Brickos

Frank Shkreli: Po vidhet historia fizike e qytetit ilir të Shasit

Portalet elektronike të lajmeve nga Ulqini, “ulqinline” dhe “lajmengaulqini”, njoftojnë lajmin tronditës se dëshmitarë,  të cilët  kohët e fundit kanë vizituar gërmadhat e qytetit të lashtë ilir të Shasit afër Ulqinit, kanë venë re se persona të pa identifikuar po vjedhin gurët e prerë dhe të çmuar nga muret që kanë mbetur ende të ndërtesave, kryesisht kishave të atij qyteti antik shqiptar.

“Ndërsa po shkonim të vizitonim Kalanë e Shasit, shoh një makinë të ngarkuar me gurë nga muri rrethues i qytetit të vjetër!!  Pyeta dhe më thanë që kështu i marrin gati dhe s’kanë nevojë t’i thyejnë!!!”, citojnë portalet ulqinake të lajmeve, dëshmitarin Ilir Taflaj.   Mediat ulqinake e cilësojnë kjëtë ngjarje si të “tmershme”

 

Shasi antik, historia e të cilit mbetet ende për tu zbuluar dhe studiuar, ka një histori të lashtë dhe të bujshme për kombin shqiptar dhe të para-ardhësve të tij, ilirëve. Pamjet, nga ajo hapësirë e ish-qytetit që e ka zanafillën nga koha e ilirëve, megjith rrënojat, madje edhe sot janë mbresëlënse dhe flasin për një të histori qytetërimi tepër të zhvilluar.  Shasi, si qytet i lashtë, është një monument i gjallë i autotoktonisë shqiptare dhe të trashgimisë historike të shqiptarëve, që fatkeqsisht po shkatërrohet dal ngadalë.  Fatkeqsisht, si kudo tjetër anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan, trashëgimia kulturore dhe fisnore e shqiptarëve gjëndet nën dhe e pa zbuluar dhe e pa studiuar, ndërsa numri i madh i monumenteve që ende mbijetojnë dhe dallohen mbi dhe e që flasin qartë për kulturën dhe autoktoninë shqiptare në ato troje siç është Shasi, po shkatërrohen dhe po zhduken nga mos kujdesi zyrtar, nga rrethanat politike ose nga hajdutë që vjedhin ditën për diell, pasurinë kulturore dhe shpirtërore të kombit shqiptar, siç është rasti i fundit i vjedhjes së gurëve të qytetit të lashtë shqiptar afër Ulqinit, për të cilin raportojnë portalet e lajmeve të Ulqinit. 

 

Shasi i vjetër, shtrihet në një zonë tashti nën Mal të Zi, midis Shkodrës dhe Ulqinit. Aty gjënden rrënojat që ende bërtasin — për ata që duan të dëgjojnë — për trashëgiminë e lashtë të kulturës së iliro-shqiptare në ato troje. Qyteti i dikurshëm i Shasit, ishte njëri prej qyteteve satelite të Shkodrës që njiheshin si “Arbëria Veneciane”, e që kishte arritur një nivel zhvillimi ekonomik dhe humanist të përmasave të rilindjes europiane.  Thuhet se në Shasin antik ilir, si një qytet qëndër ipeshkvnore, dikurë qëndronin 365 kisha katolike, aq sa ditë ka viti, diçka që përputhet me gojëdhanën popullore që banorët e fshatit Shas thonë ”se të gjitha kishat në fillim ishin katolike” shqiptare.  Kjo histori gojëdhanore përputhet, sipas disa shënimeve në internet, edhe me një citim nga një autor i panjohur i dorëshkrimit  “Dulcigno secondo l’antica descrizione…”, ku thuhet se “në këtë trevë gjëndej qyteti shumë i vjetër i quajtur Shasi, ku duken gjurmët e 365 kishave, larg nga Ulqini 15 milje”. Nëqoftse kjo mund të dokumentohej si e vërtetë nga hulumtimet e historianëve, rasti i Shasit do të ishte një rast unik në botë me një numër aq të madh kishash dhe me një lashtësi prej më shumë se 1300-vjetësh në trevat autoktone shqiptare.

