Gazeta franceze “Le Constitutionnel” ka botuar, të hënën e 25 marsit 1822 një shkrim në lidhje me momentet e fundit të Ali Pashë Tepelenës

Gazeta franceze “Le Constitutionnel” ka botuar, të hënën e 25 marsit 1822 një shkrim në lidhje me momentet e fundit të Ali Pashë Tepelenës

Gazeta franceze “Le Constitutionnel” ka botuar, të hënën e 25 marsit 1822 një shkrim në lidhje me momentet e fundit të Ali Pashës.

Artikulli bazohet tek një raport i hartuar nga letrat e dëshmitarëve okularë në Janinë:

“Ali Pashai u vra më 5 shkurt pasi u mbrojt me kokëfortësi për më shumë se 18 muaj. Këtu po ju sjellim një përmbledhje të saktë të rrethanave që i paraprinë fundit së tij. Pas versioneve kontradiktore të përhapura së fundmi, ne kemi marrë disa letra të dëshmitarëve okularë nga Janina, të cilat përputhen plotësisht në detajet që japin:

Rreth fundit të vjeshtës së kaluar, Tahir Abazi, një ish-oficer i Ali Pashës, dhe vëllezërit e tij ngritën krye kundër Portës dhe u bashkuan me suljotët. Agjentët lokalë të qeverisë u shqetësuan mjaft për këtë ndryshim të shpejtë dhe të papritur. Dhe kur pak më vonë udhëheqësit shqiptarë të Epirit dërguan disa deputetë në kongresin e Argos-it për të bashkuar fatin dhe interesat e tyre me ato të grekëve, ata nuk mund të qëndronin më gjatë spektatorë.

Hurshid Pashai duke parë pamundësinë e nënshtrimit të Ali Pashës me armë, përdori si mjet tradhtinë. Ai bëri disa lëshime ndaj Tahir Abazit dhe kolegut të tij Hagos Muhurdar, duke u premtuar atyre në emër të sulltanit se do t’i emëronte, të parin pasha të Janinës dhe të dytin pasha të Delvinës pas vdekjes së Aliut.

Që ata ta besonin, ai bëri të vinte nga Kostandinopoja një vendim dënimi për Ismail Pashën, pashain e Janinës, dhe Hysen Pashën, të cilëve iu prenë kokat.

Kjo ngjarje pati efektin e saj; Tahiri i mori ekzekutimet si shenjë të qartë të mbajtjes së premtimit nga serasqeri Hurshid dhe pasi shkëmbeu disa pengje me të, u nis për në Janinë.

Duke qenë ndërmjetës midis turqve dhe ish-shefit të tij Ali Pashës, ai u prit me besim në kala dhe pati disa takime me Aliun. Por ndërsa ai mendohej mbi propozimet turke që i solli Tahiri, ky i fundit përfitoi nga prania në kala, dhe rimori pas bisedash të fshehta kontrollin e garnizonit që më parë kishte qenë nën urdhërat e tij. Garnizoni kaloi në anën e tij dhe ia dorëzoi kështjellën. Ajo ra kështu në duart e turqve.

Ali Pasha u tërhoq me rreth njëqind e dyzet burra në Ezokastro (pjesa e brendshme e kalasë), nga ku deklaroi se do të hidhej në erë bashkë me të gjitha thesaret e tij që gjendeshin aty.

Turqit, të informuar për vendimin, pas disa bisedimesh, i dërguan një kontratë të mbuluar me firmat e të gjithë pashallarëve, bejlerëve dhe oficerëve që gjendeshin në Janinë, dhe në të cilën, ata i betoheshin atij, mbi profetin, mbi kokën e Sulltanit dhe mbi besimin e tyre si myslimanë, një tërheqje të ndershme, gëzimin e pasurisë së tij, dhe të gjithë sigurinë dhe mbrojtjen e Portës së Lartë.

