Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, i cili kishte thënë se votimi i Hashim Thaçit për president ka qenë “gabim trashanik” i LDK-së. Musliu ka theksuar se gabimi i vërtetë i LDK-së nuk lidhet me Hashim Thaçin, por me, siç u shpreh ajo, heshtjen, frikën dhe mungesën e guximit politik ndër vite. Sipas Musliut, LDK-ja nuk ka pasur kurajë të përballet me realitetin politik dhe të kritikojë hapur figura si Donika Gërvalla, Faton Peci dhe Vjosa Osmani, duke ushqyer, sipas saj, iluzione të rreme se këta aktorë do t’ia rikthenin votat e humbura dhe do t’i riparonin dëmet e shkaktuara ndaj vetë LDK-së. Ajo ka shtuar se kjo heshtje u thellua edhe më shumë kur LDK-ja, sipas saj, mbylli sytë para skandaleve dhe keqmenaxhimit gjatë mandatit të Faton Pecit në qeveri, Donika Gërvallës në diplomaci dhe Vjosa Osmanit në presidencë. Musliu përmendi vendime të kontestuara, arrogancë politike, shkelje të standardeve institucionale dhe dëmtim të funksionimit demokratik të shtetit. “Në emër të kalkulimeve të ulëta politike, gjithçka u tolerua. Me këtë sjellje, LDK nuk dështoi vetëm si opozitë, por u bë bashkëfajtore përmes heshtjes”, ka shkruar Musliu, duke shtuar se partia zgjodhi të përkulet dhe jo të përballet, të shpresojë dhe jo të veprojë. Në përfundim, deputetja e PDK-së theksoi se problemi i LDK-së nuk është e kaluara e saj politike, por mungesa e guximit për ta thënë të vërtetën sot dhe për të mbajtur qëndrime të qarta politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
