Gjon Bruçi: Pashallarët shqiptarë të Perandorisë së Re, një histori e paralelizmit

Gjon Bruçi: Pashallarët shqiptarë të Perandorisë së Re, një histori e paralelizmit

Gjatë afro tri dekadave të sistemit aktual borgjez në vendin tonë, dy kanë qenë objektivat kryesorë të luftës midis politikanëve dhe kahjeve politike: Shteti dhe pushteti. Teorikisht objektivi kryesor ka qenë shteti, ndërsa pushteti është reklamuar si një mundësi teknike për të bërë shtetin. Mirëpo rezultati ka qenë mjeran. Ndërsa pushteti, i akaparuar nga politikanët e radhës ka arritur majat, shteti ka mbetur i leckosur e i mjerë në fund të rrugicës së demokracisë.

Formalisht, ne kemi një shtet me të gjithë aksesorët e tij institucionalë e ligjor, të kompletuar me letra e me vula, tëpkë si shtetet qindra vjeçare të perëndimit. Kemi aparatin shtetëror me të tri pushtetet: Legjislativin, Ekzekutivin, Gjyqësorin. Kemi organet e violencës, Ushtrinë dhe Policinë. Kemi institucionet shoqërore si shëndetësinë, arsimin, kulturën etj. Si dhe një dyzinë shoqatash, organizatash e sindikatash, të cilat, tamam si garniturë sallate, plotësojnë kornizën e të ashtuquajturit “Shtet”. Por formalisht ama, se realisht asnjëri nga këto institucione, që përbëjnë ngrehinën e shtetit, nuk kanë këllqe të qëndrojnë mbi këmbët e veta.

Po kush e mban atëhere shtetin tonë të mos rrëzohet?

Përgjigja është e thjeshtë: ne nuk kemi shtet, dhe kur nuk ke shtet, edhe “rrëzimi” del jashtë fjalorit të ditës. Tek ne ka qeverisje me pushtet, por jo me shtet. Falë kësaj qeverisje me pushtet, “Kulla” e shtetit qëndron në këmbë duke bërë hije, pavarësisht se cili është bujtësi i radhës në “odat” e tij.

Duke mos gjetur në ditët e sotme asnjë shembull që qeverisja të realizohet me pushtet, por pa shtet, u hodha në historinë e shkuar të shqiptarëve, ku si për çudi gjeta pika të përbashkëta të asaj kohe me të sotmen. Pesëqind vjet nën pushtimin otoman, shqiptarët nuk arritën të kishin shtetin e tyre. Por qeverisje ata patën. Dhe këtë qeverisje e realizuan jo me pashallarë turq, por me pashallarë shqiptarë. Sulltanët e Stambollit, pasi realizuan pushtimin e plotë të trojeve shqiptare, menduan të lehtësoheshin nga qeverisja e përditshme e një “mileti të sertë”, siç ishin shqiptarët, duke ua lënë këtyre të fundit rregullimin e punëve të tyre të brendshme, por me kujdesin që asnjëherë këta të mos bënin shtet. A nuk kemi sot të njëjtën skemë, kur pas pushtimit “demokratik” të perendimit, megjithëse kullandrisemi nga pashallarët tanë, nuk arrijmë të bëjmë shtet, sepse përfaqësuesit e “Perandorisë së Re”, ku realisht kemi hyrë fizikisht, por jo ligjërisht e shtetërisht, prej afro tri dekada nuk “kanë arritur” të na mësojnë ribërjen e shtetit, që vetë ata na e shkatërruan në vitin 1990.

