoherë tjetër më parë.

Mendohej se teknologjitë e reja, siç është interneti global, platformat e ndryshme të medias shoqërore, telefonat e dorës me kamera e të tjera, do ta bënin të pamundur censurën nga ana e qeverive të ndryshme, por në vend të kësaj teknologjia modern e ka bërë censurën më të komplikuar dhe shumë më të sofistikuar, duke i dhënë censurës së shtypit një fytyrë të re. Sipas KMG-ës, këto strategji të reja të censurës teknologjike kanë kontribuar dukshëm në rritjen e numrit të gazetarëve të vrarë dhe të burgosur anë e mbanë botë, duke llogaritur se në fund të vitit që kaloi kishte shënuar 259 gazetarë të burgosur, që thuhet se është numri më i madh i gazetarëve të burgosur që është dokumentuar ndonjëherë nga kjo organizatë.   Përveç qeverive autoritare që përdorin teknologjinë e re për të censuruar shtypin, janë edhe forcat e dhunës dhe ato terroriste – përfshirë militantët islamik e deri tek grupe kriminale të drogave – të cilat po përdorin tenologjinë e re të informacionit për të anashkalur median e rregullt dhe për të komunikuar drejtë për drejtë me publikun. Në të vërtetë, teknologjia e re, përveç anës negative të censurës ka edhe anën pozitive.

Teknologjia e re e informimit sfidon gjithashtu edhe qeveritë autoritare anë e mbanë botës, të cilat janë përpjekur, në të kaluarën, që të kontrollojnë përhapjen e lajmeve publikut, nepërmjet kontrollit të drejtë për drejtë të medias. Çdo njëri me telefon dore mund të shërbejë si gazetarë dhe si të tillë janë shumë dhe e bën të vështirë arrestimin e të gjithë atyre nga qeveritë autoritare, thotë enti për mbrojtjen e gazetarëve, KMG.

Cila do qoftë fytyra e re e censurës në ditën botërore të lirisë së shtypit këtë vit në indeksin e saj vjetor për 2017, organizata mbështetse e medias së lirë, “Gazetarët Pa Kufij”, konstaton se vitin e fundit është rritur dukshëm numri i vendeve ku gjëndja e lirisë së shtypit është përkeqësuar jashtzakonisht shumë. Harta që tregon lirinë e shtypit anë e mbanë botës po bëhet gjithnjë e më e zezë thotë ky ent ndërkombëtar për mbrojtjen e fjalës së lirë.

Ndërkaq, edhe organizata Freedom House, sipas raportit të saj mbi lirinë e medias në botë njoftoi gjithashtu disa ditë më parë, se vjen në të njëjtin përfundim se liria e medies anë e mbanë botës ka rënë në pikën më të ultë në 13 vitet e fundit për shkak të kërcënimeve të pashembullta ndaj gazetarëve dhe organizatave mediale, ndërhyrjeve të shtuara të vendeve autoritare dhe veprimeve të Rusisë dhe Kinës për të rritur ndikimin e tyre përtej kufijve të vet.

Në raportin e Freedom House, thuhet mëtej se vetëm 13 për qind e popullatës në botë gëzon medien e lirë, që do të thotë në vende ku përkatësisht ekziston një mjedis ku mbulimi i lajmeve politike është i fuqishëm, siguria e gazetarëve është e garantuar, ndërhyrja e shtetit është minimale dhe shtypi nuk është subjekt i presioneve të rënda ligjore dhe ekonomike.  Në raportin e Freedom House theksohet se 42% e popullësisë në botë gëzon një medie me liri të pjesshme, ndërkohë që 45% e popullësisë botërore jeton në vende pa liri të shtypit.  Shqipëria dhe Kosova, fatkeqsisht mbeten ende në radhët e vendeve me liri të pjesshme të lirisë së shtypit.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …