Brickos

Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Kurrë nuk bëhet vonë për të ndarë drejtësi

Duke lexuar lajmet ndërkombëtare në internet të hënën në mëngjes, më tërhoqi vëmendjen një lajm nga Rumania i botuar në dhjetëra gazeta amerikane online.  Sipas këtij lajmi — fillimisht i përhapur nga agjencia e lajmeve Associated Press, Rumania njoftoi se ka vendosur të gjykojë katër ish-zyrtarë të lartë komunistë, përfshirë edhe ish-shefin e Policisë sekrete të regjimit komunist të Nicolae Ceausecu-t, Tudor Postelnicu.  Prokurorët ushtarakë rumunë njoftuan se Tudor Postelnicu, ish-shefi i Policisë sekrete rumune, Securitate nga viti 1978 e deri në vitin 1987 dhe tre ish-zyrtarë të lartë komunistë rumunë përballen me akuzën për vrasjen e disidentit Gheorghe Ursu, i cili vdiq në burg nga rrahjet dhe mundimet, dy muaj pas arrestimit të tij, në vitin 1985. Disidenti Urdu ishte burgosur nën akuzën se mbante një ditar, i cili sipas policisë sekrete rumune, përmbante kritika ndaj regjimit të ish-diktatorit Nicolae Ceausecu.

Sipas ekspertëve dhe organizatave që merren me krimet komuniste, ky vendim nga ana e autoriteteve rumune të drejtësisë është me rëndësi dhe mund të quhet si historik, për faktin se duket se Rumania — madje edhe një çerek shekulli pas shëmbjes së komunizmit, ka vendosur  të vazhdojë me identifikimin, gjykimin dhe dënimin e ish-zyrtarëve të lartë komunistë, të cilët janë përgjegjës për krime të rënda dhe abuzime ç’njerëzore gjatë diktaturës komuniste.  Krimet e regjimit të diktatorit komunist rumun, Ceuasescu ishin ndër më çnjerzoret e botës komuniste.  Sipas Institutit Rumun në Mërgim për Hetimin dhe për Kujtimin e Krimeve Komuniste, gjatë sundimit dhe shtypjeve të regjimit komunist të atij vendi janë vrarë, janë burgosur dhe janë shpërngulur anë e mbanë vendit, afër dy milionë rumunë. Historianët kanë pohuar se lartë nga 600,000 disidentë, individë ndër më të dalluarit e shoqërisë rumune të asaj kohe, përfshirë politikanë, priftërinjë, avoketën, mjekë, shkrimtarë, edukatorë dhe studentë, janë burgosur të akuzuar për krime kundër shtetit, duke filluar që nga fundi i viteve 1940 e deri në fund të regjimit.  Thuhet se rreth 100,000 prej tyre të kenë vdekur  në burg.

Prokurori rumun Marian Lazar njoftoi të hënën se përveç ish-shefit të Policisë Sekrete (Securitate) të regjimit komunist të Nicolae Ceausecu-t, Tudor Postelnicu, me akuzën e rëndë për krime kundër njerëzimit, përballen edhe ish-Ministri rumun i Punëve të Mbrendshme George Homosteanu si dhe ish-agjentët e sigurimit sekret rumun Marian Parvulescu dhe Vasile Hodis.

Fatkeqsisht, si Rumania ashtu edhe Shqipëria – dy vende  ku krimet komuniste ndaj kundërshtarëve politikë llogariten si ndër më çnjerzoret në Europë lindore — ndryshe nga ish-vendet e tjera komuniste, vazhdimësia në pushtet këto 25 vitete e fundit, e elitës komuniste dhe asaj post-komuniste e kanë bërë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, përballjen me krimet e regjimeve komuniste në këto dy vende.

Nga kjo pikëpamje dhe përballë rezistencës së vazhdueshme nga klasa e sotëme politike për tu ballafaquar me të kaluarën komuniste, vendimi i prokurorëve rumunë për të gjykuar katër ish-zyrtarë të lartë të regjimit komunist të Nicolae Ceausescu-t, është një vendim i mirëpritur dhe jep shpresë se mos heret vonë, vendet ish-komuniste të Europës, përfshirë edhe Shqipërinë, ndoshta do të përballen më në fund me të kaluarën e tyre tragjike, duke kërkuar përgjegjësi dhe ndëshkim për personat që kanë marrë pjesë në krimet më të shëmtuara kundër njerëzimit, gjatë një periudhe prej pothuaj gjysëm shekulli të pushtetit komunist.  Kjo mbi të gjitha është një çështje drejtësie për të cilën, fatkeqsisht, pothuaj askush nga politikanët e sotëm shqiptarë nuk flet.

E ashtuquajtura “reformë në drejtësi” — për të cilën është folur dhe debatuar aq shumë e aq gjatë kohët e fundit në Shqipëri, për të  cilën duket se më në fund është arritur njëfarë marrveshjeje nga palët kundërshtare politike, jo me vullnetin e tyre por si rezultat i presioneve të vazhdueshme ndërkombëtare – ka për qëllim rritjen e pavarësisë së sistemit juridik nga influenca politike dhe çlirimin e sistemit gjyqësor nga korrupsioni.   Por nuk është e qartë nëse dhe si do të prekë çështjet e lustracionit dhe pjesëmarrjen e ish-zyrtarëve komunistë dhe ish-agjentëve të sigurimit të shtetit të cilët, si përfaqsues dhe në emër të regjimit komunist mund të kenë kryer krime kundër njerëzimit dhe për të cilët dyshohet se në përgjithësi kanë dhunuar brutalisht të drejtat bazë të njeriut të bashkombasve të vet të pafajshëm.

Shumica e vendeve ish-komuniste, dikush më shumë e dikush më pak,  janë përballur me të kaluarën e tyre komuniste duke miratuar ligje lustracioni, duke hapur dosjet dhe duke ndalur ish-agjentët dhe ish-zyrtarët e lartë komunistë që të vazhdojnë në detyra të larta juridike dhe qeveritare.  Si përfundim, gjatë çerek shekullit të kaluar, shumë prej vendeve europiano-lindore kanë hapur gjyqe dhe kanë ndërmarrë procedura ligjore kundër ish-zyrtarëve të regjimeve komuniste dhe ish agjentëve dhe zyrtarëve të lartë të këtyre regjimeve, të dyshuar për krime kundër njerëzimit.

Ekspertë dhe analistë të ndryshëm janë shprehur se mos ndëshkimi i krimeve të komunizmit dhe rezistenca zyrtare për t’u përballur me të kaluarën komuniste, është rezultat i drejtë për drejtë i korrupsionit që mbretëron sot në pothuaj të gjitha sferat e jetës në Shqipëri.   S’ka dyshim se është në interesin e kësaj elite politike dhe ekonomike, e cila gjithnjë dominohet nga ish-komunistë dhe të afërmit e tyre, që krimet e komunizmit të mos zbulohen kurrë, ndërkohë që ata të cilët mund të kenë patur gisht në ‘to të mos ndëshkohen për ato krime.

Përpjekjet për reformën në drejtësi thuhet se përfshijnë, mbi të gjitha, çlirimin e sistemit gjyqësor të Shqipërisë nga korrupsioni.  Si rrjedhim, a ka mundësi të shpresohet se miratimi dhe zbatimi përfundimtar i reformës në drejtësinë shqiptare të përbëjë gjithashtu një pikëkëthesë ndoshta historike — megjithëse të vonuar — në dënimin e krimeve të komunizmit dhe që të çojë në një përballje të sinqertë me të kaluarën komuniste?  Besoj se pa një angazhim të tillë serioz nga forcat e mbrendshme politike dhe ato ndërkombëtare, nuk do të ketë reformë as zbatim të mirëfilltë të kësaj reforme në drejtësinë e tranzicionit të tej-zgjatur post-komunist në Shqipëri.    Njoftimi i prokurorve rumunë të hënën se ata kanë vendosur të qesin para gjyqit ish-udhëheqës të lartë të sigurimit të shtetit komunist, të akuzuar për krime kundër njerëzimit, tregon se kurrë nuk është vonë që drejtësia të çohet në vend.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …