Ganimete Musliu kërkon shkarkimin e Dimal Bashës pas deklaratës për Astrit Deharin

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, i cili tha se “rasti i Astrit Deharit është më i rëndë se ajo që kanë vuajtur shqiptarët nën Millosheviqin”. Musliu e ka quajtur këtë deklaratë “skandaloze, fyese dhe thellësisht të papranueshme”, duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Bashës nga posti i kryetarit të Kuvendit. Sipas saj, krahasimi i një rasti individual tragjik me krimet dhe terrorin shtetëror të ushtruar nga regjimi serb mbi shqiptarët është një fyerje e rëndë ndaj kujtimit të viktimave të luftës. “Një kryetar Kuvendi që bën deklarata të tilla ose nuk e kupton peshën e fjalës publike, ose e përdor për të ndezur emocione dhe për të mbuluar paaftësinë politike”, ka shkruar Musliu në reagimin e saj. Ajo e ka cilësuar këtë deklaratë si vazhdimësi të qëndrimeve të mëhershme të Bashës, përfshirë punimin e tij shkencor që, sipas saj, kishte sulmuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. “Kosova ka përjetuar mjaft dhimbje për të lejuar që politikanë të tillë të banalizojnë historinë dhe sakrificën e popullit tonë”, përfundoi Musliu.

Kontrolloni gjithashtu

Veteranët e UÇK-së, protestuan para EULEX-it: Pesë vjet padrejtësi e organizuar

Në pesëvjetorin e arrestimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri …