Paneli i Gjykatës së Apelit ka miratuar sot, me shumicë votash, një pjesë të ankesës së Salih Mustafës kundër vendimit të Gjykatësit të Vetëm të 16 korrikut 2025, duke ngritur çështje serioze mbi mënyrën se si është zbatuar norma e interesit në Urdhrin për Zhdëmtim. Sipas panelit, gjykatësi kishte urdhëruar pagesën e interesit për shumën e papaguar të zhdëmtimit që nga shpallja e aktgjykimit, veprim që u konsiderua jashtë fushëveprimit ligjor të tij. Një mendim pjesërisht i ndarë nga gjykatësja Pikar e theksoi dilemën e drejtësisë procedurale dhe kufijve të autorizimeve brenda kësaj gjykate, ndërsa paneli vendosi të prapësojë vendimin sa i përket zbatimit të normës së interesit dhe detyrimeve të raportimit. Ky zhvillim nxjerr në pah sërish mos koherencat e vazhdueshme që e kanë përcjellë funksionimin e këtij mekanizmi gjyqësor. Rasti i Salih Mustafës, ish-komandant i njësitit gueril BIA të UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, mbetet ndër çështjet më të kontestuara në kuadër të Dhomave të Specializuara. Gjykimi i tij, i zhvilluar nga shtatori 2021 deri në shtator 2022, ka hapur vazhdimisht debate mbi qasjen e gjykatës, standardet e përdorura dhe mënyrën e administrimit të provave dhe procedurave. Prapësimi i një elementi kaq të ndjeshëm si norma e interesit për zhdëmtim e ekspozon gjykatën ndaj akuzave për vendimmarrje të nxituar, mungesë uniformiteti dhe tejkalim autoritetesh.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
