Gani Bajraktari: Në moshën 71-vjeçare ndërroi jetë, luftëtari pedagogu e repoteri i luftës, Zymber Bajraktari

Ka ndërruar jetë në moshën 71 vjeçare, pedagogu, luftëtari e çlirimtari, Zymber Bajraktari. Kështu ka bërë të ditur familjari i tij, Dr. Gani bajraktari përmes llogarisë në faqen e tij në “Facebook”. Varrimi i të ndjerit u bë sot  në ora 15.00, me ceremoni shtetërore në Varrezat e fshatit Klinë e Epërme në Skenderaj.

 

Njoftimi i plotë i Gani Bajraktarit:

Ka ndërruar jetë, pedagogu, luftëtari, çlirimtari,

Iku në amshim për të mos vdekur kurrë, njeriu i mirë e human, patrioti e atdhetari,

Na mërziti shumë Vëllai ynë, Prijësi, Legjendari, …

Zymber BAJRAKTARI,

Jeta yte vëlla nuk ish veç një rrëfim: do aq kohë sa jetove për të bërë një udhë përshkrim!

Do të na mungosh shumë!

Lavdi veprës tënde, që do të na ndriçojë për jetë e mot!

Ngushëllime miqve të shumtë të Zymberit, anekënd trojeve shqiptare, nxënësve të tij, bashkëluftëtarëve dhe farefisit të gjerë! Qoftë i Parajsës Luftëtari i Lirisë!

AGJENDA e përcjelljes së veprimtarit Zymber Bajraktari

– 12.00-14.00- Homazhe pranë arkivolit në Hollin e Shtëpisë së Kulturës në Skënderaj

– 14.00 – Akademi Përkujtimore nën patronatin e Shoqatave të Luftës dhe komunës së Skenderajt, në Sallën e Shtëpisë së Kulturës

– 15.00 Varrimi me Ceremoni Shtetërore në Varrezat e Fshatit Klinë e Epërme.

 

 

Biografia e shkurtër e veprimtarit të çështjes kombëtare Zymber (Hetem) Bajraktari, Mr.Sci. (1952-2023)

 

– Zymber Bajraktari ka lindur më 22 Maj 1952 në Klinë të Epërme, komuna e Skenderajt.

– Shkollën Fillore e ka mbaruar në Klinë të Epërme dhe në Skenderaj,

– Shkollën Normale e ka mbaruar në Prishtinë, ndërsa

– Shkollën e Lartë Pedagogjike, drejtimi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe e ka përfunduar në Gjakovë.

– Ka punuar arsimtar në fshatrat Bellanicë dhe Duhël të Komunës së Malishevës (atëherë të Suharekës), si dhe në Shkollën Fillore në Fshatin Llaushë, të Komunës së Skenderajt.

– ZYMBERI, duke qenë stërnipi i Dëshmorit të Atdheut – Ramadan Bajraktarit, dhe nipi i Zymber Bajraktarit të rënë në Petnjice të Malit të Zi në mbrojtje të tokave shqiptare, ishte brymosur fuqishëm me ide patriotike që në fëmijërinë e tij të hershme.

– Aktivitetet e tija patriotike të kohës i kishte shpërfaqur nëpërmjet aktiviteteve të Grupit Letrar të Shkollës së Llaushës, i cili kishte ngjallur “kureshtjen” e sigurimit jugosllav të kohës, meqë ky Grup Letrar përveç shkëlqimit në garat letrare të kohës kishte dhënë shkëndijat e rimëkëmbjes së ndjenjave kombëtare çlirimtare të banorëve liridashës të Llaushës, Drenicës e më gjërë. Këto shkëndija do të bëhëshin më vonë sinjalet e para të luftës për liri, sepse ishin pikërisht nxënësit e Arsimtarit Zymber, çlirimtarët e Llaushës, ata që ndër të parët i kthyen pushkën armikut ardhacak që kishte futur rrënjët në qindvjeçarin e fundit në Kosovë.

– Këto aktivitete, bashkë me aktivitetin e shquar të Zymberit në Grupin Amator Dramatik në Skënderaj, i cili nxirrte shfaqje me përmbajtje patriotike para artëdashësve ne Kosovë, i ranë në sy pushtetit serb të instaluar dhunshëm në Kosovë dhe kolaboracionistëvë të tyre, duke e shënjestruar dhe përndjekur atë, nëpërmjet bisedave informative, kërcënimeve e shantazhimve nga më të ndryshmet.

– Mirëpo, Zymberi jo vetëm që nuk u frikësua, por përkundrazi, ai nuk ndaloi, thelloi aktivitetin e tij kombëtar e patriotik, duke mos pushuar për asnjë moment, deri në çlirimin përfundimtar të vendit:

o Ishte aktivist i shquar i Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë,

o Ishte nismëtari dhe themeluesi i Lidhjës Demokratike të Kosovës në Bashkësinë Lokale të Klinës së Epërme,

o Ishte Kryetari i Parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës të Bashkësisë Lokale Klinë e Epërmë, duke qëndruar në këtë pozitë deri në Vitin 1998,

o Ishte nismëtari dhe njëri nga tre themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Klinë të Epërme,

o Ishte Ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

o Ishte Zëdhënës i Brigadës 114 Fehmi Lladrovci, Zona Opertive e Drenicës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

o Ishte korrespondent i Radios së Luftës “Kosova e Lirë”

o Ishte korrespondent i Radio Televiozionit Shqiptar, gjatë kohës së Luftës në Kosovë.

Pas çlirimit të vendit në Qershor të Vitit 1999, Zymberi ishte ndier i përmbushur, prandaj kishte vendosur që punën e shtetformimit të vendit të çliruar t’ua linte në duar gjeneratave më të reja, duke mos pushuar në asnjë moment në aktivitetet e tija humanitare dhe sociale në Drenicë, Mitrovicë dhe Kosovë, krahas aktivitetit të tij privat e familjar.

– Kultura e tij e punës dhe pasioni i tij i pashembullt për të kontribuar sa më shumë në të mirë të vendit dhe njerëzimit, Zymberin e ndoqën gjatë gjithë jetës. Ai mbaroi Studimet Master për Bletari në Universitetin Bujqësor të Tiranës, fushë në të cilën ishte i mishëruar që në rini. Vitet e fundit të jetës ai i kaloi duke kontribuar në fushën e Bletarisë, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në nivel vendi në edukimin e brezave të të tërë të bletarëve në Kosovë, në cilësinë e ekspertit të fushës.

Zymber Bajraktari, do të mbahet në kujtesë për veprimtarinë e tij atdhetare, për organizimin e jetës sociale, politike e çlirimtare. Ai gjithashtu, do të mbahet mend për organizmin e popullatës në kohën e luftës së fundit, si dhe për aktivitetin e tij humanitar për familjet në nevojë.

Lavdi për jetë e mot veprës së pedagogut, atdhetarit, humanistit e çlirimtarit, Zymber Bajraktari!

 

Kontrolloni gjithashtu

Lumir Abdixhiku: Pas një viti me marrëveshjen e Qeverisë Kurti nuk do të flitet më për Asociacion, por për autonomi territoriale

Lumir Abdixhiku ka thënë se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit vetëm pas publikimit të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese

Një qasje të ngjashme ka shprehur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, …