Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar ndaj punimit shkencor të kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, në të cilin Ushtria Çlirimtare e Kosovës kritikohet ashpër. Musliu tha se Basha do të duhej të jepte dorëheqje ose të shkarkohej sapo studimi të bëhej publik. Ajo shtoi se më e madhe se çdo parti politike është Kosova dhe Ushtria Çlirimtare e saj. “Unë vlerësoj se më e madhe se Partia Demokratike është UÇK-ja, më e madhe se Vetëvendosja dhe të gjitha partitë politike është Kosova. Ka ardhur koha të votojmë jo me inate politike, por mbi bazën e interesit të vendit”, u shpreh Musliu. Ajo gjithashtu e cilësoi si shkelje kushtetuese mënyrën se si Lëvizja Vetëvendosje ka proceduar votimin e Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit, duke thënë se kërkesat e VV-së rrezikojnë të çojnë vendin në anarki. “Për këto institucione është derdhur shumë gjak dhe është bërë shumë sakrificë. Ua kemi borxh qytetarëve dhe dëshmorëve të Kosovës që të respektojmë ligjin, Kushtetutën dhe Republikën tonë”, tha Musliu.