 

Sipas të dhënave historike, zhdukja barbare e këtij qyteti fillon në periudhën kur ai pushtohet nga Stefan Nemanja, ndërsa pëson sulmet e egëra nga mongolët dhe më në fund Shasi që njihej si edhe si qënder e madhe tregtare, shkatërrohet dhe shkretohet përfundimisht nga pushtuesit turq më 1571.  Si rrjedhojë,  ç’prej asaj periudhe e sot njihet si një “qytet i vdekur”.  Jo vetëm,  por një qytet ilir, të cilin sllavët gjatë gjithë historisë e deri në kohërat moderne, janë përpjekur ta fshehin Shasin antik nga vëmëndja e historianëve dhe e studiuesve vendas dhe të huaj për qëllimet e tyre të shtrëmbërimit ose të mohimit të historisë së shqiptarëve dhe të autoktonisë së tyre në trojet e veta.  Ndërsa nga koha në kohë, sidomos Kisha ortodokse serbe është përpjekur  t’i përvetësojë këto kisha duke vendosur simbole fetare ortodokse sllave në disa prej gërmadhave të Shasit, siç kishte ndodhur më 2004, gjë që me të drejtë shkaktoi indinjatë dhe protesta nga banorët dhe autoritetet vendore shqiptare.

 

Qyteti i lashtë i Shasit, gjatë shekujve u shkatërrua nga sllavët, nga otomanët edhe nga mongolët, ndërsa në ditët e sotëme duket se gjurmët e këtij thesari të trashëgimisë së historisë dhe të kulturës së vjetër të kombit shqiptar,  fakeqsisht nuk po zhduken nga të huajt, ndonëse do të dëshironin të bënin një gjë të tillë, por po zhduken nga hajdutët vendas që po vjedhin gurët e çmuar të këtij qyteti shqiptaro-ilir.  Është për të ardhur keq që, siç duket, vet shqiptarët vendas i janë vërsulur shkatërrimit të këtij monumenit historik duke vjedhur gurë e themeleve të gërmadhave të Shasit. Duket se kjo ngjarje është vetëm një vazhdim i tragjedisë së historisë së këtij qyteti të vjetër.

 

Ndërkohë, që Shasi është një kujtesë e lavdisë së historisë së vjetër iliro-shqiptare, ai është gjithashtu edhe një simbol i tragjedisë historike nepër të cilën është përshkuar kombi shqiptar gjatë shekujve.  Historia e Shasit antik është një histori sulmesh e okupimesh nga hordhitë sllave, mongole e otomane, të cilat, me barbarizmat e tyre kundër një popullësie të vjetër autoktone, hodhën në humerë atë kulturë e traditë të vjetër të kombit shqiptar,  të asaj toke arbërore ku Lindja i hapet Perëndimit dhe Perëndimi Lindjes.  Është fatkeq fakti se Shasi i vjetër po kalon nepër një periudhë tjetër tragjedie, ku hajdutët vendas po tërheqin me kamionë gurët e themelit të këtij monumenti të lashtë të historisë mija vjeçare të kombit shqiptar, duke zhdukur kështu mëtej nga ato troje, gjurmët e qytetërimit të lashtë e autokton të këtij kombi fisnik.

 

Nuk mund ta marr me mend se si mund të ndodhë një gjë e tillë, por falënderim  medias ulqinake që e venë në dukje një gjë të tillë, duke ia bërë të ditur këtë situatë opinionit publick vendas dhe më gjërë, me shpresë së personat fajtorë do të kapen dhe situate atë tilla të mos përsëriten më. Nevoja për ruajtjen e trashëgimisë së kulturës dhe historisë shqiptare në Shasin antik duhet të jetë një obligim, jo vetëm i autoriteteve vendase, por mbarëkombëtar. U takon ekspertëve shqiptarë  dhe qeverive përkatëse nga të gjitha trojet, që të ndërmarrin projekte arkeologjike për të shpëtuar dhe për të dokumentuar sadopak nga ato gjurmë të të qytetërimit të lashtë iliro-shqiptar që kanë mbetur aty, para se hajdutët e gurëve të shlyejnë çdo rrënjë të asaj kulture e historie të mbrekullueshme, vlera e së cilës nuk mund të matet me para.  Shasi antik simbolizon një dimension vlere kulturore jo vetëm shqiptare, por edhe europiane dhe mund të themi e qytetërimit biotëror. Prandaj, vlerat historike të Shasit i përkasin jo vetëm mbarë shqiptarëve por edhe gjithë njerëzimit dhe si të tilla duhet të ruhen dhe të mbrohen si vlera të përbashkëta e të jashtzakonshme edhe për brezat e ardhshëm. Identiteti kulturor historik e kombëtar i shqiptarëve nuk duhet të lihet në dorë të hajdutëve!

 

 

Frank Shkreli: Masakra e Reçakut krim kundër njerëzimit

 

“Masakër dhe krim kundër njerëzimit”, e kishte cilësuar ish-ambasadori  amerikan, Uilliam Uoker krimin e 15 Janarit, të vitit 1999, në fshatin Reçak të Shtimes, në  Kosovë,  kur forcat serbe të kasapit të Ballkanit, Millosheviq masakruan në mënyrën më brutale 45 shqiptarë të pafajshëm dhe ku ranë në mbrojtjte të popullatës edhe  9 pjesëtarë të UÇK-së.  

Në çdo viti Reçaku dhe Kosova shënojnë  përvjetorët  e kësaj ngjarjeje tashmë historik, e cila konsiderohet si pikë-kthesa kryesore e ngjarjeve të më mëvonshme në Kosovë, përfshirë edhe sulmet ushtarake të NATO-s,  kundër objektivave ushtarake dhe industriale të Serbisë, si dhe kryeqytetin e Beogradit, ndërhyrje kjo  e cila në qershor të vitit 1999 e detyroi largimin e forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova, duke i dhënë kështu fund luftës në Kosovë. 

Ishte ambasadori amerikan Uilliam Uoker, në atë kohë Shef i Misionit Verifikues i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë, ai i cili zgjoi nga gjumi letargjik ndërgjegjen e botës mbi barbarizmat që makineria ushtarako-policore dhe paramilitare e Serbisë po bënte në Kosovë, ashtu si të donte dhe kur të donte.  Ambasadori Uoker ka thënë se ato që ai ka parë me sytë e tij në Reçak, janë ato që ai i konsideron si prova dërmuese të së vërtetës, që ai i deklaroi botës në atë kohë, e që është se forcat ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë kanë    kryer masakra dhe krime të rënda kundër njerëzimit, ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës.  Pasi kishte parë kufomat e shqiptarëve të vrarë në Reçak, ai e dënoi masakrën si një “barbarizëm të pabesueshëm” dhe i quajti vrasjet në fshatin Reçak si, “një krim kundër njerëzimit”, duke i thënë në atë kohë gazetës amerikane Nju Jork Tajms, se ”nuk dëshironte të hezitonte asnjë minutë që të akuzonte, drejtë për drejtë, forcat qeveritare serbe si përgjegjëse të kësaj masakre.”   Deklarata e Ambasadorit Uolker bëri jehonë anë e mbanë botës, por shkaktoi reagime të ashpra sidomos në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë.  Ish-presidenti amerikan Bill Klinton reagoi atëherë ndaj deklaratës së ambasdorit Uolker duke thënë se masakra e Reçakut, “Ishte një akt vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim, që synonte të frikësonte popullin e Kosovës.”

 

Ndërsa Ministri i jashtëm i Gjermanisë gjatë krizës në Kosovë, Joschka Fischer duke folur në emër të Bashkimit Europian ka thënë pas zbulimit të masakrës në Reçak nga ambasadori Uoker se, “Ata që janë përgjegjës për këtë akt, duhet ta dinë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të pranojë kurrë masakrimin brutal dhe vrasjen e popullsisë civile.”  

Masakra e shqiptarëve civilë nga forcat serbe në Reçak ishte vetëm një nga sulmet e forcave serbe kundër popullësisë shqiptare të Kosovës gjatë atyre viteve, për të cilat bota nuk ishte e informuar.  Por, më në fund qe deklarata e Ambasadorit Uilliam Uoker, si dëshmitar i masakrës në Reçak, ajo që më në fund bëri jehonë në median botërore dhe si rrjedhim shkaktoi një ndryshim të dukshëm të politikës së vendeve përendimore karshi gjëndjes në Kosovë dhe  njëkohësisht shërbeu si një katalist për ndërhyrjen eventuale të NATO-s, për të dëbuar forcat serbe nga Kosova.  Gazeta e kryeqytetit amerikan, Uashington Post, sugjeronte në prill të vitit 1999 se pas një shqyrtimi të vendim-marrjeve në Shtëpinë e Bardhë dhe në  kryeqendrën e NATO-s në Bruksel, masakra e Reçakut transformoi politikën e Perëndimit ndaj Ballkanit si asnjë ngjarje tjetër më parë.  Masakra e Reçakut, sipas gazetës Uashington Post, bindi qeverinë amerikane dhe aleatët e saj në NATO se politika e tyre e ndjekur deri atëherë duhej të ndryshohej fund e maje.