Ali Pasha, duke parë këto nënshkrime të shumta, e la veten të tundohej për një moment. U ra dakord që përkohësisht të tërhiqej prej aty dhe të shkonte në kalanë e Gjirokastrës. Kështu, pasi la oficerin e tij më besnik në krye të një garnizoni të vogël në Ezokastro me porosinë që gjithsesi ta hidhte në erë nëse nuk merrte shenjën prej tij, ai u nis më 1 shkurt, bashkë me gjashtë shoqërues për në kalanë e Ishullit të Liqenit, të cilën e kishte ende nën urdhërat e veta.

Atje, ai u ftua nga serasqeri që ta dorëzonte Ezokastron e thesareve brenda Kështjellës së Janinës para se të nisej për në destinacionin final. Ndërsa Aliu hezitonte, atij iu dërgua një kontratë e dytë, e mbushur me një numër më të madh nënshkrimesh, dhe në të cilën i shprehej i njëjti premtim.

Atëherë, ai nxorri nga xhepi një palë tespihe dhe i dërgoi në kalanë nga e cila sapo kishte ikur. Ishte shenja për të cilën kishin rënë dakord. Oficeri shqiptar i Aliut e dorëzoi Ezokastron tek turqit sapo ata i treguan tespiet e pashait. Por sapo hynë brenda, ata ia prenë atij kokën.

Në të njëjtën kohë, Hasan Pasha, i shoqëruar nga shpatëmbajtësi i Hurshid Pashës, shkoi me 60 burra në ishull dhe i paraqiti Ali Pashës një letër nga sulltani. Kur ky i fundit vuri re se në vend të letrës së faljes që i ishte premtuar, i kishin sjellë dënimin me vdekje, kapi një pistoletë:

“Ju që shkelni betimet tuaja në mënyrë tradhëtare, tha ai, kujtoni se Aliu është një grua?”.

Duke folur kështu, ai qëlloi mbi Hasan Pashën dhe e plagosi. Me një të shtënë të dytë, ai vrau një oficer të pashait. Gjashtë shoqëruesit ndoqën shembullin e tij; ata vranë dymbëdhjetë turq dhe plagosën disa të tjerë, përpara se bashkë me Aliun, të vriteshin të gjithë.

Koka e prerë e Ali Pashës u transportua më pas dhe u ekspozua në portën e kalasë së madhe, gjatë gjithë ditës së 6 shkurtit. Të nesërmen u dërgua në Kostandinopojë.

I tillë ishte fundi i sunduesit shqiptar, i cili u therr, por nuk u mund.

Letrat e fundit nga Janina na tregojnë se pasi arriti kësisoj ta vriste me dredhi Ali Pashain, Hurshid Pasha u largua nga ky qytet më 13 shkurt me trupat e tij, duke u nisur për në Mezovon; ndoshta për të marrë nën kontroll rrugët e Pindit dhe për të garantuar transferimin e thesareve të Ali Pashait.

Ai ia dorëzoi Omer Vrionit komandën e Epirit, i cili është tashmë në krye të shqiptarëve.

Të njëjtat letra tregojnë se pak kohë më pas Hurshid Pashën e kanë larguar nga posti i tij i serasqerit, dhe ai duhet të paraqitet në Kostandinopojë. Me sa duket diçka nuk shkon me llogaritjen e parave të Aliut. Nuk është e pamundur që Hurshidi të pësojë fatin e paraardhësit të tij Pasho Beut, të cilit iu pre koka disa ditë para Aliut, armikut të tij të betuar.

Disa i vlerësojnë thesaret e Ali Pashait në rreth 250 milionë; të tjerë nuk mendojnë se arrijnë 100 milionëshin; por ka persona, që pretendojnë se janë më të informuar, të cilët sigurojnë që pjesën më të mëdha të pasurive Aliu e ka fshehur dhe groposur duke mbajtur pranë, vetëm një pjesë të vogël”. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …