Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Konsullit të Kosovës në Frankfurt, Gëzim Gashi, duke kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani të tërheqë pa vonesë dekretin e tij dhe të iniciojë procedura disiplinore. Sipas Musliut, pëlqimi i një shkrimi me akuza të rënda ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi përbën jo vetëm shkelje të etikës diplomatike, por edhe mbështetje të hapur të propagandës politike që dëmton interesin shtetëror të Kosovës. Ajo thekson se diplomacia e Kosovës nuk mund të shndërrohet në instrument servilizmi politik apo në zgjatim të fushatave denigruese ndaj ish-udhëheqësve të vendit, sidomos në një kohë kur Thaçi po përballet me një proces të kontestuar gjerësisht në arenën ndërkombëtare. Musliu vlerëson se heshtja institucionale përballë këtij rasti e cenon rëndë besueshmërinë e shërbimit diplomatik dhe kërkon reagim të menjëhershëm institucional, duke e konsideruar largimin e Gashit si domosdoshmëri për ruajtjen e dinjitetit të shtetit dhe seriozitetit të përfaqësimit diplomatik të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