Politika amerikane ndaj Kosovës deri atëherë bazohej në atë që njihet si  “Paralajmërimi i Krishtlindjeve”, një telegram prej një fjalie që administrata e Presidentit Bush të parë i kishte dërguar Millosheviqit më 24 Dhjetor, 1992 — vija e kuqe — e që ishte një telegram shumë i shkurtë  dhe pa stërhollime, por tekstualisht përmbajtja e tij u citua nga Uashington Post të ketë qenë fjalia që vijon: “Në rast të një konflikti në Kosovë, që shkaktohet nga ndërhyrja e Serbisë, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatëshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe brenda Serbisë.”  Ky kërcënim u përsërit disa herë edhe nga ish-Sekretari i Deaprtmentit të Shtetit Uorren Kristofer, në mandatin e parë të Presidentit Klinton, por deri në masakrën e Reçakut mbeti vetëm një kërcnim në letër.

Por ishte masakra e Reçakut dhe dëshmia e një ambasadori amerikan mbi këtë tragjedi, mbi tragjedinë që kishte pa në atë fshat ambasadori Uoker, që zgjoi ndërgjegjen e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në NATO, por edhe të botës mbarë,  e cila bëri që paralajmërimi kërcnues i administratës së Xhorxh Bushit të parë me rastin e  Krishtlindjeve të vitit 1992, më fund të zbatohej.  Si përfundim, më 13 tetor, 1999, për herë të parë në historinë e saj, organizata e Atlantikut Verior, NATO autorizon komisionin ushtarak të saj që të fillonte planifikimimin për ndërhyrje ushtarake në Kosovë.  

Po të kishte qenë në atë kohë, në Kosovë, ndonjë përfaqsues tjetër nga ndonjë vend europian e jo Uilliam Uoker si Shef i Misjonit Verifikues i Organizatës për Bashkpunim dhe Siguri në Europë, çfarë do të kishte ndodhur me rrjedhat historike të Kosovës?  A do kishte pasur një përfaqsues tjetër, fuqinë dhe ndërgjegjen morale që të shkonte e të vërtetonte vet se çka kishte ndodhur në Reçak.   Ose çfarë do të kishte ndodhur nëqoftse Ambasadori Uoker mos të kishte shkuar për të parë vetë me sytë e tij tragjedinë në Reçak.   Unë besosj se do të kishte pasur, ashtu sikur edhe pati  masakra si kjo e  Reçakut anë e mbanë Kosovës dhe askush nuk do të dinte gjë për to.  Ambasadori Uoker kollaj mund të kishte shkruar raportin nga një zyrë e ngrohtë në Prishtinë e ta dërgonte në Vjenë, duke informuar OSBE-në se ‘sipas raporteve thuhet se ka ndodhur një tragjedi në Reçak, por rrethanat dhe hollësitë nuk dihen’.  Dhe me aq ai e kishte kryer detyrën e vet.   Por jo!  Ai si diplomat i regjur e me pëvojë, e ka ditur se një raport i tillë nuk do të kishte pasur kurrë efektin që do të kishte dëshmia e tij e gjallë, duke vajtur vet në vendin e ngjarjes tragjike në Reçak duke e bërë më të besueshme deklaratën mbi masakrën që kishte pare në atë fshat. 

 

Andaj në këtë 16-vjetor të këtij krimi të shëmtuar nga forcat  kriminele serbe, të kujtojmë, natyrisht me respekt dëshmorët dhe martirët e rënë të Reçakut dhe familjet e tyre, por njëkohsisht të mos harrojmë as diplomatin amerikan, ambasadorin Uilliam Uoker, i cili me guximin dhe kurajon e tij zgjoi ndërgjegjen morale të botës, që falë dëshmisë së tij, u njoh për së afërmi me mizoritë që po bënte Serbia me dekada në Kosovë kundër shqiptarëve dhe më në fund bëri që  NATO të vendoste,  që të ndërmerrte aksione ushtarake nga ajri  për t’i ndaluar masakrat serbe kundër shqiptarëve.

  Të rënve Zoti u faltë paqën dhe mikut tonë, ambasadorit Uilliam Uoker Zoti i faltë jetë dhe shëndet!

 

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …