Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ish-presidentes Vjosa Osmani, të bëra në një tubim të Lidhja Demokratike e Kosovës, ku ajo kritikoi mungesën e përdorimit të flamurit të Kosovës në forume ndërkombëtare dhe partiake. Musliu e ka akuzuar Osmanin për, siç tha ajo, heshtje disavjeçare dhe mungesë reagimi gjatë kohës sa ishte në pozita të larta shtetërore. Sipas saj, Osmani vetëm tani po e pranon një realitet që, siç pretendon, është ngritur më herët nga opozita. “Pesë vjet e gjysmë e mbajti gojën të mbyllur pa e thënë të vërtetën. U desh t’iu shkundet karrigia që ta pranojë atë që ne ua kemi thënë prej kohësh”, ka deklaruar Musliu. Ajo shtoi se situata nuk përbën vetëm hipokrizi politike, por edhe mashtrim ndaj qytetarëve, duke e cilësuar të papranueshme sjelljen e politikanëve që, sipas saj, dëmtojnë interesin dhe dinjitetin shtetëror për përfitime personale. Musliu ka kritikuar ashpër edhe qasjen ndaj simboleve shtetërore, duke thënë se “flamuri i Kosovës nuk vendoset as në forumet e tyre të brendshme, e lëre më në ato ndërkombëtare”. Në fund të reagimit të saj, ajo theksoi se qytetarët nuk duhet të mbështesin politikanë që, sipas saj, vendosin interesin personal mbi shtetin, duke shtuar se ata duhet të ndëshkohen në mënyrë politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
