Me një Akademi përkujtimore sot përkujtohet veprimtari, Adem Demaçi në një vjetorin e vdekjes se tij

 Mustafë Krasniqi: Një jetë në shërbim të atdheut legjenda e kombit, Adem Demaçi

Sot pesë vite që kur babai i lirisë së Kosovës, simboli i qëndresës shqiptare, luftëtari i paepur i fjalës së lirë, njeriu i pathyeshëm në përballje me çdo furtunë ishte legjenda e kombit, Baca Adem Demaçi. Adem Demaçi  mbylli kapitullin e jetës në mes njerëzve të gjallë, duke u shndërrua në një engjëll i pavdekshëm, që mbeti frymëzues i rrugës së drejtë dhe inspirues për gjeneratat e ardhshme, se si duhet të jenë në shërbim të atdheut e të kombit.

Njeriu që i rezistoi kohës makabër, regjimit kriminal serbo-Jugosllav për 30 vite, njeriu i cili në asnjë kohë nuk u dëshpërua, por gjithmonë optimist, krenar e i fuqishëm në shërbim të kombit.

Si fëmijë kaloi shumë peripeci, në përballjen me varfërinë dhe regjimin, por asnjëherë nuk hoqi dorë nga ideali i lirisë, pavarësisë së Kosovës e për bashkim me shtetin amë – Shqipërinë dhe të drejtën e shkollimit, për të cilën falangat serbe ua mohonin këtë të drejtë shqiptarëve. Por dhe të drejtën për të jetuar të lirë, pa frikë në tokën e stërgjyshërve pellazgo-ilirë-shqiptarë.

Për idealet dhe atdhedashurinë e Demaçit, pushteti fashist serbo-jugosllav e burgosi për herë të parë, më 19 nëntor 1958, i cili në mars të vitit 1959 para Gjyqit të Qarkut në Prishtinës do të dalë hapur me kërkesën e tij, për bashkimin e Kosovës me Shqipëri, i cili për këto qëndrime u dënua me pesë vjet burg. Për të dytën herë Demaçi u burgos si kryetar i  LRBSH, me pesëmbëdhjetë vjet burgim , por që i mbajti vetëm 10 vite dhe u lirua më 8 qershor 1974. 

Demaçi për herën e tretë burgoset më 6 tetor 1975, me proces të montuar politik dhe dënohet me pesëmbëdhjetë vjet, i cili lirohet më 21 prill 1990. Gjithsejtë me 30 vjet burgim, vetëm për fjalën dhe mendimin e lirë, duke mbrojtur qëndrimin e së drejtës për bashkim me Shqipërinë.

Për qëndrimin e Demaçit Parlamente Evropian, më 4 dhjetor 1991, i ndan Çmimin Saharov. E më 1993, Klubi i Rektorëve Universitarë në Madrid i dha Çmimin Special për Paqe, kundër racizmit, ksenofobisë, për qëndrim paqësor e tolerant. Në shkurt të vitit 1994, pesë anëtarë të Parlamentit të Norvegjisë e kandiduan shkrimtarin Adem Demaçi për çmimin Nobel për letërsi. Më 14 dhjetor 1995 Adem Demaçit iu dorëzua Çmimi për të Drejtat e Njeriut nga Universiteti i Oslos.

Përpos që ishte Demaçi simbol i rezistencës, ai ishte edhe një krijues me vlera të mëdha letrare, i cili veprimtarinë e tij krijues e filloi në revistën letrare “Jeta e re”, që më 1958 kjo revistë ia  botoi romanin e parë “Gjarpinjtë e gjakut” e , më pas romani u ribotua në Zvicë, Lublanë dhe në Prishtinë.  Librat e Demaçit janë: “Kur Zoti harron” (vëllim me tregime) më 1990,   “Vetëmohimin”(roman), më 1994, “Tung, vargu im”, Prishtinë, 2002, “Heli dhe Mimoza”, Prishtinë, 2006,  “Dashuria kuantike e Filanit” Prishtinë, 2007 dhe “Shkrumbnajë e dashuri” (roman), Prishtinë 1912. Për bacën Adem janë shkruar edhe shumë libra, këngë, poezi, ndër to është edhe libri, “Lamtumirë Baca Adem”  i botuar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, më 2018, nga autori Selatin Novosella.

Përpos rezistencës dhe krijimtarisë letrare, Adem Demaçi ishte kryetar i KLMDNJ-së në Prishtinë dhe njëri që iu dha zemër ushtarëve të UÇK-së, ishte edhe përfaqësuesi politik i UÇK-së. Ky vigan i trimërisë kurrë nuk hoqi dorë nga kërkesa e tij e arsyeshme për bashkimin e kombit. Shpesh, politika pacifiste është munduar ta zhvlerësojë qëndrimin e tij, por kurrë simboli i rezistencës nuk thye. Gjithmonë në mbrojtje të vlerave kombëtare, të atyre që kishin në shpirt bërjen e shtetit të lirë dhe të bashkuar. Pas lufte, shumëherë disa politikanë i quante si frikacakë, të cilët në periudhat më të vështira të atdheut, këta frikacakë ishin të gatshëm të jepnin gjithçka. Ishte kundër atyre që i fyenin ushtarët e lirisë, UÇK-në para dhe pas luftës. Ky vizionar i madh, sy patrembur dhe i ashpër ndaj atyre që interesin e karrierës e vënin para interesit kombëtar.

Sot e pesë vite mbushen kur Adem Demaçi u nda nga njerëzit me më të dashur, nga atdheu që shumë i dha dhe hyri në histori me veprimtarinë e tij sublime. Hyri si Simbol i Rezistencës shqiptare, luftëtar i paepur i së drejtës dhe i bashkimit kombëtar, por edhe si  letrar e publicist i talentuar. 

Demaçi do të kujtohet nga gjeneratat që do të vijnë pas me shembullin, sakrificën dhe punën e tij vetëmohuese, duke mos i mohuar të drejtën e asnjë komuniteti, por asnjëherë nuk është pajtuar që të shkelen të drejtat që u takojnë shqiptarëve, për bashkim kombëtar.  Dhe, për këtë çdo herë e ka thënë hapur dhe i ka inspiruar politikanët dhe popullin, që nga e drejta e tyre të mos heqin dorë, por edhe të drejtat e asnjë komuniteti tjetër të mos cenohet.

Shembulli i Bacës Adem duhet të na shërbejë si forcë në mbrojtje të idealeve për atdhe e komb!

Lavdi veprës së Adem Demaçit!

 

Kontrolloni gjithashtu

Ilaz Kodra

Ramush Haradinaj: Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra Luani e u plagos Rafet Rama

Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra …