Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka lëshuar akuza të rënda ndaj krerëve aktualë të shtetit, duke thënë se presidentja Vjosa Osmani, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë dëmtuar rëndë diplomacinë e Kosovës dhe imazhin ndërkombëtar të vendit. Musliu deklaroi se presidentja Osmani vepron në koordinim të plotë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe se nuk ka treguar asnjëherë neutralitet institucional. “E kanë shkatërruar diplomacinë e Kosovës Vjosa Osmani me Donika Gërvalla e Albin Kurtin. Presidentja është komplet e orientuar në Lëvizjen Vetëvendosje, përçan çdo ditë, shpërndan gjuhë urrejtje dhe shpreson në një mandat të ri presidencial. Asnjë sekondë të punës së saj nuk ka treguar neutralitet”, tha Musliu, duke shtuar se politikat e Osmanit janë “kokë e këmbë në linjën e Dejona Mihalit”. “Gjithçka është rritur – produktet ushqimore, energjia elektrike. LVV ka ardhur në pikën që ka dashtë që vendi të shkojë përsëri në zgjedhje, sepse ka abuzuar me besimin e qytetarëve”, tha Musliu. Në fund, deputetja e PDK-së u shpreh e bindur se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, qeverinë e re të Kosovës do ta udhëheqë Bedri Hamza. “Pas 28 dhjetorit Kosovën do ta drejtojë kryeministri në ardhje Bedri Hamza”, përfundoi ajo.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