Për të pamundësuar bërjen e shtetit, Stambolli i para pesëqind viteve, jo vetëm i ndau shqiptarët në katër Sanxhaqe, por edhe i armiqësonte me njëri-tjetrin, duke siguruar kështu qetësinë e stabilitetin për perandorinë e tij të madhe. A nuk na ka ndarë sot porandoria e re në “sanxhaqe” partish dhe na ndërsen ndaj sho-shoqit për karrigen e pushtetit, duke i vënë kazmën bërjes së shtetit?! Dhe jo vetëm kaq, por ndonëse na dha mundësinë e qeverisjes edhe të një Sanxhaku (republike) të dytë me shqiptarë (Republikën e Kosovës), na mban larg njëri-tjetrit që të mos arrijmë të bëjmë një shtet për të qënë, i cili mund të “rrezikojë” stabilitetin e perandorisë me të ashtuquajturën “Shqipëri e madhe”.

Perandorinë osmane nuk e hante meraku se ç’bëhej me banorët e trojeve shqiptare, mjaft që pashallarët vendas, të caktuar prej saj, t’i mbanin ata nën hyqëm dhe të zbatonin kanun-namet e sheriatit dhe dovletit. A nuk kemi sot kërkesën për reformimin e strukturave shtetërore, institucioneve dhe ligjeve sipas kanun-nameve të perandorisë së re europiane, por asnjëherë ndonjë kërkesë apo veprim serioz për punësimin, mirëqenien e popullit shqiptar e zhvillimin real të vendit të tyre, i cili, për të dytën a të tretën herë po provon e do të provojë pozicionin e rangut të tretë në periferi të perandorive, ku iu desh e i duhet të integrohet.

Për t’i patur nën hyqëm pashallarët shqiptarë, dovleti u akordonte paga e përfitime “të ligjshme”, vlera e të cilave nuk dilte nga arka e Sulltanit, por nga taksat e banorëve të Vilajetit të vetë pashallarëve. Shihni pagat dhe privilegjet e pashallarëve tanë të sotëm, të miratuara nga FMN dhe institucionet e tjera të Perandorisë së re, paga e privilegje që dalin nga kuleta e leckosur e qytetarëve shqiptarë, dhe do të kuptoni ngjashmërinë me adashët e tyre të moçëm.

Pashallarët shqiptarë të kohës së perandorisë osmane, nuk mund ta gëzonin “myhyrin” e Sulltanit, nëse nuk kalonin nëpër koridoret dhe divanët përkatës të Edrenesë. Kështu ndodh edhe sot me perandorinë e re. Asnjë qeveritar shqiptar nuk mund të fillojë punën, edhe pse ka marrë mandatin qeverisës, pa kaluar më përpara nga Brukseli, apo Uashingtoni, nga ku marrin “fermanin” për të qeverisur kazanë e quajtur Shqipëri.

Një nga detyrat e pashallarëve shqiptarë të kohës së Turqisë, ishte angazhimi me repartet e tyre shqiptare në krah të forcave turke gjatë fushatave luftarake në Ballkan e më tej, si dhe dërgimin e nizamëve në shërbim të Ushtrisë osmane. Pjesën e parë të këtij “angazhimi” pashallarët tanë të sotëm ende nuk e kanë realizuar, sepse asnjëri prej tyre nuk kanë haber nga punët e luftës. Ama nizamët i kanë dërguar e i dërgojnë rregullisht në ushtrinë e Perandorisë së Re, e cila ka “mision” vendosjen e demokracisë me ndihmën e automatikut.

Pashallarët shqiprtarë të kohës osmane, mbasi paguanin (me paret e miletit) taksat e detyrimet ndaj Padishahut të Stambollit, ishin të lirë të vepronin si t’ua kishte qejfi me pasurinë tjetër të rajasë së pashallëkut të tyre. Se fundja përse ishin emëruar pashallarë? Edhe perandoria e re i ka lënë e po i lë pashallarët tanë të sotëm të zhvatin si të munden nga pasuria e popullit, mjafton që ata të jenë korrekt me detyrimet fiskale që kanë me institucionet e perandorisë si BE, NATO, BB, BERZH, FMN etj.

Kur ndonjë nga pashallarët tanë të dikurshëm jepte shenja kundërshtimi, padishahu e thërriste në Divan dhe, nëpërmjet xherahut të synetllëkut, realizonte “tredhjen”, duke e bërë të paafatë të trashëgonte burrninë. Në kohën e sotme, padishahu i madh i perandorisë së re, ndonëse nuk ka përdorur e nuk përdor bisturinë e adashit të vjetër, ka realizuar të njëjtën gjë me pashallarët tanë. Kjo duket fare qartë nga buzëqeshjet servile të këtyre të fundit, sapo gjenden qoftë edhe përpara zëvendësit të zëvendasit të “padishahut”. Kur pashallarët e moçëm tentonin të shkëputeshin nga porta e Lartë, padishahu i madh u dërgonte ushtrinë dhe, ose u merrte kokën në sini, ose i syrgjinoste në shkretëtirat e Tarabulluzit. Perandoria e sotme moderne nuk e përdor më “sininë”, se asaj i ka kaluar koha. Por nëse pashallarët tanë të sotëm guxojnë e kundërshtojnë, apo bëjnë ndonjë lëvizje jashtë skemës së caktuar, i thërret në qendër ku i “vaftis me demokraci”, i nxjerr në stolin rezervë dhe, kur “rregullojnë” sjelljet sipas barometrit të saj, i rikthen përsëri në fushën e luftës për pushtet, por asnjëherë për shtet.

Dikush nga fqinjët, apo më tej akoma, na kanë konsideruar e na konsiderojnë një popull që nuk dimë e nuk duam të bëjmë shtet. Kjo është një konsideratë djallëzore. Shqiptarët kanë pranuar, kanë hartuar e u janë nënshtruar edhe kanuneve të maleve, që janë shumë më të egra se gjithë llojët e ligjeve të shtetit të sotëm. Dhe këto kanune ishin të detyrueshme për sejcilin, pavarësisht nga pozicioni që zinte në komunitet. Ndërsa sot, pashallarët, agallarët e bajraktarët e rinj të demokracisë shqiptare, edhe ligjet që ata vetë formulojnë e miratojnë, i kthejnë në leckë për të trembur laraskat, por jo krimin, sidomos kur ky është në radhët e tyre. Dhe këtë e bëjnë se realisht ata nuk duan shtet, por vetëm pushtet. Kjo “sjellje” e pashallarëve tanë, siç po duket, i intereson edhe “Divanit” atje në qendër të perandorisë së re. Se duke mos patur shtet, shqiptarët dhe Shqipëria do të “kullandriset më lehtë” për qëllimet e tyre gjeostrategjike në Ballkan e më tej.

Parulla e leçitur kohë më parë nga liderët tanë të sotëm, se “duhet të lëshojmë pushtet për të bërë shtet”, ishte dhe mbetet vetëm një “password” (fjalë kalimi) për të akaparuar pushtet. Veprimi më i fundit i Ramës, ai i ndërrimit të gjysmës së kabinetit të tij, pa pyetur asnjë nga strukturat partiake me të cilat ri-akaparoj pushtetin në vitin 2017, na bind për këtë konkluzion tonin të padëshiruar nga askush. Kjo mënyrë qeverisjeje, me pushtet dhe jo me shtet, me siguri do të vijojë, gjer në atë ditë sa e drejta për të marrë pushtetin dhe bërë shtetin t’i kalojë realisht popullit, apo “sovranit”, siç e quajnë nëpër fjalimet e fushatave pashallarët tanë të sotëm.

Dhe për realizimin e këtij “kalimi” duhet të veprojë vetë populli, nëse do të heqë qafe pashallarët e rinj, që janë njësoj si ata të moçmit.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Halimi: DISA FJALË RRETH DISA PASAKTËSIVE TË ANALIZËS SË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS

Bedri Halimi: PASQYRIMI I LUFTËS SË UÇK-së NË FUSHËN E ARTIT, KULTURËS E SHKENCËS

Lufta e UÇK-së në Kosovë, deri tani është paraqitur përmes përvjetorëve të masakrave të ndryshme, …