Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat kanë refuzuar shumicën e provave që, sipas mbrojtjes, dokumentojnë krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, e cilësoi vendimin si “të padrejtë dhe të papranueshëm”, duke theksuar se gjykata “ka devijuar plotësisht nga misioni i saj fillestar dhe po gjykon në mënyrë të njëanshme vetëm pjesëtarët e UÇK-së”. “Nuk ka ekzistuar asnjëherë një gjykatë që gjykon vetëm një entitet, në këtë rast UÇK-në apo vetëm shqiptarët, pa marrë parasysh provat që dërgohen për krimet e kryera nga forcat serbe. Ai theksoi se Gjykata Speciale është themeluar mbi bazën e raportit të senatorit zviceran Dick Marty, i cili, sipas tij, “tashmë nuk ekziston fare në aktakuzë dhe ka humbur çdo relevancë ligjore. Syla tha se OVL-UÇK dhe qytetarët janë të vendosur të protestojnë kundër këtyre padrejtësive dhe të informojnë opinionin ndërkombëtar për, siç tha ai, “procesin politik” që po zhvillohet në Hagë. “I ftojmë të gjithë shqiptarët kudo që janë të bashkohen me ne, sepse po ndodh një padrejtësi historike. Një gjykatë që gjykon një etni është e papranueshme, jo vetëm për ne, por për gjithë faktorin ndërkombëtar,” Syla theksoi se mesazhi kryesor i protestave të OVL-UÇK-së është i qartë: “Jo në emrin tim — sepse kjo gjykatë nuk ka legjitimitet të vendosë në emrin e popullit të Kosovës.”
